Kultivuesit e mjedrës në Kosovë mund të sigurojnë pemishtet e tyre

Kultivuesit e mjedrës në Kosovë mund të sigurojnë pemishtet e tyre

13:48, 04/06/2020

Për të dytin vit radhazi, fermerët kosovar mund të mbrojnë pemishtet e tyre të mjedrës nga temperaturat jashtëzakonisht të larta të verës.

Kështu ka njoftuar IAKD përmes një shkrimi në Facebook.

"Kjo mundësi ofrohet përmes një produkti relativisht të ri të sigurimit bujqësor, i cili është dizajnuar dhe ofruar vitin e kaluar për herë të parë në Kosovë" thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë

Viti 2019 ka shërbyer si një fazë pilotimi, e cila u përdor për të testuar produktin e sigurimit bujqwsor dhe sistemin e sapo krijuar të sigurimeve në tërësi. Pwr kwtw vit, periudha e shitjes së polisave për mjedër fillon nga data 1 deri më 25 Qershor 2020, kurse periudha e sigurimit mbulon fermerwt nga data 1 Korrik dhe do të zgjasë deri me 31 Gusht. Rreziku që do të mbulohet për këtë kulturë janë temperaturat e larta mbi 29°c për 10 ditë të pandërprera. Gjatë vitit të kaluar, kompania e sigurimeve ELSIG ka shitur polisat e para të sigurimit për mjedër. Këtë vit, duke parë rëndësinë e zhvillimit të portofolit të tyre në fushën e sigurimeve bujqësore, ELSIG ka nënshkruar një marrëveshje me një kompani ndërkombëtare të risigurimit - SOMPO International, duke siguruar kështu mbështetje shtesë për ofrimin e pagesave të dëmshpërblimit për fermerët tanë. Për informata shtesë rreth sigurimit bujqësor dhe si mund të bleni ju një polisë të sigurimit për kulturën e mjedrës, ju mund të kontaktoni kompaninë e sigurimeve ELSIG nëpërmes email adresës: office@kelsig.com ose në numrat e telefonit: 048/620 620; 048/ 116 052.

Viti 2019 ka qenë një vit shumë i rëndësishëm pasi që për herë të parë fermerët kosovar kanë pasur mundësinë të blejnë polisa të sigurimit bujqësor të mjedrës. Për ta lehtësuar më tutje këtë proces, gjatë këtij viti - 2020, Ministria e Bujqësisë - MBPZHR-ja do të subvencionoj për herë të parë primin e sigurimit për produktin sigurimit të mjedrës në kuadër të Programit të Pagesave Direkte 2020. Kjo masë e mbështetjes direkte do të mbulojë 50% të kostos së polisës së sigurimit për të gjithë fermerët që do të blejnë sigurime bujqësore. Kujtojmë që vitin e kaluar, 13 fermerë të mjedrës në Kosovë u pajisen me sigurim bujqësor.Vera 2019 në Kosovë u shoqërua me temperatura të larta me kohëzgjatje prej disa ditëve. Si pasojë, në disa lokacione të Kosovës janë prekur kufijtë e sigurimit, duke nënkuptuar që fermerët në ato lokacione, kanë marrë dëmshpërblim sepse kanë qenë të siguruar. Pas 14 ditëve, fermerët kanë marr pagesat e dëmshpërblimit për humbjet në pemishtet e tyre nga kompania e sigurimeve ELSIG.

Fermeri parë i cili ka blerë një skemë sigurimi për mjedër në Kosovë është z. Xhavit Kozhani, i cili bleu një polisë sigurimesh për pemishtën e tij prej 0,39 Ha në Lipjan në vitin 2019. Si rezultat i temperaturave shumë të larta - mbi 29 gradë celcius për 10 ditë rresht gjatë muajit gusht 2019 në disa zona të vendit, shumë pemishte me mjedër janë përballur me humbje të mëdha. Një nga këto pemishte, është edhe pemishja e fermerit Z. Kozhani, e cila u prek dhe humbi rreth 65% të prodhimit të saj. Z. Kozhani, me polisën e blerë të sigurimeve për pemishten e tij, është kompensuar për shpenzimet operative të investuara. Z. Kozhani është shumë i kënaqur me tërë procesin dhe se si është vlerësuar llogaritja e humbjes. Ai shprehet se: "Unë kurrë nuk do ta imagjinoja që me blerjen e polisës së sigurimit që në vitin e parë pemishtja ime do të dëmtohet nga temperaturat e larta dhe Kompania ime e Sigurimeve do të kompensojë këtë humbje për mua". Ai beson se edhe fermerët tjerë do të vazhdojnë me veprim të njëjtë dhe vitin e ardhshëm do të blejë polisa të sigurimit për pemishtet e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco