'Limak' me hakmarrje ndaj punëtorëve, i largoi 51 persona nga puna pas grevave në aeroport

'Limak' me hakmarrje ndaj punëtorëve, i largoi 51 persona nga puna pas grevave në aeroport

23:18, 10/04/2022

Në fillim të vitit 2020, menaxhmenti i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” nuk ua ka ripërtërirë kontratat 51 punëtorëve, e që kjo po vlerësohet se është bërë si shenjë hakmarrje pas grevave të gushtit të vitit 2019.

Bashkim Latifi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në emisionin “De Jure” në Tëvë1, tha se largimi i tyre nga puna është bërë në shenjë hakmarrje për shkak të pjesëmarrjes në grevë.

Dërgimi në komisione disiplinore dhe vlerësimi negativ i performancës, Latifi tha se janë përdorur nga menaxhmenti për të goditur punëtorët.

“Gjatë tre muajve pas grevave ka qitë aq shumë punëtorë në komisione disiplinore, sa për 20 vite nuk kemi pasur aq punëtorë në komisione disiplinore dhe kjo kallëzon sa të duash. Fill pas komisioneve disiplinore filluan edhe me largimet e para, fillimisht me numër të vogël ka dy, ka tre, ndërsa në fund të vitit punëdhënësi ynë e ndërroi strategjinë dhe filloi me iu hakmarrë me performancë, në bazë të performancës me i largu”, u shpreh Latifi.

Sindikata i ishte drejtuar Inspektoratit të Punës pas njoftimit të menaxhmentit se nuk do t’ua vazhdojë kontratat 51 punëtorëve.

Agim Millaku, ushtrues i detyrës së kryeinspektorit të Punës, në emisionin “De Jure”, tha se atyre nuk iu ishte vazhduar kontrata në kundërshtim me ligjet në fuqi, për çka kishte shqiptuar edhe gjobë prej 10 mijë eurove.

“Gjoba ka qenë 10 mijë euro, ajo masë e gjobës është dorëzuar për ekzekutim tek përmbaruesi privat, po pas kësaj përsëri me insistimin e Inspektoratit të Punës është bërë inspektim lidhur me rastin, atëherë është bërë e mundshme që Inspektorati i Punës të ketë qasje në dokumentacionin e nevojshëm për hulumtimin e rastit dhe vjen deri te gjetjet tjera që kanë përku me rastin me largimin e padrejtë nga marrëdhënia e punës dhe për rastin tjetër me rastin e inspektimit është shkalla e gjobës në 35 mijë euro. Pra, janë dy gjoba të njëpasnjëshme që i shqiptohen punëdhënësit lidhur me këtë rast. Edhe kjo shumë, kjo gjobë është në procedim tek përmbaruesi”, tha ai në emisionin “De Jure”.

Punëtorët e larguar nga puna, i janë drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, për të kontestuar vendimin e punëdhënësit të tyre.

Kjo gjykatë, sipas aktgjykimeve të siguruara nga “De Jure”, thuhet se ka vendosur në favor të punëtorëve dhe ka vërtetuar se “Limak Kosovo International Airport” ka bërë largimin e punëtorëve nga puna në kundërshtim me ligjin dhe të njëjtën e ka obliguar që t’i kthejë punëtorët në vendet e tyre të punës apo në punët dhe detyrat e punës që i përgjigjen përgatitjes profesionale të punëtorëve me të njëjtën pagë mujore.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco