Zbulohen raste të reja me variantin 'Omicron' në Nju Jork

Zbulohen raste të reja me variantin 'Omicron' në Nju Jork

16:29, 03/12/2021

Në Nju Jork janë zbuluar disa raste të variantit Omicron të koronavirusit, thanë zyrtarët e shëndetësisë të enjten, përfshirë një person që mori pjesë në një konferencë në Manhattan në fund të nëntorit dhe rezultoi pozitiv kur u kthye në Minesota ku banon.

Përveç konferencës, zyrtarët shëndetësorë thanë se pesë persona të tjerë të infektuar së fundmi me COVID-19 kishin rezultuar pozitivë për variantin.

Mes tyre ishte një person në Long Island, i cili kohët e fundit kishte udhëtuar në Afrikën e Jugut, banorë të lagjeve Brooklyn dhe Queens, dhe një rast tjetër që mund të ketë qenë i lidhur me udhëtim.

"Nuk ka arsye për alarm. Thjesht duam të sigurohemi që publiku të jetë i informuar", tha guvernatorja Kathy Hochul.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Bill de Blasio tha se përhapja gjeografike e testeve pozitive sugjeron se bëhet fjalë për "përhapje në komunitet" dhe nuk ishte i lidhur me një episod të vetëm.

Lajmi erdhi një ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se rasti i parë i variantit ishte zbuluar në Kaliforni, tek një person që kishte udhëtuar së fundmi në Afrikën e Jugut.

Zyrtarët njoftuan për një rast tjetër të enjten tek një grua nga Kolorado, e cila kohët e fundit kishte udhëtuar në Afrikën jugore.

Në konferencën ku kishte qenë personi nga Minesota, kishin marrë pjesë 50,000 vetë, sipas organizatorëve të ngjarjes, dhe pjesëmarrësve u ishte kërkuar të mbanin maska dhe të tregonin prova se kishin marrë të paktën një dozë të një vaksine COVID-19.

Zyrtarët e Nju Jorkut, që ka një popullsi prej 8.8 milionë banorësh, thanë se e dinin që do të ishte vetëm çështje kohe përpara se varianti i ri të zbulohej në qytet.

Personi nga Minesota zhvilloi simptoma të lehta më 22 nëntor dhe bëri testimin për COVID-19 më 24 nëntor, tha departamenti i shëndetësisë i shtetit, duke shtuar se simptomat e tij kishin kaluar.

Ai ishte vaksinuar dhe kishte marrë një vaksinë përforcuese në fillim të nëntorit, sipas zyrtarëve të shëndetësisë.

Shkencëtarët po e studiojnë variantin Omicron, i cili është cilësuar si një variant shqetësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për të zbuluar nëse është më i transmetueshëm apo më i rëndë se varianti Delta. Ata po analizojnë gjithashtu se sa efektive janë vaksinat aktuale ndaj tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco