Mijëra biznese falimentuan/ Salianji: Klima do ndryshojë pas 25 prillit, përmes sistemit të ri të taksave

Mijëra biznese falimentuan/ Salianji: Klima do ndryshojë pas 25 prillit, përmes sistemit të ri të taksave

17:33, 23/02/2021

Shoqatat e Biznesit japin alarmin se mijëra aktivitete private po falimentojnë për shkak të taksave të larta dhe mungesës së ndihmës nga qeveria përgjatë pandemisë. 

Ish-deputeti i Partisë Demokratike në qarkun e Korçës, Ervin Salianji në një takim me përfaqësues të biznesit ku merrnin pjesë edhe kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, Albert Nasto dhe nënkryetari i kësaj shoqate, Bujar Muço, kujtoi se si ka reaguar qeveria ndaj shqetësimeve dhe pretendimeve të këtij sektori kyç të ekonomisë.

“Qeveria me kërbaç i ka nxirë jetën në pjesën më të madhe biznesit. Padiskutim që reagimet kanë rënë në vesh të shurdhët. Që nga mbyllja e qepenave në një periudhë të caktuar, që nga protestat, apo nga format e ndryshme të reagimit. Qeveria nuk ka pasur asnjë formë reagimi sepse mendon se votat nuk merren me program dhe nuk merren me bilance. Kjo qeveri që ka dy mandate nuk mund të ketë më program, kjo ka bilanc. Programin e ka partia që do të vijë në pushtet, që është PD dhe opozita e bashkuar. Qeveria në këto 8 vite dhe këtu nuk besoj se ka socialistë apo demokratë sepse i gjithë biznesi njësoj si e gjithë Shqipëria kanë vuajtur më shumë. Janë marrë taksa më shumë. I është rritur çmimi i energjisë elektrike. Është rritur pagesa për kontributet shoqërore, tani së fundmi u rritën edhe më shumë. Janë rritur taksat vendore në mënyrë të pakuptueshme, duke mos marrë asnjë shërbim”, tha Salianji.

Për ish-deputetin demokrat, klima e biznesit do të ndryshojë pas 25 prillit, përmes vendosjes në zbatim të planit ekonomik dhe sistemit të ri të taksave që do të aplikojë Partia Demokratike.

“Ne kemi program konkret të marrë edhe nga shoqata, por edhe nga një studim i mirfilltë i ekspertëve të PD,  ku ne mendojmë që duke ulur taksën për biznesin e madh 9%, duke vendosur taksën 0.5% për biznesin e vogël dhe duke vendosur një pullë tek dera që të mos hyjnë 100 inspektorë tek dera që të mos bëjnë më pronarë se vetë pronarët. Duke ndjekur të njëjtin parim për uljen e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Për të patur jo 100 taksa siç është sot. Edhe taksat vendore do të jenë të përfshira gjitha tek taksa 0.5%”, theksoi Salianji.

Kreu i Shoqatës Biznesi i Vogël dhe i Mesëm, Albert Nasto deklaroi se të gjithë politikat e ndjekura nga qeveria kanë pasur për qëllim të dëmtojnë biznesin e vogël dhe të mesëm.

“Kjo qeveri nuk na ka dashur. Ky kryeministër nuk na ka dashur dhe vazhdon të mos na dojë dhe vazhdon të na shkatërrojë. Janë mbyllur gjatë pandemisë, po e themi troç, janë mbyllur 40 MIJE BIZNESE në Shqipëri. Dhe janë mbyllur 40% e biznesit të Bashkisë dhe qarkut të Korçës”, deklaroi Nasto.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco