Ende nuk dihet se kur do të nisë ekzekutimi i pagave për punëtorët e sektorit privat

Ende nuk dihet se kur do të nisë ekzekutimi i pagave për punëtorët e sektorit privat

16:50, 02/06/2020

Ende nuk dihet se kur do të nisë ekzekutimi i pagave për punëtorët e sektorit privat për muajin maj, edhe pse në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) kanë përfunduar procedurat e kërkesave të kompanive për 193 mijë të punësuar për kompensim të pagave 170 euro të parapara me pakon emergjente fiskale.

Drejtues të ATK-së kanë thënë se deri tash 171 mijë punëtorë kanë përfituar nga një pagë për muajin prill prej Pakos Emergjente Fiskale.

Drejtori i ATK-së Ilir Murtezaj deklaron se edhe mbi 20 mijë punëtorë kanë mbetur pa e marrë pagën e muajit prill, derisa shprehet se nuk e dinë kur do të nisë shpërndarja e pagave për muajin maj.

KosovaPress ka kërkuar dy ditë më parë përgjigje nga Ministria e Financave dhe Transfereve, por nuk janë përgjigjur lidhur me ekzekutimin e pagave për muajin maj.

Murtezaj: Mbi 171 mijë punëtorë kanë marrë vetëm nga një pagë

“Gjithë procesi nga 11 prilli deri më 15 maj, kur ka qenë periudha për aplikim nga bizneset për kompensim të pagave të punonjësve dhe qirave, kemi pranuar gjithsej rreth 193 mijë kërkesa për 193 mijë të punësuar për kompensim të pagave. Deri të premten e kaluar pothuajse për pjesën dërmuese janë shqyrtuar lëndët dhe janë dërguar për miratim. Shumica prej tyre veç i kanë marrë mjetet. Totali i punëtorëve të cilët kanë përfituar nga kjo Pako, edhe mbi 171 mijë punëtorë. Si ATK në këtë drejtim kemi luajtur një rol kyç, duke krijuar fillimisht platformën për bizneset që përmes sistemit elektronik të parashtrojnë kërkesa në kohë reale. Njëkohësisht i ka dhënë mundësi Komisionit, i cili është krijuar nga Ministria e Financave për të bërë validimin e të dhënave dhe për të verifikuar nëse kërkesat kanë qenë valide apo dikush ka tentuar edhe të keqpërdorë në situate të caktuara”, tha Murtezaj.

Drejtori i ATK-së nuk ka njohuri se kur do të alokohen pagat për muajin maj, derisa thotë se Ministria e Financave e Transfereve është sponsorizues i Pakos Emergjente Fiskale.

“Dihet se sponsor i Pakos Emergjente Fiskale është Ministria e Financave dhe Transfereve, ndërsa ne kemi qenë të autorizuar vetëm të përgatitim platformën për t’i dhënë mundësi bizneseve që të parashtrojnë kërkesa dhe njëkohësisht të shfrytëzohet data baza e të dhënave tona me qëllim që të bëhet validimi i të dhënave. Ndërsa, për pjesë të tjera, sigurisht, Ministria e Financave është kompetente dhe s’kisha dashur në këtë drejtim që të prononcohem lidhur me këtë çështje”, tha ai.

Ditë më parë është raportuar se ka pasur parregullsi për ndarjen e mjeteve të pagës 170 euro për muajin prill nga ana e Ministrisë së Financave dhe Transfereve.

Murtezaj ka thënë se ATK në mënyrë efikase ka eliminuar mundësitë për keqpërdorime të mjeteve nga pakoja emergjente fiskale./Kp

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco