Pula: Fondi Sovran do të përfaqësojë direkt interesin financiar të Kosovës

Pula: Fondi Sovran do të përfaqësojë direkt interesin financiar të Kosovës

16:39, 24/01/2022

“Kosova është pronare e ndërmarrjeve publike, por ato ndërmarrje sillen sikur janë pa pronar. Kjo ka rezultuar drejtpërdrejtë jo vetëm në përformancë jo të mirë financiare, mungesë planifikimi strategjik, dështime komerciale dhe devalvim asetesh, por edhe në keqmenaxhimin, keqpërdorimin dhe shfrytëzimin e tyre në format nga më të paskrupulltat për përfitime personale nga klane të caktuara politike e parapolitike. Ndërkaq Fondi Sovran adreson këtë problem strukturor duke krijuar një entitet që nuk ka mandat tjetër përveç se të luajë rolin e aksionarit dhe të përfaqësojë direkt dhe pa ndërmjetësim interesin financiar të shtetit të Kosovës”.

Modeli ynë (i Grupit Punues) parasheh që Fondi Sovran të veprojë si korporatë, pra një shoqëri aksionare, me ndërvarësi strategjike por pavarësi të plotë operacionale nga Qeveria. Ai do të jetë nën pronësinë e plotë të Republikës së Kosovës dhe i mbikëqyrur nga një bord profesional i emëruar nga Kuvendi, ka sqaruar që në fillim të intervistës së gjatë dhënë për Buletinin Ekonomik, Besnik Pula, kryetar i Grupit Punues për hartimin e draftit përfundimtar të Koncept Dokumentit për Themelimin e Fondit Sovran dhe profesor në Universitetin Virginia Tech, në ShBA, njëkohësisht këshilltar i kryeministrit Kurti për marrëdhënie ekonomike ndërkombëtare.

Por cili do të jetë roli kryesor i Fondit Sovran?

Së pari, sipas Besnik Pulës, Fondi adreson një problem fundamental në formën e organizimit të ndërmarrjeve publike në Kosovë. Ky problem është mungesa e mekanizmit për shtetin e Kosovës që të luaj me efektivitet rolin e aksionarit. Ndërmarrjet publike të Kosovës, veçanërisht ato të nivelit qendror dhe që kanë karakter komercial në aktivitetin e tyre (siç janë KEK-u, Telekomi, Posta, Trepça etj.), thotë z. Pula, nominalisht punojnë dhe veprojnë si njësi të pavarura korporative. Ato, me një fjalë, janë firma që duhet të dëshmojnë sukses komercial në treg. Por, në vend të këtij orientimi, kemi parë zhvillimin e një marrëdhënie patologjike midis aksionarit dhe ndërmarrjeve në fjalë. Kosova është pronare e ndërmarrjeve publike, por ato ndërmarrje sillen sikur janë pa pronar. Kjo ka rezultuar drejtpërdrejtë jo vetëm në performancë jo të mirë financiare, mungesë planifikimi strategjik, dështime komerciale dhe devalvim asetesh, por edhe në keqmenaxhimin, keqpërdorimin dhe shfrytëzimin e tyre në format nga më të paskrupulltat për përfitime personale nga klane të caktuara politike e parapolitike. Ndërkaq, ndërmarrjet i drejtohen shtetit vetëm kur janë buzë kolapsit, kur mungojnë mjetet për investime të punës bazike dhe sidomos kur arkat e tyre janë aq bosh sa që nuk mund t’i mbulojnë as rrogat e punëtorëve. Pra, shteti i Kosovës nuk e ushtron funksionin e aksionarit, por thirret ta luaj rolin e kreditorit dhe subvencionuesit kujdestar sa herë ndërmarrjet i kanë punët keq. Kjo është marrëdhënia patologjike në fjalë. Kjo pastaj vazhdon ciklin e keqmenaxhimit, devalvimit dhe keqpërdorimit, ndërsa në vend të përfitimeve, për shtetin e Kosovës këto ndërmarrje janë barrë fiskale, vë në dukje në këtë intervistë z. Pula.

Fondi Sovran adreson këtë problem strukturor duke krijuar një entitet që nuk ka mandat tjetër përveç se të luajë rolin e aksionarit dhe të përfaqësojë direkt dhe pa ndërmjetësim interesin financiar të shtetit të Kosovës. Pra, “i shmangemi rolit të aksionarit pasiv, ndërsa nuk pritet që roli i aksionarit të luhet nga ndonjë zyrë në ndonjë ministri, as nga ndonjë ministër, të cilët në fund të fundit nuk mund ta kenë atë lloj mandati, sepse mandati i tyre është politik. Fondi do të jetë korporatë e specializuar financiare, e menaxhuar në formë profesionale, e cila do të ketë rol kryesor përfaqësimin dhe ndjekjen e këtij interesi financiar, në emër të shtetit, pra në emër të një interesi të përgjithshëm publik, për zhvillim ekonomik dhe për sigurimin e qëndrueshmërisë fiskale të shtetit”, shpjegom në vazhdim Besnik Pula.

Sipas tij, Fondi nuk është paraparë të jetë njësi buxhetore e qeverisë e as agjension qeveritar, por korporatë autonome financiare, që menaxhon investime dhe asete. Përberja e këtyre aseteve fillon me ndërmarrjet publike, por nuk përfundon aty, sepse Fondi me strategjitë investive do të ketë mundësi të zgjerojë dhe diversifikojë portfolin e vet si në aspektin sektorial ashtu dhe në llojin e aseteve që investon. Këto investime do të bazohen në orientimet zhvillimore që i përcakton Qeveria, por zbatohet sipas strategjive investuese të përcaktuara nga vetë Fondi.

E dyta, “me parashikimet tona Fondi mund të luaj një rol të fuqishëm në ekspanzionin e sistemit financiar të vendit. Fondi mund të stimulojë në formë direkte emetimin e letrave me vlerë, siç janë aksionet dhe letrat e borxhit (bonot), me bazë në ndërmarrjet e mëdha të Kosovës. Kjo hap udhën jo vetëm për joshjen e një baze të gjerë të investorëve të jashtëm në ndërmarrjet e Kosovës, por edhe ndërtimin e përgjithshëm të sektorit korporativ në Kosovë, përfshirë atij privat dhe sidomos atij të bazuar në eksporte”, sqaron tutje në intervistën për Buletinin Ekonomik, Besnik Pula. E treta, sipas tij,  Fondi përveç se rritë mundësinë për gjenerimin e investimeve të brendshme e të jashtme në Kosovë, krijon një levë për rritjen e pjesëmarrjes së kapitalit kosovar në tregjet ndërkombëtare financiare.

Intervistën e plotë të Besnik Pulës, mund ta lexoni në vijim:

Buletini Ekonomik: Z. Besnik Pula, Ju si kreu i Grupit Punues, rishtazi keni dorëzuar draftin përfundimtar të Koncept Dokumentit për Themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës. Ky dokument përbën bazën konceptuale dhe strategjike për themelimin e Fondit Sovran, përfshirë konceptin dhe hapat për vendosjen e bazës ligjore dhe institucionale të Fondit. A mund të na tregoni më në detaje rreth përgjegjësive dhe detyrave që do të këtë Fondi Sovran dhe që dalin nga ky koncept dokument?

Besnik Pula: Koncept Dokumenti që e ka punuar Grupi ynë Punues ndërton një koncept bazë të Fondit Sovran të Republikës së Kosovës. Fillimisht, ne kemi bërë një studim krahasimor të fondeve investive dhe sovrane, të ashtuquajtura Sovereign Ëealth Funds (fonde të pasurisë sovrane), për të parë qëllimet, modelet financiare dhe organizative dhe efektet që ata kanë pasë në ekonomitë përkatëse. Shembujt që kemi parë janë nga Irlanda, Sllovenia, Singapuri, Turqia e deri te Kuvajti. Përveç kësaj, ne kemi zhvilluar takim me përfaqësues të fondit slloven, Slovenian Sovereign Holding (SSH), për të mësuar përvojat e tyre dhe kemi marrë nga përfaqësuesit e tij këshilla shumë të vlefshme. Këto na kanë ndihmuar që të artikulojmë më qartë se atë çfarë mund të jetë dhe si mund të funksionojë suksesshëm një fond sovran brenda kontekstit ekonomik dhe institucional të Kosovës. Kemi mësuar edhe nga përvoja e agjensioneve të suksesshme të pavarura kosovare. Këtu mund të përmend BQK-në, Fondin për Garanci Kreditore dhe Trustin Pensional. Pra kemi përvoja të mjaftueshme se njësi të tilla të pavarura mund të punojnë relativisht suksesshëm në Kosovë.

Modeli ynë parasheh që Fondi Sovran të veprojë si korporatë, pra një shoqëri aksionare, me ndërvarësi strategjike por pavarësi të plotë operacionale nga Qeveria. Ai do të jetë nën pronësinë e plotë të Republikës së Kosovës dhe i mbikëqyrur nga një bord profesional i emëruar nga Kuvendi. Çfarë bën ky Fond? Së pari, ai adreson një problem fundamental në formën e organizimit të ndërmarrjeve publike në Kosovë. Ky problem është mungesa e mekanizmit për shtetine Kosovës që të luaj me efektivitet rolin e aksionarit. Ndërmarrjet publike të Kosovës, veçanërisht ato të nivelit qendror dhe që kanë karakter komercial në aktivitetin e tyre (siç janë KEK-u, Telekomi, Posta, Trepça etj.), nominalisht punojnë dhe veprojnë si njësi të pavarura korporative. Ato, me një fjalë, janë firma që duhet të dëshmojnë sukses komercial në treg. Por, në vend të këtij orientimi, kemi parë zhvillimin e një marrëdhënie patologjike midis aksionarit dhe ndërmarrjeve në fjalë. Kosova është pronare e ndërmarrjeve publike, por ato ndërmarrje sillen sikur janë pa pronar. Kjo ka rezultuar drejtpërdrejtë jo vetëm në keqperformansë financiare, mungesë planifikimi strategjik, dështime komerciale dhe devalvim asetesh, por edhe në keqmenaxhimin, keqpërdorimin dhe shfrytëzimin e tyre në format nga më të paskrupulltat për përfitime personale nga klane të caktuara politike e para politike. Ndërkaq, ndërmarrjet i drejtohen shtetit vetëm kur janë buzë kolapsit, kur mungojnë mjetet për investime të punës bazike dhe sidomos kur arkat e tyre janë aq bosh sa që nuk mund t’i mbulojnë as rrogat e punëtorëve. Pra, shteti i Kosovës nuk e ushtron funksionin e aksionarit, por thirret ta luaj rolin e kreditorit dhe subvencionuesit kujdestar sa herë ndërmarrjet i kanë punët keq. Kjo është marrëdhënia patologjike në fjalë. Kjo pastaj vazhdon ciklin e keqmenaxhimit, devalvimit dhe keqpërdorimit, ndërsa në vend të përfitimeve, për shtetin e Kosovës këto ndërmarrje janë barrë fiskale.

Fondi Sovran adreson këtë problem strukturor duke krijuar një entitet që nuk ka mandat tjetër përveç se të luajë rolin e aksionarit dhe të përfaqësojë direkt dhe pa ndërmjetësim interesin financiar të shtetit të Kosovës. Pra, i shmangemi rolit të aksionarit pasiv, ndërsa nuk pritet që roli i aksionarit të luhet nga ndonjë zyrë në ndonjë ministri, as nga ndonjë ministër, të cilët në fund të fundit nuk mund ta kenë atë lloj mandati, sepse mandati i tyre është politik. Fondi do të jetë korporatë e specializuar financiare, e menaxhuar në formë profesionale, e cila do të ketë rol kryesor përfaqësimin dhe ndjekjen e këtij interesi financiar, në emër të shtetit, pra në emër të një interesi të përgjithshëm publik, për zhvillim ekonomik dhe për sigurimin e qëndrueshmërisë fiskale të shtetit. Fondi nuk është paraparë të jetë njësi buxhetore e qeverisë e as agjension qeveritar, por korporatë autonome financiare, që menaxhon investime dhe asete.Përberja e këtyre asetevefillonme ndërmarrjet publike, por nuk përfundon aty, sepse Fondi me strategjitë investive do të ketë mundësi të zgjerojë dhe diversifikojë portfolin e vet si në aspektin sektoral ashtu dhe në llojin e aseteve që investon. Këto investime do të bazohen në orientimet zhvillimore që i përcakton Qeveria, por zbatohet sipas strategjive investuese të përcaktuara nga vetë Fondi.

E dyta, me parashikimet tona Fondi mund të luaj një rol të fuqishëm në ekspanzionin e sistemit financiar të vendit. Fondi mund të stimulojë në formë direkte emetimin e letrave me vlerë, siç janë aksionet dhe letrat e borxhit (bonot), me bazë në ndërmarrjet e mëdha të Kosovës. Kjo hap udhën jo vetëm për joshjen e një baze të gjerë të investorëve të jashtëm në ndërmarrjet e Kosovës, por edhe ndërtimin e përgjithshëm të sektorit korporativ në Kosovë, përfshirë atij privat dhe sidomos atij të bazuar në eksporte. Ekspanzioni i sistemit financiar është jetik, sepse për momentin bizneset kosovare për ngritje të kapitalit varen vetëm nga vetëfinancimi dhe kreditimi bankar. Fondi mund të luaj rolin e fascilituesit drejt krijimit të një tregu efektiv të kapitalit në Kosovë, që shkon drejtpërsëdrejti në funksion të rritjes së investimeve në kapacitete prodhuese dhe të rritjes së ekonomive në shkallë – me efekte të pritshme në rritjen e kapaciteteve teknologjike, të punësimit dhe të përmirësimit të bilansit tregtar.

E treta, Fondi përveç se rritë mundësinë për gjenerimin e investimeve të brendshme e të jashtme në Kosovë, krijon një levë për rritjen e pjesëmarrjes së kapitalit kosovar në tregjet ndërkombëtare financiare. Një integrim i Kosovës me këto tregje është i pashmangshëm, por me Fondin vendi përfiton një aktor të fuqishëm që mund të përfaqësojë interesat financiare të vendit, mund të gjenerojë kapital në tregje të jashtme i cili pastaj mund të ri-investohet në Kosovë, dhe gjithashtu, me vlerën e aseteve që i ka nën posedim e që mund të arrijnë në disa miliarda euro,ndikon në ruajtjen e autonomisë financiare të vendit.E kemi parë, si pas krizës së 2008-ës ashtu dhe gjatë krizës Covid më 2020, që autonomia financiare është faktor jetik për çdo vend, e sidomos për vendet e vogla e në zhvillim. Fondi do të jetë në kuptimin e plotë të fjalës një institucion i dalë nga rrjedhat ekonomike dhe financiare botërore të shekullit XXI.

Buletini Ekonomik: Me këtë rast, keni vënë në dukje se Koncept Dokumenti është produkt i një pune të gjerë dhe sistematike të Grupit Punues dhe se ky është vetëm hapi i parë në rrugën drejt themelimit të Fondit Sovran, ndërsa, Qeverinë e presin punë të shumta dhe të mëdha. Cilat janë këto punë?

Besnik Pula: Kemi qenë shumë me fat që Grupi Punues ka qenë i përbërë me anëtarë që kanë komplementuar njohuritë e tyre profesionale. Në Grup kemi pasë ekspert financiar, ekspert bankar, ekspert zhvillimor, ekspert ligjor dhe ekspert institucional siç është puna ime. Kjo nuk ka ndihmuar jo vetëm që ta zhvillojmë të plotë konceptin por t’i qëmtojmë të gjitha aspektet e proceseve pasardhëse.

Ka shumë punë. Së pari, Qeveria duhet të ndërmarrë hapat e ardhshëm, që janë hartimi i Ligjit për Fondin Sovran dhe instrumenteve tjera ligjore që vendosin korizën ligjore për Fondin. Pastaj, Qeveria duhet të ndajë financimin për Fondin, si dhe të përcaktojë asetet që do të kalojnë në pronësi të Fondit. Duhet të kryhet me sukses ristrukturimi i ndërmarrjeve dhe përgatitja e tyre për transferimsi asete korporative nën pronësinë e në Fondit Sovran, etj. Këto të gjitha janë procese që marrin kohë, por nuk janë të pamundura të bëhen. Ne si Grup Punues jemi kujdesur shumë që në punën tonë të mos ngelim në nivel të konceptit, por që Qeverisë t’i propozojmë hapa konkret deri në implementimin dhe konkretizimin e Fondit Sovran si institucion efektiv. Për këtë kemi vendosur kontakte edhe me kompani të njohura botërore të konsulencës afariste që kanë ofruar shërbimet e tyre në adresimin e aspekteve logjistike dhe organizative të Fondit, dhe kemi komunikuar edhe me donatorët kyç në vend, siç janë IFC, BERZH-i e shumë të tjerë, të cilat kanë shprehur gatishmëri në mbështetjen e proceseve që lidhenme themelimine Fondit.

Buletini Ekonomik: A keni besim dhe bindje se këto reforma goxha radikale në zhvillimet ekonomike dhe Fondi Sovran, parimet e tij, do të jenë të suksesshme dhe me ndikim në proceset zhvillimore? Nëse po kur i shihni të shpërfaqen rendimentet dhe efektiviteti i Fondit Sovran – shpejt, në një të ardhme jo edhe aq të largët, apo pas një periudhe relativisht të gjatë?

Besnik Pula: Efektet organizative të Fondit Sovran do të ndiheshin në plan afatshkurtër, por efektet ekonomike dhe financiare në plan afatmesëm. Në planin afatshkurtër, Fondi nënkupton një riorganizim dhe ristrukturim relativisht të shpejt të aseteve strategjike të Kosovës, përfshirë të ndërmarrjeve publike, por edhe një numër asetesh të rendësishme që aktualisht menaxhohen nga Agjensioni Kosovar i Privatizimit (AKP). Në planin afatmesëm, rezultatet do të shihen varësisht nga strategjia financiare dhe investive e ndjekur, ku ne kemi propozuar disa qasje.

Buletini Ekonomik: A do të jetë e vështirë që të transferohen asetet strategjike të Republikës së Kosovës në pronësi të Fondit dhe cila do të jetë përgjegjësia e Fondit për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Korporatës së Thëngjillit, Telekomit, etj?

Besnik Pula: Ne si Grup Punues nuk kemi qenë fare nën iluzione se procesi do të jetë i lehtë. Ne kemi propozuar një qasje tranzicionale, i përbërë nga një lloj procesi kualifikues përmes të cilit Qeveria i transferon ndërmarrjet në Fondin Sovran vetëm pas një procesi të suksesshëm të ristrukturimit. Ky ristrukturim në të paktën i bie në nivel të menaxhueshëm kostot dhe borxhet e ndërmarrjeve. Lidhur me këtë, ndërmarrjet e veçanta kanë nevoja të veçanta dhe probleme të veçanta. Pra, nuk mund të shkohet me një qasje uniforme, për sa i përket ristrukturimit të mundshëm të akëcilës ndërmarrje ekzistuese. Mirëpo, është me rëndësi që Fondi të pranojë asete që janë të liruara sa më shumë që është e mundur nga problemet strukturore, ligjore e financiare të trashëguara, në mënyrë që Fondi të merret me strategji, investime dhe profitabilitet, e jo të humbasë kohë dhe energji me probleme ligjore,adminstrative e menaxheriale. Këtu përfshihen jo vetëm ndërmarrjet publike por edhe asete të caktuara që aktualisht gjenden nën administrimin e AKP-së, e që mund të kalojnë në pronësi të Fondit.

Buletini Ekonomik: Brenda Fondit fillimisht është paraparë që të themelohet komponenti kreditues, i cili do të financohet nga paratë publike, Fondi i privatizimit dhe shitja e letrave të borxhit, dhe që do të investojë në degë të caktuara të industrisë që krijojnë vende pune, e zbusin bilancin tregtar duke u përqendruar në rritjen e eksporteve e zëvendësimin e importeve. Çka mendoni, a do të jetë i vështirë kreditimi, i cili do të financohet nga paratë publike?

Besnik Pula: Në Koncept Dokumentin tonë kemi paraparë dy komponente kredituese, një që lidhet me financimin e kapitalit startues të Fondit, dhe i dyti me kreditimet që do t’i bëjë vetë Fondi, përmes letrave të borxhit. Për financimin e kapitalit startues do të jetë i nevojshëm financimi nga paraja publike, meqë Fondi do të jetë nën pronësinë e shtetit dhe shteti është ai që duhet ta bëjë investimin paraprak në themelimin e Fondit. Mirëpo ky financim është i njëhershëm, sepse synimi është që pas kësaj Fondi të jetë vetëfinancues dhe vetë të gjenerojë të hyrat operative dhe të ngrisë kapitalin investues. Investimi që do ta bëjë shteti në themelimin e Fondit, në presim që shtetit do t’i shpaguhet, jo vetëm nga ndalja e rrjedhjes së parasë që shkon në ndërmarrje publike, por edhe nga të hyrat që do të gjenerohen me kohë. Kreditimi nga vetë Fondi, ne e kemi menduar të bëhet përmes mundësisë së shitjes së letrave të borxhit (bonove korporative), e që mbështeten në vlerën e aseteve që i ka nën posedim. Por, duhet theksuar se Fondi nuk është menduar të punojë si bankë e as të merret me aktivitete që normalisht i takojnë sektorit komercial bankar.

Buletini Ekonomik: Më herët, kryeministri Kurti ka thënë se me Fondin po nisë një nga reformat më të mëdha ekonomike të vendit tonë që nga pavarësia. Themelimi i Fondit Sovran do të japë një shpresë të re për zhvillim ekonomik në Kosovë, pas një modeli ekonomik, i cili që nga paslufta nuk solli ndryshimet aq të pritura dhe shpresat për vendin që pati populli i Kosovës. Sipas Kurtit, ndërmarrjet strategjike publike nuk do të shihen më si barrë për buxhetin e Republikës por do të shndërrohen në krah të fortë të zhvillimit ekonomik në vend. Si e vlerësoni këtë optimizëm të kryeministrit për qëllimin parësor që do ta ketë Fondi Sovran?

Besnik Pula: Mendoj se rekomandimet dhe parashikimet tona për rolin e Fondit përkojnë me optimizmin e kryeministrit Kurti. Është e saktë të thuhet se themelimi i Fondit Sovran përbën një nga reformat më të mëdha ekonomike në vend që nga pavarësia. Pra ai do të përbënte një ndryshim të thellë dhe domethënës strukturor në organizimin sidomos të sektorit të ndërmarrjeve publikenë vend. Ndikimet e Fondit gjithashtu do të jenë ndërsektorale dhe me efekte shumëzuese në shumë sfera ekonomike.Mirëpo, natyrisht Fondi Sovran nuk do të krijojë mrekullira, e as nuk adreson problemet e shumta të tjera ekonomike që i ka vendi. Por, në bindjen time dhe të besoj edhe të anëtarëve tjerë të Grupit Punues, Fondi ndihmon në vendosjen e një bazamenti për nisjen e një kahu tjetër zhvillimor për vendin, beneficionet e së cilës do të ndihen gjithnjë e më shumë me kalimin e kohës.Kosova nuk ka llogari të vazhdojë me gjendjen aktuale, e të mos e nisë këtë proces.

Buletini Ekonomik: A ka lidhje Fondi me hetimin e privatizimeve të deritanishme dhe me ndjekjen e rasteve të dyshimta të transaksioneve gjatë privatizimeve të aseteve vitale kosovare? Dhe, si do të kujdeset Fondi për menaxhimin e performancës financiare të aseteve strategjike dhe në ngritjen e performancës, rritjen e vlerës dhe rritjen e kthimit në investime, siç ka thënë kryeministri?

Besnik Pula: Si korporatë investuese Fondi nuk është menduar të ketë mandate të hetimit apo të ndjekjes. Këto janë çështje që mbesin nën autoritetine prokurorisë dhe të gjykatave. Sa i përket menaxhimit të aseteve, Fondi do të bëjë menaxhimin e portfolit të vet, do të ushtrojë funksionet e aksionarit, që do të thotë emërimin e bordeve të ndërmarrjeve që i ka nën posedim, do të ketë mundësi të riorganizojë asete dhe të themelojë ndërmarrje të reja, do të monitorojë performancën komerciale e financiare të ndërmarrjeve, do të asistojë në planifikimin e investimeve dhe të mbështetjes në forma tjera të ndërmarrjeve, sepse suksesi i secilës ndërmarrjeve do të jetë gjithashtu sukses i Fondit./Buletini Ekonomik

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco