Maqedonia me pakon e katërt, Kosova ende përpëlitet te e para

Maqedonia me pakon e katërt, Kosova ende përpëlitet te e para

10:48, 28/09/2020 Nga Dardan Gashi

Kriza e vazhdueshme e konsumit, humbja e vendeve të punës, mbyllja e bizneseve dhe mungesa e investimeve, shkaku i pandemisë së koronavirusit, janë indikatorët se në Kosovë as që ka filluar të mendohet, e le më të sanohet kriza e krijuar nga Covid-19.

Ani pse gjatë këtyre muajve u fol shumë për rimëkëmbje ekonomike, një gjë e tillë në realitet duket se është shumë larg.

Kjo pasi, me ndërrimin e pushteteve, rënien e qeverisë Kurti dhe ardhjen e asaj Hoti, e vetmja ndihmë direkte që iu ofrua qytetarëve dhe bizneseve mbetet Pakoja Emergjente, projekt i nisur nga Qeveria Kurti, i cili ende nuk është finalizuar nga qeveria aktuale.

Për më tepër, qeveria aktuale ende nuk ka arritur ta votojë në Kuvend, as Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

E sipas të dhënave të Administratës Tatimore, të bizneset në Kosovë kanë pasur afër 900 milionë euro më pak qarkullim gjatë periudhës mars-korrik, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Derisa Qeveria e Kosovës është në “ gjumë”, janë vendet e rajonit ato të cilat i kanë dal në krah qytetarit dhe bizneseve.

Shembulli konkret është fqinji ynë, Maqedonia e Veriut e cila ditët e fundit aprovoi pakon e katërt financiare në ndihmë të ekonomisë

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, për Syri.net Kosova thotë se Kosova në këtë kohë pandemie, duhet ta ketë model Maqedoninë e Veriut se si duhet të veprohet për ekonomi dhe jo të flitet për të.

“ Maqedonia e Veriut duhet të jetë model se si duhet të veprohet për ekonomi dhe jo të flitet për të. Kompania Jonson Mathey në Maqedoni kohëve të fundit ka arritur eksportin në mbi 2 miliardë euro, që është një indikator mjaft pozitiv. MAGNA Mirror Group nga Kanada e vendosur në Maqedoni është një nder investitorët me serioz që është aktive në 28 shtete me 170 mijë të punësuar dhe tani është e pranishme edhe ne Maqedoni, me një numër të konsiderueshëm të investimeve dhe të punësuarve. Kompania Draxlmaier nga Gjermania e vendosur në Kavadarci të Maqedonisë ka më tepër se 9 000 të punësuar dhe planifikon zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe punësimin e afër 3 000 punëtorëve të rijnë. Kur krejt kësaj i shtohet edhe prania e kompanive nga Polonia dhe Çekia, si bartje e prodhimit dhe shërbimeve në Maqedoninë e Veriut e dëshmon faktin se sa me seriozitet i qasen zhvillimit ekonomik vendet e rajonit e në veçanti një shtet fqinj siç është Maqedonia e Veriut.

Gërxhaliu shton se është koha kur në Kosovë ekonomia duhet të depolitizohet, ekspertiza shkencore duhet të vijë në pah dhe jo gjithmonë serviliteti dhe jomeritokracia të jenë mundësi për punësim pa llogaritur demin që i bëhet vendit.

“Mbështetja e sektorit privat në Maqedoninë e Veriut në tërësi është mbi 1,2 miliardë euro dhe angazhimi për eliminim te barrierave qoftë tarifore apo jo tarifore është një garë për shtet dhe në interesat e shtetit. Të mësojmë nga përvojat e vendeve të suksesshme në luftë kundër pandemisë dhe në mbështetje të ekonomisë së vendit nuk është dobësi por është mundësi” shton ai.

Tutje, ai shton se derisa vendet e rajonit dhe me gjerë bëjnë gara për të gjetur burime financiare, mjete dhe lehtësira ligjore për të mbështetur ekonominë dhe qytetarët e tyre, në Kosovë ne emër të patriotizmit inekzistent, bllokohet çdo iniciativë për rimëkëmbje ekonomike dhe për mbështetje të qytetarëve.

Kuvendi i Kosovës për herë të tretë të premten, më 25 shtator, ka dështuar të votojë Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike COVID-19.

Ky projektligj, që më 22 korrik u miratua në Qeverinë e Kosovës, kap vlerën prej 385 milionë eurove. Projektligji synon që përmes politikave fiskale dhe monetare, t'iu ndihmojë bizneseve pas humbjeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Duke e parë pamundësinë e votimit të këtij ligji në Kuvend, shkaku i mungesës së votave, biznesi kosovar u detyrua të jetë ndërmjetës mes qeverisë e opozitës për zhbllokimin e Pakos së Rimëkëmbjes

Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi për Syri.net Kosova, tha se kanë nisur takimet mes pozitës dhe opozitës dhe së shpejti pritet votimi në kuvend I ligjit.


Ne jemi në fazë të diskutimit, kemi pas takime me pozitën e opozitën për harmonimin e programeve, shihet që ka një vullnet të harmonizohen qendrimet, e brenda pak ditësh pritet të votohet ky ligj.

Kujtojmë se votimi i këtij projektligji po ashtu do t'iu mundësonte qytetarëve kontributpagues të tërheqin 10 për qind të mjeteve nga llogaria e tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco