Shkaku i pandemisë bien kërkesat për kredi ndërsa rriten kursimet nëpër bankat kosovare

Shkaku i pandemisë bien kërkesat për kredi ndërsa rriten kursimet nëpër bankat kosovare

12:23, 03/11/2020

Pas shfaqjes së pandemisë COVID-19 në Kosovë, Qeveria kufizoi lëvizjen e qytetarëve dhe urdhëroi mbylljen e pjesës dërmuese të ekonomisë për më shumë se dy muaj.

Masat parandaluese të përhapjes së pandemisë shkaktuan rënien më të lartë të prodhimit vendor që nga paslufta duke bërë Bruto Produktin Vendor (BPV) të bie për 9.28 përqind në tremujorin e dytë.

Kështu thuhet në raportin e fundit të publikuar nga Instituti GAP.

Në këtë raport paraqitet ecuria e komponentëve kryesor që përbëjnë BPV-në dhe indikatorët tjerë makroekonomik në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020 (janar-qershor) me qëllim që të pasqyrojë ndikimin e kësaj krize në gjithë sektorët ekonomik të vendit.

Të gjeturat kryesore të këtij raporti janë:

• Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti shpenzimet e brendshme pësuan ndryshime të mëdha. Konsumi shtëpiak u orientua kryesisht në produkte bazike, si ushqimi dhe shërbimet publike (ujë dhe energji elektrike), ndërkaq bizneset shpenzuan më shumë në digjitalizimin e shërbimeve për të operuar gjatë pandemisë.

• Aktivitetet ekonomike që performuan më së miri janë: industria nxjerrëse, përpunuese, energjia elektrike dhe furnizimi me ujë të cilat në tremujorin e dytë u rritën për 19.8 përqind dhe informacioni dhe komunikimi për 29.6 përqind.

• Ndërkohë, rënie të të hyrave patën të gjitha industritë e tjera. Ndër më të lartat ishin në industrinë e ndërtimit me -47.08 përqind, dhe tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor -24.4 përqind.

.• Gjatë gjatshtëmujorit të parë të këtij viti industritë deklaruan rreth 584 milionë euro ose 11 përqind më pak qarkullim në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) se në periudhën e njëtë të vitit paraprak.

• Në anën tjetër për të lehtësuar barrën financiare, pas fillimit të masave kufizuese, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) bashkë me institucionet kredituese ofruan mundësinë e shtyrjes së afatit të pagesave të kësteve të kredisë për tre muaj, e më pas mundësinë e aplikimit për ristrukturim të tyre.

• Qeveria e Kosovës aprovoi pakon e parë “emergjente fiskale” me vlerë prej 190 milionë euro dhe propozoi riorientimin e disa shpenzime buxhetore nga kategoria e shpenzimeve kapitale në kategorinë e pagave, transfereve dhe subvencioneve. Megjithatë, kjo pako nuk arriti të implementohej në tërësi në tremujorin dytë dhe si rezultat shumë qytetarë dhe biznese nuk morën ndihmën në kohën e duhur.

• Shpenzimet publike më 2020 u rritën për 18.8 milionë euro ose rreth 2 përqind, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2019. Ndërkaq të hyrat buxhetore shënuan rënie në gjitha kategoritë. Reduktimi i të hyrave buxhetore ndërlidhet me performancën e dobët të sektorit privat dhe rënien e kërkesës agregate.

• Kjo periudhë kohore u shoqërua me rënie të kredive të reja dhe ngritje të depozitave bankare, ku depozitat arritën vlerën rekorde prej afër 4 miliardë euro. Këto dy dukuri pasqyrojnë rënien e kërkesës së përgjithshme në gjashtëmujorin e parë.

• Aspektet tjera që zvogëluan ekonominë gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti ishin rënia e eksporteve të shërbimeve, veçanërisht atyre të transportit, që ndërlidhet me kufizimin e qarkullimit ndërkufitar dhe mos-ardhjes së diasporës. 

Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco