Qeveria e Avdullah Hotit ua jep 'grushtin' e fundit ndërmarrjeve publike me humbje milionëshe

Qeveria e Avdullah Hotit ua jep 'grushtin' e fundit ndërmarrjeve publike me humbje milionëshe

12:47, 20/10/2020 Nga Dardan Gashi

Ndërmarrjet Publike në Kosovë, tash e sa vjet po vazhdojnë të përballen me telashe të mëdha sa i përket funksionimit.

Nga Zyra e Auditorit, ditë më parë u raportua se nga 14 ndërmarrje publike që janë audituar, 13 prej tyre janë detyruar të japin opinione negative, ndërsa, 6 prej tyre kanë rreth 30 milionë euro borxhe të pashlyera dhe operojnë më humbje.

Ani se në Kosovë që nga paslufta u ndërruan shtatë legjislatura, situata me këto ndërmarrje nuk e ka në plan të përmirësohet.

Kjo pasi, në këto ndërmarrje, po vazhdon avazi i vjetër, ai i emërimit të njerëzve të afërt me politikën në krye të bordeve të këtyre ndërmarrjeve, pavarësisht se ndërvite për këtë dukuri kishin reaguar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, ambasada e Gjermanisë dhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

E politizimit të bordeve nuk i është shmangur as Qeveria Hoti.

Qeveria në krye me Avdullah Hotin në mbledhjen e 7 tetorit, miratoi vendimin përmes të cilit iu vazhdua mandati si anëtar i bordit të Autoritetit të Aviacionit Civil, Ardian Gaxherrit, djalit të deputetës së LDK-së Besa Gaxherri.

Anëtare e bordit të Autoritetit të Aviacionit Civil është emëruar edhe Myzejene Selmani nga Aleanca Kosova e Re, dikur zëvëndësministre nga kjo parti.

Qeveria Hoti nuk u ndal me kaq, pasi në mbledhjen e 19 tetorit mori vendim që në Bordin e Përkohshëm të ndërmarrjes ‘Trepça’ të rikthej si anëtar, Esat Pecin, i cili ishte shkarkuar nga Qeveria Kurti.

Peci ka qenë ish-asamblisti AAK-së në Mitrovicë, dhe ishte futur në Bordin e Trepçës pikërisht në kohën e Qeverisë Haradinaj.

Tutje, në të njëjtën ditë që zhbëri Task-Forcën kundër korrupsionit, Hoti i rikapi me militantë partiakë edhe bordet e dy ndërmarrjeve tjera publike, atë të Postës së Kosovës dhe Infrakosit, duke emëruar Brahim Selimaj - drejtor në Infrakos (LDK), Fadil Aliu - anëtar bordi në Posta e Kosovës (LDK),Ujkan Kameraj - anëtar bordi në Posta e Kosovës (PLE) dhe Elda Maloku nga NISMA, anëtare në borin e PTK-së.

Fenomeni i politizimit të bordeve të ndërmarrjeve publike, nga analistët, vlerësohet se ka ndikuar në përkeqësimin e performancës së këtyre ndërmarrjeve.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, për Syri.net Kosova thotë se emërimet e fundit të anëtarëve të bordeve të ndermarjeve publike e dëshmojnë më së miri faktin se avazi i vjetër i politizimit të bordeve vazhdon dhe ndërrohet vetëm struktura partiake.

Sipas tij, kjo dukuri po e dëmton shumë Kosovën.

“Është një dukuri aq negative sa e dëmton Kosoven në shumë aspekte qoftë në atë politik, ekonomik e në veçanti psikologjik, sepse të rinjtë e edukuar mendojnë se duhet te jesh pjesë e krimit dhe anëtare të partive politike në qofse mendon në punësim apo në kontribut në interes të shtetit. Është një degradim i vlerave dhe grusht vlerave të dijenisë. “

Gërxhaliu, shton se në vend që këto ndërmarrje të jenë në mbështetje të shtetit, ato sot janë barrë e rëndë e vendit.

“Me njerëz të paditur, pa dinjitet dhe servil ndaj politikës nuk ecën shteti para dhe nuk mund të rimëkëmben ndërmarjet publike” ka thënë ai.

Ndërsa, analisti Xhevdet Pozhari, për Syri.net Kosova thotë se në përgjithësi, ndryshimet e krerëve në pozita udhëheqëse janë avaz i vjetër i secilës qeveri të cilat këto shkarkime i justifikojnë me performancën e dobët apo edhe me premtimin për ndryshime.

“Në thelb, ato janë veç hapësira që krijohen për të akomoduar militantë të besueshëm të partisë. Bie fjala, jo shumë kohë më parë në krye të inspektoriatit të policisë u emërua djali i një prej asambleistëve të LDK-së të kuvendit komunal në Prizren”

Sipas tij, këto veprime më shumë se shtetndërtuese, ashtu siç përpiqen t'i paraqesin qeveritarët tanë pa dallim, janë në thelb shtetrrënuese ngaqë shtyllat shtetërore iu besohen vetëm atyre që profesionalizmin e kanë të "vulosur" nga zyret a partive.

“Pra, në një shtet ku libreza partiake është më e mbivlerësuar sesa secili kualifikim profesional, emrat e përveçëm janë vetëm marioneta në shërbim të pazareve që dirigjohen nga zyra e kryeministrit për të ngopur apetitet e partive në pushtet”

Ekonomisti Jakup Bellaqa, për Syri.net Kosova, thotë se politizimi i ndërmarrjeve publike nuk do të duhej të bëhej, sepse me politizimin e ndërmarrjeve, atyre do të iu mungojnë profesionistët dhe do të punësohen militantët e partive politike.

“Ne jemi ekonomi e vogël dhe shoqëri e vogël, kjo ndikon që që edhe ata eksperta të fushave të ndryshme apo kushtimisht, kapitali njerëzor do të vazhdonte të eksportohej nga jashtë dhe Kosova do të mbetej pa ekspeta të mirëfilltë që mund të kontribonin për ketë vend dhe për ketë shoqeri.

Ai shtoi se çdo ndërmarrje që të ketë produktivitet, ekonomizim dhe efikasitet, kjo bëhet nga njerëzit profesionistë dhe që kanë mundësi të bëjnë ekspertize të caktuar.

E pas emërimeve të fundit të bordeve të ndërmarrjeve të rëndësishme si Trepça, Infrakos dhe Posta e Kosovës, ku janë caktuar individë të cilët kanë garuar për poste publike nën logon e LDK-së dhe AAK-së, ka reaguar edhe Instituti Demokratik i Kosovës.

“Ne vlerësojmë që vendosja e individëve me prapavijë partiake në pozita të përkohshme në këto borde, pa respektuar procedurat e konkursit publik, është në kundërshtim me ligjet e këtyre ndërmarrjeve publike dhe në kundërshtim me premtimin kryesor që bordet do të çkapen nga politika e do të jenë profesionale, të pavarura dhe me integritet” thuhet në reagimin e tyre.

Ndryshe, vendet më të preferuara për punësim në Kosovë vazhdojnë të mbesin bordet e ndërmarrjeve publike, për shkak të vlerës së lartë të pagave dhe përfitimeve të tjera.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco