Nëse s’ka kushte në Minierën e Artanës mund të ndalohet puna përkohësisht

Nëse s’ka kushte në Minierën e Artanës mund të ndalohet puna përkohësisht

18:19, 02/06/2020

Ramiz Krasniqi, nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, ka thënë se nëse vërtetohet se nuk ka kushte për punë në Minierën e Artanës atëherë me siguri se do të ndalojnë përkohësisht punën.

Sot në Minierën e Artanës dy punëtorë dyshohet se kanë vdekur. Për shkak të shembjes së dheut kanë mbetur të vdekur Idriz Gërbeshi, xehetar, me banim në Hajvali, dhe Haki Arifaj inxhinier i diplomuar i xehetarisë nga fshati Gllogovc, Komuna Lipjan.

“U shpreh ngushëllime familjeve Arifaj dhe Gërbeshi. Minatorët kanë qenë duke e kryer punën e tyre të zakonshme dhe ka ndodhur një shembje e dheut dhe për fat të keq i ka zënë përfundi dhe kanë mbetur të vdekur”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se Miniera e Artanës është njëra ndër më të vështirat për sigurinë e punëtorëve sepse është njëra ndër më të vjetrat, megjithatë Krasniqi thotë se kjo minierë ka licencë.

“Ajo minierë ka licencë, por pas këtij rastit me siguri se do t’i bëhet një analizë. Inspektorët tanë janë vazhdimisht në terren, dhe mund të them se ata kanë qenë javën e kaluar, por edhe për shkak të furnizimit me eksplozive”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka shtuar tutje se puna mund të pezullohet.

“Do të bëhet një komision për të verifikuar kushtet e minierës. Do të dilet me komunikatë se si ka ardhur deri te kjo. Nëse vërtetohet se nuk ka kushte atëherë me siguri se do të ndalojmë përkohësisht punën deri të krijimit të kushteve. Në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale nuk ka pasur ankesa, por vetëm tek menaxhmentit dhe Qeverisë, pasi ne nuk i financojmë. Ne vetëm i licencojmë. Në rast se nuk i plotësojnë kushtet për licencim është puna jonë, por për problemet e tjera nuk janë punët e tona”, ka thënë Krasniqi.

Tutje ai ka shtuar se minatorët kanë punuar edhe gjatë pandemisë dhe asnjë punëtorë nuk është infektuar.

“Kapaciteti i prodhimit në detaje tregohen çdo tre muaj, por puna nuk është ndërprerë. Menaxhmenti i Trepçës e di se Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka qenë afër tyre”, u shpreh ai në “Express Intervistën” në KTV

Ai thotë se ata kanë pasur problem të shesin mineralet gjatë periudhës së pandemisë.

“Kosova është njëra ndër vendet më të pasura me zink dhe me qymyr. Deri më 31 mars me dorëzuar raportin vjetor në Kuvendin e Kosovës për të gjitha aktivitetet punuese që i bën Komisioni, dhe për të gjitha licencat që kemi lëshuar, për të hyrat, për arritjet por edhe ngecjet. Deri më tani raporti ka kaluar në Kuvend gati me vota unanime”, ka thënë ai.

Vitin e kaluar ai thotë se janë lëshuar 308 licenca, të mineraleve të ndryshme.

“Në zonën e Elez Hanit dhe është licencuar një ndërmarrje zvicerane që pretendon me shfrytëzuar kromin dhe në të njëjtën kohë ka vendosur flotacionin. Kjo është hera e parë që është licencuar një ndërmarrje për shfrytëzimin e një metali. Ai është lejuar të shfrytëzojë deri në 20 hektarë”, ka thënë ai.

Tutje ai ka konfirmuar se kanë lëshuar edhe për ndërmarrje ndërkombëtare.

“Pres nesër që të përpilohet raporti për rastin që ka ndodhur dhe të gjithë rrjedhën e rastit. Kurse për kushtet se a do të punohet apo jo do të merret vendim më vonë. Ne çdo vit bëjmë inspektim të rregullt në miniera dhe nëse kushtet nuk janë të mjaftueshme për punë ne marrim vendim për ndërprerjen e punës”, ka thënë Krasniqi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco