BE e mohon se gazi rus po paguhet në rubla

BE e mohon se gazi rus po paguhet në rubla

22:00, 02/05/2022

Komisioni Evropian dhe Presidenca franceze e BE-së mohuan sot se disa vende anëtare po paguanin për gazin rus në rubla, gjë që do të ishte një anashkalim i sanksioneve kundër Rusisë.

“Unë nuk e di që ndonjë shtet anëtar i BE-së po paguan në rubla ose se ka shpallur synimin e tij për ta bërë këtë,” tha komisionerja e Energjisë Kadri Simson, pas një takimi të jashtëzakonshëm të ministrave të energjisë të vendeve anëtare.

Ajo shtoi se u shpjegoi ministrave se pagesa në rubla do të ishte një shkelje e qartë e sanksioneve kundër Rusisë dhe se “kjo nuk është e pranueshme”.

“Shtetet anëtare nuk duhet të kenë iluzione se mund të mbështeten në besimin e mirë të Gazprom në këtë çështje,” tha Simson.

Ministrja franceze e Tranzicionit Ekologjik Barbara Pompili pohon gjithashtu se asnjë vend nuk paguan gazin në rubla.

“Mund të konfirmoj se të gjitha vendet anëtare kanë thënë se duhen zbatuar sanksionet dhe se marrëveshjet duhet të respektohen”, tha Pompili.

Bloomberg njoftoi sot se disa shtete anëtare tashmë po paguajnë në rubla.

Rusia ka miratuar një dekret që kërkon nga kompanitë evropiane që blejnë gaz nga Gazprom të hapin një llogari në euro dhe një tjetër në rubla. Rusia beson se pagesa është bërë vetëm pasi euro është konvertuar në rubla.

KE thotë se nuk është e diskutueshme për BE-në që një kompani evropiane që blen gaz të hapë një llogari në Rusi në euro, por hapja e një llogarie tjetër në Gazprombank në rubla do të ishte anashkalim i sanksioneve.

Shndërrimi i euros në rubla bëhet përmes bankës qendrore ruse, e cila është nën sanksionet e BE-së dhe çdo transaksion me të është anashkalim.

Fondet e paguara në euro shkojnë në bankën qendrore ruse, e cila më pas i konverton në rubla, por pa asnjë kufizim kohor. Kjo do të thotë se një kompani evropiane që paguan euro në një farë mënyre i jep hua bankës qendrore ruse, sipas Komisionit Evropian.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco