Pandemia ua zbeh 'tallin' milionësh partive jotransparente në prag të zgjedhjeve

Pandemia ua zbeh 'tallin' milionësh partive jotransparente në prag të zgjedhjeve

13:12, 05/01/2021 Nga Dardan Gashi

Transparenca e partive politike në fushën e financave të tyre, veçmas pjesa e donacioneve që ato marrin, sidomos gjatë fushatave zgjedhore, vazhdon të jetë pjesa më e errët e funksionit të tyre dhe pa informacione në raport me qytetarin.

Kjo dukuri vazhdoi ishte evidente edhe gjatë fushatës zgjedhore të viti 2019 për zgjedhjet e 6 tetorit.

Si partia e fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, në atë kohë në raportin financiar te Fushatës Zgjedhore, ishte e vetmja e cila publikoi në tërësi të gjitha donacionet që i erdhën asaj.

VV në atë kohë kishte shpenzuar 451 mijë e 979 euro për periudhën 22 gusht deri 6 tetor 2019.

Image

 

Ndryshe nga VV, nga LDK shpenzimet për fushatë u bënë pothujase të gjitha nga “Të hyrat nga buxheti” ndërsa nga donacionet u deklarua se pranuan vetëm 196.30 euro në total.

LDK nga 25 shtatori deri me 6 tetor kishte shpenzuar  735 mijë e 541 euro në total.

Image

Për dallim nga VV dhe LDK, Partia Demokratike e Kosovës, ishte partia e cila nuk deklaroi asnjë donacion nga jashtë, ani se në total për fushatë zgjedhore shpenzoi hiç më pak se 316 mijë e 346 euro, ose përgjysmë më pak se LDK.

Image

 

Shpenzime përafërsisht të njëjta pati edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila shpenzoi 346 mijë  e 544 euro, mirëpo, të vetmin donacion që e deklaroi ishte ai Smajl Latifit në vlerë 150 euro.

Image

Jotransparenca rreth financimit të partive politike dhe donacioneve gjatë fushatës zgjedhore shpeshherë ka ngjallur debat në publik, pasi ka shumë pak informacion se nga sigurohen këto fonde.

Për më tepër, ndër vite u raportua se këta donatorë u shpërblyen me tender menjëherë pas ardhjes në pushtet të secilës parti.

Por, ndryshe nga vitet tjera, për zgjedhjet e vitit 2021 këto biznese tani po përballen me një problem  tjetër, atë të situatës financiare të rënduar shkaku i pasojave që shkaktoi pandemia e koronavirusit, e cila preku pothujase secilin biznes kosovar, duke iu shkaktuar humbje milionëshe.

Syri.net Kosova ka provuar të marrë një qëndrim nga donatorët, që ndërvite u raportua se janë pjesë e financimit të fushatave zgjedhore, mirëpo, të njëjtit kanë hezituar të deklarohen për këtë temë.

Emir Abrashi nga Demokraci Plus, për Syri.net Kosova thotë se partitë do të kenë rënie të të hyrave, sidomos nga donacionet që vijnë nga bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat edhe janë prekur më shumë nga situata me pandeminë, por edhe nga fondet e anëtarësisë.

Mirëpo, sipas tij, meqenëse edhe fushata sivjet do të jetë më ndryshe, me gjithë masat për mbrojtje nga COVID-19, si dhe duket që fushata sivjet do të jetë më e shkurtër se rëndom, kjo rënie nuk do të vërehet shumë në shpenzimet e partive politike.

“Organizimet me pjesëmarrje fizike do të zvogëlohen; një pjesë e madhe do të barten në forume virtuale, dhe për rrjedhojë partitë do të kenë më pak shpenzime. Prandaj, mendoj që rënie do të ketë në të hyrat e partive, por mënyra se si do të zhvillohet fushata në këto zgjedhje do të jetë më ndryshe, e për këtë arsye edhe nuk do të vërehen këto mungesa në të hyra” shton ai.

 

Tutje, ai thotë se janë të vetëdijshëm që partitë politike nuk janë transparente me listat e donatorëve të tyre.

Ai vlerëson se pavarësisht situatës së krijuar, marrë parasysh faktin që shumica e donatorëve “sekret” të partive politike janë nga bizneset e mëdha, nuk do të ketë rënie shumë të madhe.

Tash, kur edhe po përballemi me një pandemi e cila ka shkaktuar dëme të mëdha në të hyrat e bizneseve, do të vërehet një rënie në të hyrat e partive politike, dhe rrjedhimisht edhe në shpenzimet e tyre. Mirëpo, marrë parasysh faktin që shumica e donatorëve “sekret” të partive politike janë nga bizneset e mëdha, unë nuk besoj se do të ketë ndonjë rënie shumë të madhe në donacionet e partive, pasi që bizneset e mëdha në Kosovë kryesisht kanë vazhduar punën gjatë gjithë pandemisë dhe nuk kanë pasur humbje edhe aq të mëdha, si dhe këto biznese janë të lidhura ngushtë me politikën, mendoj se do të jetë në interes të tyre që të shpenzojnë para, me shpresën që më pas ato para do t’ju rikthehen në formë të favoreve që politika i bën karshi tyre.

 

Abrashi ka sqaruar se si shkon edhe procedura e pranimit të donacioneve nga partitë politike.

 

Çështja e financimit të subjekteve politike në Kosovë është e rregulluar me Ligjin nr. 03/L-174 për Financimin e Subjekteve Politike, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-058 të vitit 2011 dhe Ligjin me nr.04/L-212 të vitit 2013. 

Subjektet politike, burimet financiare dhe materiale i marrin nga kuotat e anëtarësisë, kontributet, nga buxheti i Republikës së Kosovës, si dhe të ardhurat nga aktivitetet e subjektit politik, përfshirë pasuritë tjera të fituara siç parasheh ligji. Pra, shohim se kemi të bëjmë me financim privat dhe publik të partive politike. Kontributet që subjektet politike i arkëtojnë nga personat fizikë, nuk duhet të kenë vlerë më të madhe se 2.000 euro për një vit kalendarik. Ndërsa donacionet nga personat juridikë, nuk duhet të kalojnë vlerën prej 10.000 euro për një vit kalendarik.

 

 

Ndërsa, analisti Xhevdet Pozhari, për Syri.net Kosova thotë se partitë jo vetëm që kanë mospublikim të listës së donatorëve, por ka edhe deklarime paushalle të pasurisë që asnjeherë askush nuk i hetoi.

 

“Në shoqëri kemi divergjenca të thella që të lënë të nënkuptojnë se në këtë vend shumeçka është zhvendosur dhe se gjithcka thuajse duhet të nis nga e para, gradualisht, si një ristartim i kompjuterit.

 

Ai vlerëson se tregu në Kosovë ngjanë në një "xhungël" ku vlen rregulli i vetëm: fiton më i forti. Kjo sipas tij, ka ndikuar që lidhjet parti-biznes të jenë të ndërlidhura pashmangshëm njëra me tjetrën.

 

“Principi fundamental i çdo përpjekjeve tregtare është ruajtja e investimeve. Në Kosove ku grupet e biznes interesave janë të nderlidhura ngushtë me partitë politike në pushtet, është e pashmangshme që investimet të vazhdojnë dhe të përkthehen në dobi të dyanshme. Kemi pasur shembuj të shumtë të monopolizimeve.. Këtë e vërteton edhe fakti se kemi pasur thuaje raportime të përditshme për keqpërdorime të tenderëve nga njerëz të politikes. Madje, është raportuar edhe për raste kur vetë firma e ministrit ka fituar tendere.

 

Tutje, ai thekson se përtej investimeve që janë të  nënkuptueshme, sot e kësaj dite në Kosovë ekziston zinxhiri kontrollues, duke nisur nga kontrollimi i resurseve që çojnë në përshtatjen e kritereve për kompani dhe individë të caktuar, për të fituar avantazh në raport me të tjerët, rrjedhimisht ajo që njihet si kapje e shtetit.

Ndryshe, zyrtarisht rreth 3. 7 milionë euro kanë shpenzuar gjashtë subjektet më të mëdha politike në Kosovë gjatë vitit të kaluar.

Kështu së paku thuhet në raportet e tyre financiare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Në bazë të raportit, PDK-ja ka shpenzuar më shumë se 1.3 milion euro, pasuar nga LDK-ja me 1.3 milion euro, Lëvizja Vetëvendosje 1.1 milion euro, AAK-ja 601 mijë euro, Nisma Socialdemokrate me 261 mijë euro të shpenzuara dhe 260 mijë euro Lista Serbe, ani se  vazhdimisht u dyshua se kjo vlerë është  disa herë më e lartë, pasi partitë politike në Kosovë, në raportet financiare kanë deklaruar vetëm shpenzimet e bazuara nga të hyrat e buxhetit të Kosovës.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco