Kosova importoi afër 50 milionë euro më shumë rrymë që kur ra njësia B2

Kosova importoi afër 50 milionë euro më shumë rrymë që kur ra njësia B2

17:42, 19/01/2022

Afër 50 milionë euro janë importuar më shumë energji elektrike, pasi që nga 14 dhjetori 2021 ka dalë jashtë sistemit të prodhimit njësia B2 e termocentralit “Kosova B”.

I gjithë prodhimi vendor i rrymës nga atëherë mbështetet në tri njësi të termocentralit gjysmëshekullor “Kosova A” dhe në njësinë B1 të termocentralit “Kosova B”.

Në konferencën e sotme ishte vetë kryeministri Kurti që foli për njësinë B2 të termocentralit “Kosova B”.

“Unë uroj që një orë e më parë të vihet në funksion edhe blloku B2, meqenëse me ato rreth 250 megavat kapacitet, natyrisht që ndryshon substancialisht situatën. Por, edhe një herë po them se nuk e zgjedhë, se 727 megavat sa kemi pasur kapacitet dje, plus 255 megavat bëjnë 982 megavat, nuk bëjnë asnjë giga vat. Ndërkaq, në orën 23:00 kemi pasur 1.318 gigavat shpenzim. Pra, duhet ta keni parasysh që kjo e zbutë situatën, por sërish nuk e zgjidhë, sepse konsumi është shumë i lartë”, tha sot Kurti.

Megjithatë, përllogaritja e dëmit nuk është e vështirë, shkruan Demokracia.com.

Pasi që nga 14 dhjetori e deri më sot, njësia B2 është gjithsej 36 ditë jashtë sistemit të prodhimit, nëse këto ditë i shumëzojmë me 24 orë, rezulton se 864 orë kjo njësi nuk ka prodhuar energji elektrike. Kur këto 864 orë shumëzohen me prodhimtarinë e B2 prej 250 megavat për orë, rezulton se deri më sot nuk janë prodhuar 216,000 megavat, që shumëzuar me çmimin e importit prej 220 euro për megavat, rezulton se deri më tani kemi importuar gjithsej 47,520,000 euro më shumë energji elektrike, si pasojë e daljes jashtë sistemit të njësisë B2 të termocentralit “Kosova B”.

Ndërkaq, duke mos ia shitur KESCO-s këto megavat, me nga 30 euro për megavat siç e blenë bazuar në marrëveshjen e shitjes, KEK-u ka humbur afër 6.5 milionë euro.

KEK-u, i cili nga maji i vitit të kaluar është në duart e “ekspertëve” të Qeverisë Kurti dhe është me bord e kryeshef të ri, ka thënë vazhdimisht se është duke i bërë të gjitha përpjekjet që njësinë B2 ta rikthejë në prodhim, por po bëhen më shumë se një muaj dhe ende nuk kanë arritur ta bëjnë funksionale.

Ndonëse humbjet janë shumë milionëshe, drejtuesit e ri të KEK-ut krejt shpresat i kishin te një ekspert gjerman, i cili u portretizua në publik si “shpëtimtar”, por përkundër parave të majme prej rreth 12 mijë eurove që mori për çdo ditë pune, zgjidhja ende nuk po shihet askund.

Njësia B2 e termocentralit “Kosova B” vazhdon të jetë jashtë funksionit shkaku i prishjes së turbinës më 14 dhjetor.

Për të sanuar dëmet, zyra e prokurimit të KEK-ut kishte lidhur kontratë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit, me kompaninë “GE Steam PoWer Service France Representative Office in Kosovo”. Kjo kompani është kontraktor i rregullt i KEK-ut, që merr kontrata me procedurë të negociuar edhe për rregullimin vjetor të turbinës.

Vlera e parashikimit të kontratës nga ana e KEK ka qenë 200 mijë euro, por kompania gjermane nuk ishte pajtuar më këtë shumë dhe ajo ishte rritur edhe për 48 mijë euro.

Ndryshe, ndërtimi i termocentralit “Kosova B” ka përfunduar në vitin 1983 dhe është më i ri se Kosova A.

Ky termocentral përbëhet nga dy njësi, të njohura si njësia B1 dhe B2.

Projekti dhe dizajni i këtij termocentrali ishte bërë nga një kompani evropiane, që në atë kohe quhej “Stein Industrie”. Pajisjet kryesore të këtij termocentrali janë të prodhuara po ashtu nga kompani të njohura evropiane.

Përkundër moshës, termocentralet në Kosovë vazhdojnë të jenë ndër shtyllat kryesore energjetike në vend.

Investimet e vazhdueshme në termocentrale kanë përmirësuar dukshëm gjendjen e njësive dhe kanë zvogëluar numrin e ndërprerjeve të paplanifikuara, por mosha e këtyre termocentraleve dhe pajisjeve duket se po e bën të vetën. /Demokracia.com/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco