Lufta në Ukrainë do të përcillet me 'çmime të larta të ushqimeve dhe energjisë për 3 vite me radhë'

Lufta në Ukrainë do të përcillet me 'çmime të larta të ushqimeve dhe energjisë për 3 vite me radhë'

18:28, 27/04/2022

Banka Botërore thotë se shoku më i madh i mallrave që nga vitet 1970 rrit pasojat e stagflacionit.

Lufta në Ukrainë do të sjellë shtrenjtimin e ushqimeve dhe të energjisë për tre vitet e ardhshme, ka paralajmëruar Banka Botërore, duke intensifikuar frikën se ekonomia globale po shkon drejt një ripërsëritjeje të rritjes së dobët dhe të inflacionit të lartë të viteve 1970.

Në një analizë të zymtë, organizata me qendër në Uashington tha se ekzistonte rreziku që kostot e larta të mallrave që vazhdojnë të mbeten të tilla deri në fund të vitit 2024, të sjellin stagflacion – aktivitet të ngadaltë ekonomik, të kombinuar me presione të forta të kostos së jetesës.

Sipas perspektivës më të fundit të Bankës për tregjet e mallrave, gjatë dy viteve të fundit, bota kishte pasur rritjen më të madhe të çmimeve të energjisë që nga kriza e naftës e vitit 1973 dhe rritjen më të madhe të çmimeve të ushqimeve dhe të plehrave bujqësore që nga viti 2008.

Megjithëse kostot e energjisë dhe të ushqimeve kanë të ngjarë të bien nga nivelet aktuale, ato parashikohen që të jenë mbi mesataren e pesë viteve të kaluara në fund të vitit 2024.

Si rezultat i ndërprerjeve të tregtisë dhe të prodhimit që erdhën si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë, Banka parashikon një rritje prej 50% të çmimeve të energjisë këtë vit. Ajo pret që çmimi i naftës së papërpunuar Brent të jetë mesatarisht 100 dollarë për fuçi në vitin 2022, niveli më i lartë që nga viti 2013 dhe një rritje prej më shumë se 40% krahasuar me vitin 2021.

Çmimet pritet të bien përsëri në 92 dollarë në vitin 2023, por gjithsesi do të mbeten shumë më tepër se mesatarja pesëvjeҫare prej 60 dollarë për fuçi.

Çmimet e gazit në Europë pritet të jenë dy herë më të larta në vitin 2022 sesa në vitin 2021, ndërsa çmimet e qymyrit pritet të jenë 80% më të larta. Banka pret që çmimet e grurit të rriten me më shumë se 40% gjatë këtij viti, duke ushtruar presion mbi ekonomitë në zhvillim që mbështeten tek importet e grurit nga Rusia dhe Ukraina.

Indermit Gill, zëvendëspresidenti i Bankës Botërore, tha: “Në përgjithësi, kjo përbën shokun më të madh në ҫmimet e mallrave që kemi përjetuar që nga vitet 1970. Siç ndodhi edhe atëherë, kjo tronditje po përkeqësohet nga rritja e kufizimeve në tregtinë e ushqimeve, të karburantit dhe të plehrave bujqësore.”

“Këto zhvillime kanë filluar të shfaqin shenjat e stagflacionit. Politikëbërësit duhet të shfrytëzojnë çdo mundësi për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të shmangur veprimet që do të sillnin dëmtim të ekonomisë globale.”/ The Guardian

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco