Murati: Rimëkëmbja ekonomike do të fokusohet në punësim, rritje të fuqisë blerëse dhe formalizim të ekonomisë

Murati: Rimëkëmbja ekonomike do të fokusohet në punësim, rritje të fuqisë blerëse dhe formalizim të ekonomisë

17:30, 07/05/2021

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, këtë të premte gjatë prezantimit të Planit të Qeverisë, ka thënë se rimëkëmbja ekonomike do të fokusohet në disa pika kryesore siç janë punësimi, rritja e fuqisë blerëse, angazhimi i mërgatës si dhe formalizimi i ekonomisë.

Sipas Muratit, rritja e fuqisë blerëse do të fokusohet në zgjerimin e skemës sociale, ashtu që të bëhet një vlerësim në bazë të nevojës, shtesat për fëmijë, rritja e pagës minimale, rritjen e likuiditetit në amvisëri, pagesat për lehonat deri në 250 euro për ato që janë të papuna.

Sa i përket çështjes së prodhimit dhe eksportit, Murati ka thënë se do ta përdorin moton që të blihet sa më shumë prodhime vendore.

“Do të angazhohemi që t’i mbështesim prodhuesit tanë në rritje të kapaciteteve njerëzore, pra shkollim dhe edukim të menaxhmentit.”

Tek punësimi, Murati ka pohuar se do të ketë masa mbështetëse për ata që kanë humbur punën dhe fokus të veçantë do të kenë gratë.

“Tek punësimi do të ketë masa mbështetëse për ata që e kanë humbur punën, dhe për ata që do të hyjnë në punë për herë të parë, këtu duhet shtuar edhe punësimin e grave, prandaj fokus të veçantë do të kenë gratë që kanë biznese”.

Angazhimin e mërgatës si faktor kyç në zhvillim ekonomik, sipas Muratit, do të bëhet duke u kanalizuar investimet që kanë kuptim dhe jo më vetëm në konsum dhe patundshmëri.

“Parashohim që kapitali i mërgatës i cili deri tash ka shkuar në konsum dhe blerje të patundshmërive tani të mund të kanalizohet në investime që kanë kuptim dhe kjo mund të bëhet duke krijuar instrumente ku ata mund të investojnë dhe janë të tregtueshme e njëra prej tyre është edhe bonothesari”.

Ndërsa, sipas Muratit, formalizimi i ekonomisë krijon barabarësi, që nënkupton kontratë për punëtorët dhe dinjitet për ta.

“Formalizimi i ekonomisë fillimisht krijon barabarësi, e kjo ndikon edhe në rritje të të hyrave të vendit e kjo e ka edhe efektin anësor, formalizimi nënkupton kontratë për punëtorit dhe dinjitet”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco