Komuna e Gazmend Muhaxherit kurdis tenderin për familjarët e Ramiz Kelmendit

Komuna e Gazmend Muhaxherit kurdis tenderin për familjarët e Ramiz Kelmendit

22:13, 04/06/2020

Familja e Ramiz Kelmendit ia pa hajrin pandemise?. Një tender i Komunës së Pejës për furnizim me produkte ushqimore për familjet në nevojë çoi rreth 100 mijë euro në biznesin e familjarëve të Ramiz Kelmendit, ish-deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

KALLXO.com ka zbuluar se për këtë tender të hapur në emër të pandemisë dhe ndihmës për familjet në nevojë është zhvilluar një konkurrencë e rreme nga Komuna e Pejës, e udhëhequr nga Gazmend Muhaxheri nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK).

Ky tender nuk ishte i hapur, mirëpo ishte zhvilluar në bazë të procedurës së negociuar dhe pa publikim të njoftimit të kontratës. Kështu, Zyra e Prokurimit në komunën e Pejës i ka ftuar vetëm këto tri biznese për të dhënë oferta në tenderi për furnizim me ushqim për familjet në nevojë.

Kjo komunë i ka ftuar për ofertë tri biznese që kanë ‘rastisur’ të jenë në pronësi të fëmijëve të ish-deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi.

Kompanitë që kishin ofertuar për tenderin për “Furnizim me artikuj ushqimor të domosdoshëm për familjet me nevojë me rastin e shfaqjes së pandemisë COVID -19” ishin: “Express Store”, “Elkos SH.P.K.” dhe “EGI GROUP”, të gjitha në pronësi të familjes së Ramiz Kelmendit. Ish-deputeti i LDK-së është vetë pronari në kompaninë “Elkos SH.P.K”. Kurse kompania tjetër “EGI Group” është në emër të Egzon Kelmendit, djalit të tij.

Kurse, pronarët e “Express Store” sipas ARBK-së janë fëmijët e Ramiz Kelmendit: Albulena Kelmendi, Albina Kelmendi, Blerina Kelmendi dhe Egzon Kelmendi.

Fituese e tenderin për “Furnizim me artikuj ushqimor të domosdoshëm për familjet me nevojë me rastin e shfaqjes së pandemisë COVID -19” ishte kompania “Express Store”, e cila kishte ofertuar 99,742.50 euro.

Edhe dy kompanitë tjerë kanë ofertuar me çmime të përafërta. Kompania “Elkos Sh.P.K” kishte ofertuar vetëm 78 euro më shumë, apo 99 mijë e 820 euro. Kurse, kompania “Egi Group” kishte ofertuar 156 euro më shumë, apo 99 mijë e 898 euro për tenderin për “Furnizim me artikuj ushqimor të domosdoshëm për familjet me nevojë me rastin e shfaqjes së pandemisë COVID -19”.

Drejtori i autorizuar i kompanisë “Express Store”, Ervin Muqkurtaj e ka konfirmuar për KALLXO.com se kompania që menaxhon është e fëmijëve të Ramiz Kelmendit.

Ai, po ashtu, e pranoi se kanë fituar një tender prej afër 100 mijë eurove nga Komuna e Pejës por tha se nuk ka qenë në dijeni për konkurrencën në oferta.

“Po, e kemi fituar tenderin. Po, janë fëmijët e Ramiz Kelmendit. Po ka pasur edhe kompani tjera, po nuk kam pas informata kush kanë qenë, kemi apliku online nuk kam pas qasje unë. Kontaktoni dikë të komunës ata munden me iu tregu”, tha Muqkurtaj përmes telefonit.\Xhemë Berisha, shef i zyrës së Prokurimit në Komunën e Pejës, ka thënë se nuk ka qenë në dijeni që tri kompanitë që janë përzgjedh për tenderin në fjalë kanë qenë të familjes së Ramiz Kelmendit.

Sipas Berishës, procedurat e negocimit janë të lejuara dhe kanë dashur që për shkak të konkurrencës t’i ftojnë tri kompani.

“Po, ka qenë kontratë me procedurë të negociuar. Unë nuk e kam ditë që kompania ka qenë në emër të Ramiz Kelmendit. Përgjegjës i asaj kompanisë(fituese), është tjetër kush menaxher. Ne u kemi kërkuar tri kompanie që të sjellin ofertat. Nuk e kam ditë që kanë qenë të tri kompanitë të së njëjtës familje. Edhe me ditë, nuk ka ndonjë telashe, nuk e kam ditë që kjo ka qenë e asaj familje”, tha Xhemë Berisha, menaxher i prokurimit në Komunën e Pejës.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco