U shkarkuan nga fshesa e Kurtit, inspektori i afërt me PDK-në i kthen në punë Thaçin e Istrefin

U shkarkuan nga fshesa e Kurtit, inspektori i afërt me PDK-në i kthen në punë Thaçin e Istrefin

21:47, 27/05/2020

Dy vendime të marra javë më parë nga bordet e përkohshme të dy ndërmarrjeve publike, të emëruara nga kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, janë hedhur poshtë si të kundërligjshme, të mërkurën.

Inspektorati i Punës, në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka vlerësuar se Bedri Istrefi është shkarkuar në kundërshtim me ligjin nga posti i kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës.

I njëjti organ sot ka vendosur po ashtu që ta shpallë të kundërligjshëm edhe shkarkimin e drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Njazi Thaçi.

Vendimet e Inspektoratit të Punës kanë obliguar bordin e Telekomit dhe bordin e KEK-ut që t’i anulojnë vendimet e tyre, dhe t’i kthejnë Istrefin dhe Thaçin në pozitat që kishin në ndërmarrjet në fjalë.

Nëse Telekomi dhe KEK-u nuk zbatojnë vendimet e Inspektoratit të Punës, dy ndërmarrjet rrezikojnë të dënohen me gjoba.

Kundër vendimeve është lejuar ankesë në afat prej 8 ditësh tek organi i shkallës së dytë i Inspektoratit të Punës.

Që të dy vendimet e sotme të Inspektoratit të Punës janë nënshkruar nga inspektori i punës, Ardian Megjani, me numër identifikues 1820.

Megjani njihet si militant i Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa më parë ishte punësuar si Zyrtar i Lartë Ligjor në Inspektoratin Shëndetësor, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, në vazhdën e instalimit të aktivistëve partiakë në institucione nga partitë e koalicionit të atëhershëm qeverisës mes PDK’së, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.

Image
Megjani, përkrahës i kamotshëm i PDK-së, në veçanti i ish-kreut të saj, tani president i vendit, Hashim Thaçi, që e tregon edhe aktiviteti i tij në rrjetet sociale, mori pozitë të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë, që e udhëhiqte asokohe nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili.

Tani inspektor i punës, Megjani në rrjetet sociale shprehte simpati për PDK-në, por edhe për vetë ministrin e Shëndetësisë.

Image

Në një nga postimet e tij, që tashmë rezultojnë të fshira, ai shprehte përkrahje për kandidaturën e Ismailit për degën e PDK’së në Prishtinë.

Ndërkaq, më herët, kur Hashim Thaçi kandidonte në zgjedhje për kryeministër, Megjani përfshihej edhe në aktivitetet e fushatës së tij.

Ndaj vendimeve të sotme të Inspektoratit të Punës, përkatësisht të Megjanit, ka reaguar drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.

Ai ka deklaruar se Inspektorati po tregohet shumë efikas sa i përket pozitave menaxheriale, por se, sipas tij, të njëjtën gjë asnjëherë s’e ka treguar në raport me punëtorët e zakonshëm.

“Inspektorati i Punës në element. Super efikas për shefa dhe pozita menaxheriale. Krejt në rregull. Ama këtë vullnet për punë dhe këtë efikasitet asnjëherë se treguan edhe në raport me punëtorët e zakonshëm, në mbrojtjën e të drejtave dhe interesave të tyre. E kam përshtypjen se po i vjen era këtij efikasiteti. Për dikend nanë, për dikend njerkë”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.

Edhe Naim Rashtiaj ka reaguar ndaj këtij vendimi duke thënë se kyeshefat ekzekutiv të kompanive publike nuk janë shërbyes civil dhe ata emërohen e shkarkohen nga bordet menaxhuese /mbikëqyrëse të këtyre kompanive.

Tutje ai ka shkruar se edhe pse ata u shkarkuan me shpejtësi dhe pandonjë procedurë ashtu edhe u emëruan nga qeveritë e kaluara, pasnjë procedurë.

Prandaj Inspektorati i Punës bashkë me shokët e shoqet e kryeshefave nuk duhet ta teprojnë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco