Rimëkëmbja e bllokuar në prag të një dimri të frikshëm për ekonominë kosovare

Rimëkëmbja e bllokuar në prag të një dimri të frikshëm për ekonominë kosovare

12:36, 24/11/2020

Pasojat ekonomike nga pandemia e koronavirusit në vazhdimësi. po parashikohen se do të jenë të mëdha.

Por, kjo situatë nuk po cilësohet alarmante nga Qeveria e Kosovës!

Gjashtë muaj nga paraqitja e parë, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, nuk po ia del ta votojë në lexim të dytë Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, ani se shtetet e rajonit tashmë veçse kanë aplikuar mbi tre pako të tilla.

Për këtë Qeveri, më e rëndësishme po del të jetë ‘shëndeti’ i karrikave të pushtetit, sesa shëndeti i ekonomisë kosovare.

Situata politike e krijuar pas ngritjes së aktakuzave ndaj presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale, i cili la të lire postin, ka vënë në plan të parë pazaret politike, se kush do të zë vendin e presidentit, përfshirjen e partnerëve tjerë në koalicion, rënien e mundshme të qeverisë, shkuarjen në zgjedhje, derisa ekonomia kosovare dita-ditës po e vazhdon rënien e lirë, deri në kolaps.

Kjo pasi, Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili numëron dhjetëra dështime për t'u votuar në kuvend, tash e sa kohë është lënë anash dhe për të njëjtin nuk është bërë përpjekje të sigurohen votat, pavarësisht se parashikimet e institucioneve financiare ndërkombëtare kanë parashikuar në rastin më të keq: Rënie ekonomike në vlera dyshifrore!

Njohësit e ekonomisë vlerësojnë se qeveria e ka lënë anash këtë ligj, pasi e din që nuk i ka votat, ndërsa, fajin e zhvendos kinse tek opozita.

Profesori, Bashkim Nurboja për Syri.net Kosova, thotë se Ligji i Rimëkëmbjes Ekonomike nuk ka qenë ligj për rimëkëmbje,sepse, masat e parapara, nuk i sheh me ndonjë efekt në ekonomi.

“Kjo qeveri nga fillimi nuk ka pasur votat e nevojshme për të shtyrë asnjë ligj. Arsyeja që qeveria e ka lënë anash këtë ligj është se e din që nuk i ka votat e mjaftueshme dhe tash arsyetohet duke e zhvendos fajin kinse tek opozita. Problemi kryesor është që qeveria as nuk po mundet me ndikuar në numrin e të infektuarve me COVID19, e as në rimëkëmbjen ekonomike”

 

Nurboja vlerëson se pasojat e vonesave, qytetarët janë duke i përjetuar edhe tani dhe këto pasoja do të rriten me kohë, deri sa nuk ndërmerren masat e përshtatshme, të cilat mund të ndikojnë në kërkesën agregate.

“Papunësia gjatë dimrit do të rritet shumë për arsye se fuqia blerëse ka ra shumë dhe si rezultat firmat kanë me u detyruar me i ulë shpenzimet, e këtë më së lehti e bëjnë duke i larguar njerëzit nga puna, kjo pastaj do të ketë efekt spiral për të poshtë. Tjetra, me këtë pasiguri në treg, ndjeshmëria ndaj investimeve është rritur dhe firmat i kanë ndal çfarëdo investimi duke pritur se çka do të ndodh me pandeminë. Kjo tregon që ekonomia në përgjithësi është në gjendje letargjie derisa çdo vit në treg të punës hyn mbi 20 mijë të ri, të cilët do të bëhen barrë shtesë për ekonominë në përgjithësi”

Profesori shton se Qeveria në mënyrë urgjente duhet të merr masa për të rritur kërkesën agregate.

“Kjo vjen duke  rritur qasjen në financa, të qytetarëve dhe firmave, duke marr borxhe dhe rritur investimet kapitale që i shërbejnë ekonomisë (jo asfalte), duke rritur efiçiencen e shpenzimeve operative të qeverisë dhe duke alokuar më shumë para për shtresat e varfëra, 4. rritje në investimet në arsim, 5. lehtësime fiskale për investimet e firmave në kapacitete prodhuese etj”

Ai thekson se nëse qeveria nuk ndërmerr hapa të shpejtë në këtë drejtim, pasojat e varfërisë do të jenë të mëdha, që ndoshta mund të rrezikojnë edhe rendin shoqëror gjatë vitit 2021.

Ndërsa, njohësi i ekonomisë, Jakup Bellaqa, për Syri.net thotë se mosmiratimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, nga ana e ligjvënesve do te ketë pasoja socio-ekonomike dhe do te ketë rënie ekonomike edhe vitin e ardhshem, pasi dihet se rreth tridhjetë mijë vende të punës veç janë zvogëluar dhe ky trend do të rritej edhe vitin 2021.

Sipas tij, nëse do të miratohej ky ligj, me siguri do të realizohej projeksioni i planifikuar i Ekzekutivit se do te këtë rritje ekonomike prej 4.2 %.

 “Rrjedhimisht do te duhej të merrej masa në dy aspekte: a) Kategorit sociale si dhe b) Bizneset dhe puntorët që janë të punësuar, në mënyrë që mos të falimentojnë bizneset, sidomos mikro ekonomitë si dhe ndërmarrjet e vogla, sa ma shpejt që vepron shteti, pasojat do të ishin më të vogla dhe më të përballueshme.”

 

Ndërsa, i pyetur se kur do hidhet në votim Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike, Shefi i grupit parlamentar i LDK-së, Arben Gashi për media ka thënë se një seancë e jashtëzakonshme do të thirret  gjatë javës së ardhshme.

“Seanca e jashtëzakonshme është e thirrur, por, besoj që do të aktivizohet gjatë javës së ardhshme. Nëse do të jemi në rregull, pasi ka disa deputetë që janë me COVID-19 dhe ka përpjekje që ta mundësojnë me thirrë seancën”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, më 11 nëntor ishte hera e fundit kur dështoi të zhvillohej seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku pritej të diskutohej në lexim të dytë Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike. Kjo, për shkak të mungesës së kuorumit.

Kujtojmë se Kuvendi me 12 tetor kishte miratuar në parim Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike COVID-19.

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco