Pse ende duhet të tentoni t’i shmangeni Omicronit?

Pse ende duhet të tentoni t’i shmangeni Omicronit?

08:49, 14/01/2022

Varianti Omicron i koronavirusit, i cili po përhapet shumë shpejt dhe po përcillet me simptoma më të lehta – në krahasim me variantet tjera – ka krijuar idenë se COVID-19, sëmundja që shkakton koronavirusi, përbën rrezik më të vogël sesa në të kaluarën.

 

Disa pyesin se deri në çfarë shkalle duhet marrë masa për të parandaluar infektimin, pasi shumë persona besojnë se secili do të përballet me këtë virus, herët apo vonë.

Ende mund të sëmureni keq

Në disa hulumtime është thënë se Omicron mund të përcillet pa simptoma, ose me më pak sesa variantet tjera. Ata që kanë simptoma, mund t’i kenë më të lehta, sikurse dhimbje të fytit, rrjedhje hundësh dhe jo probleme me frymëmarrje sikurse rastet e mëhershme.

Mirëpo përhapja e jashtëzakonshme e Omicronit në disa shtete, nënkupton se më shumë njerëz do të përballen me gjendje të rëndë.

Të dhënat e fundit nga Italia dhe Gjermania kanë treguar se personat e pavaksinuar janë më të cenueshëm ndaj shtrirjes në spital, kujdesit intensiv dhe vdekjes.

“Pajtohem se herët apo vonë, secili do të infektohet, mirëpo sa më vonë, aq më mirë”, ka thënë eksperti për viruse, Michel Nussenzweig nga Universiteti Rockefeller.

“Pse? Sepse më vonë do të kemi më shumë ilaçe dhe vaksina më të mira”.

Mund të infektoni të tjerët

Një i infektuar mund të përballet me simptoma të lehta, mirëpo në të njëjtën kohë të bartë virusin te dikush tjetër që është në rrezik, edhe nëse ka antitrupa nga infektimi i mëhershëm apo nga vaksinimi, ka thënë Akiko Iwasaki, e cila studion për imunologjinë virale në Universitetin Yale.

Nuk dihet efekti afatgjatë i Omicronit

Infektimi me variantet e mëhershme të koronavirusit, përfshirë ato që janë përcjellë me simptoma të lehta, apo ato pas vaksinimit, ndonjëherë kanë shkaktuar sindromin e COVID-it të gjatë.

“Ne ende nuk kemi të dhëna se sa është proporcioni i rasteve me COVID, që mund të përfundojnë me COVID të gjatë”, ka thënë Iwasaki.

“Njerëzit që nënvlerësojnë Omicronin si ‘të butë’, janë duke vënë veten në rrezik të përballjes me efektet e sëmundjes për muaj apo vite”.

Po ashtu, ende nuk dihet nëse Omicron do të ketë ndonjë efekt “të heshtur” si variantet e mëhershme, duke përfshirë antitrupa vetë-sulmues.

Nuk ka ilaçe me bollëk

Trajnimet kundër koronavirusit janë tejet të kufizuara dhe mjekët duhet t’i përdorin ato në mënyrë racionale. Dy prej tri ilaçeve me antitrupa, të cilat janë përdorur në valët paraprake të koronavirusit, tani nuk kanë efekt ndaj këtij varianti.

I treti, sotrovimab, nga GlaxoSmithKline, nuk është prodhuar në sasi të mëdha, ashtu sikurse trajtimi i ri përmes pilulave Paxlovid, të kompanisë amerikane, Pfizer, që duket se ka efekt kundër Omicronit.

Spitalet po mbushen

Personat e vaksinuar plotësisht dhe ata që kanë marrë dozën përforcuese, pa ndonjë sëmundje kronike shëndetësore, Omicroni “nuk do të mund t’i dëmtojë shumë”, ka thënë David Ho, profesor i mikrobiologjisë dhe imunologjisë në Universitetin Kolumbia.

Megjithatë, sa më pak infektime, aq më mirë është, sidomos tani që “spitalet po mbushen dhe vala e Omicronit nuk ka kaluar ende”, në shumicën e rajoneve të SHBA-së, ka thënë Ho.

Për shkak të numrit rekord të personave të infektuar, spitalet është dashur të shtyjnë operimet dhe trajtimet për kancer.

Përgjatë valëve të mëhershme të infektimit, në disa spitale të stërngarkuara nuk janë ofruar as shërbime emergjente, sikurse për sulmet e zemrës.

Më shumë infektime nënkuptojnë më shumë variante

Omicroni është varianti i pestë i koronavirusit, që është përhapur gjerësisht, dhe mbetet të shihet nëse virusi ka aftësi të krijojë më shumë mutacione.

Shkalla e lartë e infektimit i ofron virusit më shumë mundësi për mutacione, dhe nuk ka garanci se versioni i ri potencial është më i lehtë sesa të tjerët.

“COVID-19 na ka befasuar në disa mënyra në dy vjetët e fundit, andaj nuk mund të parashikojmë trajektoren e evoluimit të këtij virusi”, ka thënë Ho.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco