Intervistë me Dardan Haskun, themelues i agjencisë së marketingut Dardha Solutions

Intervistë me Dardan Haskun, themelues i agjencisë së marketingut Dardha Solutions

21:33, 03/08/2020

 TekBiz Magazine: Përshëndetje Dardan. Kënaqësi shumë e madhe që je pjesë e kësaj interviste në TekBiz. Shumica e lexuesve tanë shqiptarë nuk të njohin, por ne e dimë që ti ke patur një karrierë të gjatë në Kosovë në fushën e marketingut, dhe je i specializuar në marketingun në rrjetet sociale. Na fol pak për veten tënde dhe shkurtimisht, eksperiencat që ke patur në këtë fushë, apo edhe në fusha të tjera.

Dardan Hasku: Përshëndetje. Faleminderit shumë për këtë mundësi fillimisht, që të flas para publikut shqiptar dhe lexuesve tuaj. Për momentin jam themelues dhe drejtues i kompanisë Dardha Solutions, një kompani e marketingut digjital, e specializuar dhe fokusuar në marketingun dhe menaxhimin e rrjeteve sociale konkretisht.

Në të kaluarën kam pasur përvojë të gjatë në këtë fushë dhe kam punuar, përveç tjerash, në mediat më të mëdha të Kosovës – lajmi.net, Grupi Koha dhe Gazeta Express & T7 si menaxher i rrjeteve sociale. Marketingu përveç profesion, para se të gjithash është pasion i imi, është diçka që e dua dhe që e bëj me dëshirën më të madhe.

 

TekBiz Magazine: Është e qartë që marketingu ka pësuar ndryshime shumë të mëdha me ardhjen e rrjeteve sociale, dhe përfshirjen e teknologjisë në jetët tona të përditshme në përgjithësi. Na bëj një krahasim me trendet e marketingut para ~10 viteve, dhe se si ka ndryshuar sot. (Sa të hapura kanë qenë kompanitë/mediat kosovare që të përqafonin këto ndryshime?)

Dardan Hasku: Padyshim se marketingu ka ndryshuar dhe po ndryshon pothuajse çdo ditë. Tashmë rrjetet sociale dhe marketingu online në shumë vende e kanë tejkaluar marketingun tradicional me buxhet.

Sot është e paimagjinueshme që një biznes të mos jetë prezent edhe online. Ky trend është i theksuar edhe në Kosovë, ndonëse akoma jo siç ndodh në disa vende tjera të zhvilluara.

Gjithsesi, kompanitë dhe brendet këtu janë përshtatur shumë me këto ndryshime dhe çdo vit e më shumë po investojnë në marketingun digjital, si diçka jetike për suksesin e tyre.

Përparësia kryesore e marketingut digjital krahasuar formave tradicionale është kosto e ulët si dhe parametrat – çdo aspekt i çdo reklame është i matshëm, pra në kohë reale çdo biznes ka qasje në statistikat dhe sukseset ose dështimet eventuale dhe kjo po i bën bizneset që të kalojnë shumë online.

TekBiz Magazine: Na fol pak për Dardha Solutions, agjencinë e marketingut themeluar nga ju. Si lindi ideja e biznesit, dhe cilat janë shërbimet që ju ofroni?

Dardan Hasku: Thënë të drejtën që kur e njoh veten e di se kam pasur synim që ta kem një biznes timin, e gjithashtu kam pasur synim që të studioj fushën e marketingut.

Pra, Dardha Solutions është ide e kahmotshme, veçse jo e formuluar apo ideuar konkretisht ashtu siç e ka formën tash. Duke punuar në shumë media e duke bashkëpunuar me shumë biznese kam parë se në treg ka hapësirë për një kompani që është e fokusuar në marketingun në rrjetet sociale dhe kështu, bashkë me një shok timin (Betim Zllanoga), vendosëm që të lëmë punët tona me paga relativisht të mira e të provojmë diçka bashkë. Kur ka kaluar pak më shumë se një vit nga hapja, jemi pozicionuar shumë mirë në treg. Ne jemi të fokusuar me shërbime të marketingut dhe menaxhimit të faqeve në rrjetet sociale, por edhe në marketingun online në përgjithësi.

TekBiz Magazine: Si shkoi periudha e tranzicionit nga punonjës apo bashkëpunëtor, në pronar biznesi, sidomos në kontekstin e hapjes së një biznesi të ri në një vend në zhvillim siç është Kosova?

Dardan Hasku: Thënë të drejtën, përkundër se ka kohë që kemi filluar planet për hapjen e një biznesi, vendimi përfundimtar ishte shumë spontan. Erdhi një moment kur ne thamë mjaft është mjaft dhe duhet filluar biznesin. Sigurisht, nuk është aspak vendim i lehtë, sidomos kur e ke një pagë të mirë dhe nuk ke ndonjë burim tjetër të të ardhurave. Megjithatë, ne ishim të përkushtuar dhe mbi të gjitha kemi besuar në veten tonë dhe aftësitë që kemi. Kosova me gjithë vështirësitë, është një treg që të jep hapësirë, mjafton të kesh aftësi, vetëbesim dhe sigurisht, të kesh punuar shumë me biznese të ndryshme që t’i bindësh më lehtë që të bashkëpunojnë me ty. Të tjerat pastaj, rrjedhin natyrshëm.

TekBiz Magazine: Me cilat biznese apo media është duke bashkëpunuar për momentin Dardha Solutions? Si ka ecur trendi i bashkëpunimeve të reja, ka kërkesë në treg për shërbime marketingu?

Dardan Hasku: Që nga hapja e deri sot kemi bashkëpunuar me mbi 50 biznese, media, organizata e individë të ndryshëm për projekte të ndryshme afatshkurtëra apo afatgjate. Një listë të disa prej klientëve tanë i gjeni në web (www.dardha.solutions), por mund t’i përmend disa si Televizioni T7, portali lajmi.net, televizioni Kanal10, Syri TV në Shqipëri, biznese të ndryshme etj. Kërkesa në treg për shërbimet tona ka vazhdimisht, e sidomos në periudhën e fundit fatkeqe me pandeminë, që në fakt e ka rritur shumë orientimin e bizneseve tek online në përgjithësi (me shërbime, pagesa, marketing etj).

TekBiz Magazine: Kemi parë suksese të jashtëzakonshme të startup-eve në Kosovë, me investime dhe bashkëpunëtorë edhe nga jashtë trojeve shqiptare. Çfarë parashikimesh dhe planesh keni ju për Dardha Solutions? Planifikoni të zgjeroheni jashtë kufinjve të Kosovës?

Dardan Hasku: Kosova ka kuadro të shumta në marketing online, programim, dizajnim e shërbime të ndryshme të teknologjisë informative. IT në fakt është ndër aspektet e pakta të ekonomisë sonë ku eksporti është më i lartë se importi, pra Kosova eksporton shërbime të shumta të teknologjisë informative në vendet perëndimore. Pikërisht duke parë orientimin që e kanë kompanitë këtu në tregun e jashtëm ne kemi synuar që të punojmë dhe të specializohemi me tregun vendor, duke e shfrytëzuar një hapësirë të lënë nga këto kompani. Kemi pasur edhe disa bashkëpunime me tregun ndërkombëtar, por plani ynë është që të forcohemi në Kosovë dhe eventualisht të zgjerohemi në të ardhmen edhe në Shqipëri, vend ky ku veçse kemi filluar punën nga Kosova.

TekBiz Magazine: Shohim shumë shpesh një lloj hezitimi apo ndoshta frike nga të rinjtë për të hapur një biznes. Pse mendon se ndodh kjo, dhe mendon se është e justifikuar? Çfarë mesazhi do i përcillje?

Dardan Hasku: Është sigurisht një nga vendimet më të mëdha që një njeri e merr në jetën e tij, ka shumë rreziqe dhe është e natyrshme që jo secili mund të ketë sukses në hapjen e një biznesi. Pastaj perceptimi është se në Kosovë por edhe në Shqipëri ka vështirësi të shumta në të bërit biznes dhe kështu shumëkush dorëzohet akoma pa filluar. Unë i kuptoj plotësisht shqetësimet e secilit, por dua të ju them se duhet kurajo, durim dhe mbi të gjitha besim në vete dhe në aftësitë e tua. Një kombinim i këtyre komponentëve, me ndoshta pak fat, sjellin sukses të garantuar dhe realizim të ëndrrave jetësore.

TekBiz Magazine: Mund të themi që je shumë aktiv në rrjetet sociale, sidomos Facebook, dhe ke krijuar një prezencë të konsiderueshme, shpeshherë me humor dhe sarkazëm të lidhur gjithmonë me ndodhitë më të fundit në vend. Si ndikon kjo tek klientët, mendon se është luftuar mjaftueshëm stereotipi i “biznesmenit serioz me kostum e kravatë”?

Dardan Hasku: Tash e një kohë unë jam aktiv në rrjetet sociale, ku kam krijuar një aktivitet të lartë në profilin tim. Zakonisht shprehem lidhur me problemet e përditshme, por duke ia dhënë një ton të humorit e sarkazmës, sepse e kam parë se kjo tërheq vëmendje më të madhe.

Madje edhe Dardha Solutions si brand e ka këtë qasje në prezencën e vet. Unë mendoj se tashmë rrjetet sociale kanë ndryshuar edhe mënyrën e komunikimit dhe se audienca nuk do vetëm nivel të lartë serioziteti, por edhe diçka “fun”, vazhdimisht madje. Andaj unë përveç vetes dhe Dardhës, i inkurajoj edhe klientët që të kenë qasje sa më të hapur ndaj konsumatorit në komunikim. Klientët e presin shumë mirë këtë dhe mund të them se disa kompani janë bërë klient pikërisht pasi i kanë parë postimet e mia në rrjetet sociale dhe këtë qasje në postime.

TekBiz Magazine: Je shumë i pasionuar për temën e lajmeve të rreme, dhe ndikimin që kanë rrjetet sociale në shpërndarjen e keqinformimit. Çfarë do i thoje përdoruesit të thjeshtë i cili dëshiron të ruhet nga këto lajme të rreme?

Dardan Hasku: Lajmet e rreme janë një fenomen global pas rritjes drastike të përdorimit të rrjeteve sociale. Tek ne, përveç faqeve të shumta jo serioze që tërheqin vëmendje të publikut, edhe mediat e mëdha fatkeqësisht shpesh postojnë informata të pakonfirmuara, duke e bërë shumë të vështirë dallimin e një burimi të besueshëm ndaj atij jo-të besueshëm dhe duke e humbur besimin tek audienca në përgjithësi. Megjithatë ju këshilloj që të lexoni gjithmonë përtej titullit, të shikoni përmbajtjen e lajmit, domainin e mediumit ku e lexoni lajmin si dhe të hulumtoni gjithmonë më shumë se 2 burime të ndryshme për një lajm të caktuar.

TekBiz Magazine: Për fund, të lutem ndaj me ne projektin tënd më të suksesshëm, qoftë si i punësuar qoftë në biznesin tënd, sfidën apo dështimin tënd më të madh, dhe mësimet që ke nxjerrë nga secila situatë. Faleminderit!

Dardan Hasku: Përkundër se është projekt në zhvillim, mund të them padyshim se Dardha Solutions është suksesi im më i madh jetësor deri tani. Nuk kanë munguar as dështimet e as sukseset edhe në projektet tjera, por gjithmonë dështimet nuk më kanë dekurajuar, përkundrazi. Dështimet janë pjesë e eksperimentit tonë në një punë të caktuar që na ndihmojnë shumë për të nxjerrë mësime dhe për ta mësuar një lloj “pattern-i”, ku në të ardhmen e dimë se ku mund të gabojmë akoma pa e bërë një punë. Dështimet unë besoj fuqishëm se janë jetike për sukses – pra pas çdo njeriu të suksesshëm janë me dhjetëra-qindra dështime gjatë rrugës. Ju faleminderit juve për këtë mundësi!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco