Këto janë gjobat për mosvendosje të flamujve të origjinës

Këto janë gjobat për mosvendosje të flamujve të origjinës

16:41, 07/06/2019

Inspektorati i tregut në Kosovë ka gjobitur më shumë se 30 biznese, të cilat nuk e kanë respektuar vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për vendosjen e flamujve të origjinës së produktit,

Ky vendim, i cili ka hyrë në fuqi gjashtë muaj më parë, kishte obliguar subjektet afariste që t'i vendosin flamurin e origjinës së produktit në mënyrë që konsumatorët të njoftohen me origjinën e mallrave që blejnë.

Kryeinspektori i tregut në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Lulzim Syla, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi për vendosjen e flamujve të origjinës po respektohet në përqindje të lartë nga bizneset, porse ende ka raste kur disa subjekte afariste nuk zbatojnë një vendim të tillë.

“Vendosja e flamujve të origjinës së produktit po realizohet si proces në afër 100 për qind. Ne, gjatë javës, kemi pasur inspektime shtesë në gjithë territorin e Kosovës, kemi hasur te disa biznese që nuk i kanë vendosur flamujt dhe ne, si Inspektorat, i kemi marrë masat dhe bizneset ekonomike i kemi gjobitur. Sa i përket numrit janë mbi 30 biznese që janë dënuar dhe disa prej tyre lënda iu është dërguar në gjykatë”, thotë Syla.

Ai shton se gjoba për subjektet afariste, të cilat nuk i vendosin flamujt e origjinë së produktit apo për ndërrim të flamujve të origjinës së produktit, janë nga 1000 mijë euro deri në 20 mijë euro.

Kohë më parë Radio Evropa e Lirë kishte evidentuar një rast në një dyqan në Prishtinë kur flamuri i Kosovës ishte i vendosur te produkti, i cili ishte brend ndërkombëtar, por që prodhohet në Serbi.

Për të gjitha këto raste të tilla, Syla thotë se janë marrë veprimet e nevojshme.

“Kur kemi hasur në raste të ndryshimeve të flamujve rastet i kemi dërguar në gjykatat kompetente. Për evidentimin e rasteve të tilla jemi ndihmuar shumë nga mediet dhe konsumatorët, të cilat sapo kanë hasur në raste të tilla na kanë lajmëruar dhe ne kemi marrë masat e nevojshme”, sqaron Syla.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco