Analisti mbron Kurtin: Nuk ka faj qeveria pse u rritën çmimet

Analisti mbron Kurtin: Nuk ka faj qeveria pse u rritën çmimet

11:58, 27/10/2021

Analisti Ilir Ibrahimi ka kërkuar që të mos akuzohet qeveria për rritjen e çmimeve.

“Pajtohem plotësisht se në një ekonomi të tregut, qeveria nuk mund të ndikojë në rritjen e çmimeve. Krahasimi që i bëhet deklaratave të kryeministrit në vitin me 2014 dhe tani është jo adekuat. Personalisht, më shumë e preferoj një kryeministër që nuk ndërhyn në çmime se sa një që do ti rregullonte ato”, është shprehur Ibrahimi, shkruan Syri.net Kosova.

“Ekonomistët në mbarë botën e kanë parë inflacionin ( pra rritjen e çmimeve) si një nga sfidat e ekonomisë në periudhën post pandemike. Shumat e mëdha të parave që janë derdhur në ekonomi për ta rritur konsumin dhe ringjallur ekononominë, nuk kanë mundur të kenë efekt tjetër përveç se rritjes të çmimeve.”, vijon më tej argumentimi i Ibrahimit.

Sipas tij është shumë e vërtetë që Kosova nuk është shquar për ndonjë influks të theksuar të kapitalit në ekonomi, por duke qenë kaq e ekspozuar nga çmimet në vendet tjera, inflacioni vjen si rezultat i rritjes së tij në vendet tjera.

Kritika që po i bëhet qeverisë këto ditë duhet të jetë më e matur, ka thënë ai

“Kritika e ashpër e shtyn qeverinë (sidomos një qeveri e cila nuk ka shumë përvojë) të marrë hapa të shpejtë dhe të pamatur, të cilët zakonisht nuk janë të mirë prandaj duhet pasur kujdes.

Për shembull nëse masat që pritet të merren do të fokusohen vetëm duke dhënë ndihma për familje që të mund të përballojnë rritjen aktuale të çmimeve, efekti do të jetë i kundërt- pra çmimet do të rriten edhe më tepër”, ka shkruar Ilir Ibrahimi në Facebook.

Ai ka propozuar që qeveria të fillojë një dialog të mirëfilltë me sektorin privat, duke përfshirë njohësit më të mirë të ekonomisë në vend dhe të analizojë me hollësi se ku do të duhej të intervenohej dhe cilat masa do të kishin efektin më të mirë.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco