ATK thirrje bizneseve: Deklaroni saktë tatimin!

ATK thirrje bizneseve: Deklaroni saktë tatimin!

10:43, 27/04/2022

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) iu ka bërë thirrje bizneseve dhe të gjithë personave, të cilët merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor janë të detyruar të deklarojnë tatimet dhe Kontributet Pensionale në mënyrë reale.

Përmes një njoftimi në facebook, nga ATK-ja thonë se aktivitetet e tyre, në vazhdimësi janë duke u përqendruar pikërisht te kategoritë, si: Nën-deklaruesit e pagave të punëtorëve, nën-deklaruesit tek bizneset e mesme dhe të mëdha dhe tek nën-deklaruesit te bizneset mikro dhe të vogla, me qëllim të identifikimit të atyre bizneseve, e të cilat si rrjedhojë i nën deklarojnë të ardhurat e tyre.

Disa nga veprimtaritë si në vijim, sipas ATK-së nuk zbatojnë këtë obligim:

• Bizneset, të cilat nën-deklarojnë pagat e punëtorëve;

• Bizneset, të cilat bëjnë nën-deklarim, në veçanti veprimtaritë, si: tregti, shërbime, ndërtimtari dhe prodhim;

• Bizneset,të cilat bëjnë nën-deklarim të qarkullimit me qëllim të qëndrimit vazhdimisht në kuotën fikse prej 37.5€ në çdo 3 muaj;

• Bizneset, të cilat bëjnë nën-deklarim të qarkullimit me qëllim të qëndrimit vazhdimisht nën pragun e TVSH-së, veçanërisht bizneset në veprimtaritë, si: tregti, shërbime profesionale, zbavitëse-artistike, prodhim, transport, etj;

• Bizneset, të cilat operojnë me humbje, si dhe bizneseve që deklarojnë me zero;

• Bizneset, të cilat ofrojnë furnizime pa të drejtën e kreditimit të TVSH-së, ndërsa në anën tjetër zbresin TVSH-në në blerje;

• Bizneset, të cilat importojnë apo tregtojnë mallra me akcizë, të cilët përmes dokumentacionit jo të saktë, respektivisht nënvlerësimit të çmimeve të shitjes, i’u shmangen detyrimeve tatimore;

• Bizneset, të cilat merren me shitjen e tekstilit dhe veshmbathjeve, të cilat mbajnë dokumentacione jo të sakta me qëllim të shmangies së detyrimeve tatimore; si dhe

• Personat, të cilët nuk bëjnë deklarimin e të ardhurave të ndryshme që ata mund të kenë qoftë të hyrat nga jashtë vendit, të hyrat nga kapitali apo të hyrat tjera; etj.

Këtyre kategorive, ATK-ja iu bënë thirrje që të deklarojnë apo korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha obligimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor.

“ATK, inkurajon të gjitha kategoritë e lartpërmendura që t'i përgjigjen në mënyrë të saktë detyrimeve tatimore, në të kundërtën ATK, do të detyrohet që të ndërmarrë masat ndëshkuese sipas legjislacionit tatimor”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, nga ky institucion rikujtojnë se me kryerjen e detyrimeve tatimore, qytetarët kontribuojnë direkt në financimin e programeve qeveritare, siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco