OBSH-ja synon të blejë ilaçe kundër COVID-19 për 10 dollarë

OBSH-ja synon të blejë ilaçe kundër COVID-19 për 10 dollarë

11:01, 19/10/2021

Organizata Botërore e Shëndetësisë po synon të ndihmojë vendet e varfra që të sigurojnë teste, vaksina dhe ilaçe antivirale për pacientët me simptoma të lehta të COVID-19, thuhet në një dokument të siguruar nga agjencia Reuters. Kjo pritet të bëhet përmes një programi të veçantë i cili është ende në formën e draftit.

Dokumenti, i cili përshkruan qëllimet e programit të OBSH-së deri në shtator të vitit të ardhshëm, thotë se përmes tij do të dhurohen rreth 1 miliard teste ndaj COVID-19 për kombet më të varfra dhe do të blehen ilaçe për trajtimin e 120 milionë pacientëve në nivel global, nga rreth 200 milionë raste të reja që vlerësohet se do të paraqiten në 12 muajt e ardhshëm.

 

Planet shpërfaqin angazhimin e OBSH-së për të rritur furnizimet me ilaçe dhe teste me një çmim relativisht të ulët.

Masa vjen pasi ka pasur shumë kritika për një qasje të pabarabartë në vaksinat kundër COVID-19. Vendet e pasura siguruan një pjesë të madhe të furnizimeve duke i lënë vendet e varfra pa sasi të mjaftueshme.

Një zëdhënës i OBSH-së tha se dokumenti, i datës 13 tetor, ishte ende një draft dhe po zhvilloheshin konsultime për të. Ai nuk pranoi të ofrojë më shumë detaje.

Dokumenti gjithashtu do t’i dërgohet udhëheqësve globalë përpara një samiti të G20-ës në Romë në fund të këtij muaji.

Programi kërkon nga G20-a dhe donatorë të tjerë të dhurojnë fonde shtesë prej 22.8 miliardë dollarë deri në shtator të vitit 2022, të cilat do të nevojiten për të blerë dhe shpërndarë vaksina, ilaçe dhe teste në vendet më të varfra.

Vende e pasura deri më tani kanë premtuar 18.5 miliardë dollarë për programin.

OBSH-ja planifikon edhe sigurimin e ilaçeve antivirale për pacientët me COVID-19.

Kompania farmaceutike amerikane, Merck, ka thënë se ka kërkuar që t’i miratohet përdorimi emergjent i pilulës së saj për trajtimin e pacientëve me koronavirus.

Kërkesa është dërguar në Administratën e Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së.

Nëse miratohet, Molnupiravir do të bëhej pilula e parë orale antivirale kundër koronavirusit.

Edhe pse nuk e citon këtë ilaç, dokumenti parasheh të paguajë 10 dollarë për kurs për “antiviralë të rinj oral për pacientët me simptoma të buta dhe të moderuara”.

Programi i OBSH-së githashtu synon të adresojë nevojat thelbësore të oksigjenit mjekësor të 6-8 milionë pacientëve në gjendje rëndë deri në shtator të vitit 2022.

Për më tepër, programi i quajtur “Përshpejtimi në qasjen e mjeteve të COVID-19” – (ACT-A) planifikon të investojë masivisht në diagnostikimin e COVID-19 në mënyrë që të paktën të dyfishojë numrin e testeve të kryera në kombet më të varfra, të përcaktuara si vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco