Po synohet marrje e huasë për të përballuar pasojat e pandemisë

Po synohet marrje e huasë për të përballuar pasojat e pandemisë

19:14, 08/04/2020

Qeveria në detyrë e Kosovës përmes një komunikate për media, ka njoftuar se ka miratuar nismën për negocimin e paketës së marrëveshjeve ndërkombëtare me institucionet ndërkombëtare financiare, me qëllim të sigurimit të financimit publik për përballimin e situatës së krijuar nga virusi COVID-19.

Siç thuhet në komunikatë, negociimi synohet të bëhet me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe anëtarët e tjerë të Bankës Botërore, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Islamike për Zhvillim, agjencionet zyrtare për përkrahjen (financimin) e eksportimit, si dhe me institucionet zyrtare financiare bilaterale të vendeve të jashtme ose të Bashkimit Evropian, sikurse Banka Evropiane e Investimeve.

Kufiri i përgjithshëm i autorizimit të dhënë sipas këtij vendimi, për marrëveshjet financiare të huasë, është 250 milionë euro ose ekuivalent, me afat të kthimit deri në 15 vjet dhe me normë të interesi jo më të lartë se 3 për qind.

Banka Qendrore e Kosovës më 3 prill vlerësoi se kriza e pandemisë mund t'i shtyjë shumë biznese drejt dështimit.

Guvernatori, Fehmi Mehmeti ka thënë se Kosova po zbaton një shkallë të lartë të mbylljes duke lejuar funksionimin vetëm të atyre bizneseve që ofrojnë shërbimeve dhe që janë të domosdoshme për qytetarët.

“Kjo ka ndikuar në ndërprerjen e aktivitetit të shumë sektorëve ekonomikë duke lënë bizneset pa të hyra, përderisa detyrimet e këtyre bizneseve vazhdojnë të jenë aktive gjë që rrezikon aftësinë paguese dhe mund t'i shtyjë ato drejt dështimit”, ka thënë Mehmeti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco