Murati: Fokusi i Qeverisë do të jetë në rikthimin e vendeve të humbura

Murati: Fokusi i Qeverisë do të jetë në rikthimin e vendeve të humbura

23:16, 12/05/2021

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se fokusi i Qeverisë “Kurti II” për këtë vit do të jetë në rikthimin e vendeve të humbura dhe krijimin e vendeve të reja të punës, e kësisoj edhe rikthimin e ekonomisë e cila ka pësuar rënie si pasojë e pandemisë me COVID-19.

Murati ka thënë në “Desku” të KTV-së se lidhur me masat të cilat janë paraparë në programin qeverisës 2021-2024, nuk mund të thuhet se kur do të zbatohen saktë dhe sa do të ketë implikime buxhetore, për shkak të pasigurisë fiskale si pasojë e gjendjes me koronavirus.

“Është vështirë të thuhet se kur do të fillojë së zbatuari secila masë, pasi kemi pasiguri fiskale për shkak të situatës ku ndodhemi. Për çdo masë, me kohë duhet të bëhet dizajnimi konkret, të ketë ndryshime të bazës ligjore dhe të krijohet hapësira fiskale. Ne kemi bërë përllogaritje për të gjitha. Këtë vit fokusi do të jetë në një shtytje të madhe sa i përket zhvillimit ekonomik dhe rikthimit të njerëzve në vendet e punës dhe rritjen e vendeve të punës. Me rënien e numrit të rasteve pozitive dhe ardhjen e vaksinave, po besoj që mund të hyjmë në verë më të përgatitur dhe më të sigurtë, shto këtu edhe ndikimin e mërgatës e cila me siguri do të vijë e vaksinuare dhe kështu mund t’i kthehemi normalitetit në vend. Kjo do të na mundësojë që të rishikojmë mundësitë buxhetore”, ka thënë Murati.

Ai ka thënë se nuk është ideja vetëm krijimi i vendeve të punës por edhe zhvillimi dhe barazia.

“Nuk është ideja vetëm të krijohet një vend pune, por të mundësohet një zhvillim dhe një barazi që në start, që nga fëmijëria për të gjithë, ashtu që secili të ketë mundësi të barabarta që të mund të aftësohet për tregun e punës dhe në fund ta gjejë një punë dhe te jetë një qytetar që kontribuon për zhvillimin e punës. Fokusi kryesisht i subjekteve politike dhe qeverive të kaluara ka qenë shtimi i skemave aty ku ka pas votues, për fëmijë pak kush është interesuar sepse fëmijët nuk votojnë. Qasja jonë është zhvillim i qëndrueshëm afatgjatë”, është shprehur ministri Murati.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco