Në Kosovë ‘në hall të madh’, vaksinat anti-covid po skadojnë, afati edhe 1 javë, thirrje qytetarëve të vaksinohen

Në Kosovë ‘në hall të madh’, vaksinat anti-covid po skadojnë, afati edhe 1 javë, thirrje qytetarëve të vaksinohen

08:03, 25/07/2021

Në fillim të korrikut, Ministria e Shëndetësisë ka pranuar 182,900 doza të vaksinës AstraZeneca nga Norvegjia. Por, një sasie të këtyre vaksinave anti COVID-19, rreth 12 mijë dozave, siç është bërë e ditur nga Ministria e Shëndetësisë e Norvegjisë, iu skadon afati më 31 korrik, pra edhe një javë.

Ndonëse nuk është bërë e ditur se sa është numri i dozave të vaksinave AstraZeneca – donacion nga Norvegjia, që deri tash u janë injektuar qytetarëve dhe sa nga to kanë mbetur të pashfrytëzuara, institucionet shëndetësore po bëjnë vazhdimisht thirrje që qytetarët të vaksinohen sa më shumë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj, ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen kundër koronavirusit, në mënyrë që të shmanget mbyllja e vendit.

Ndërkaq edhe infektologë të tjerë, kanë bërë thirrje për tu vaksinuar, duke siguruar qytetarët se të dyja llojet e vaksinave që janë duke u dhënë në Kosovë janë të sigurta.

Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës, ka thënë se nuk ka pasur fushatë të strukturuar për vaksinim.

“Ka pasur edhe informacion se disa nga vaksinat kanë pasur një afat të shkurtër, por megjithatë ato kishin afat, por edhe kjo mund të jetë një pjesë e atyre dezinformatave që qytetarët t’i shmangen vaksinimit”, tha Kodra

Infektologu Salih Ahmeti ka deklaruar se qytetarët duhet të shfrytëzojnë çdo rast për të marrë vaksinën.

“Nuk ka kurrfarë efektesh anësore të rëndësishme, në mënyrë të veçantë ndaj vaksinave qoftë Pfizer, qoftë AstraZeneca dhe është mirë t’i marrin në rastin e parë që t’i jepen për të përballuar pandeminë”, u shpreh Ahmeti.

Edhe infektologu Hamdi Ramadani theksoi se nuk duhet të ketë dyshime për tu vaksinuar.

“Këto gjëra nuk qëndrojnë sepse çdo vaksinë është e lejuar dhe e dokumentuar që duhet të bëhen. Kjo është bërë nga disa njerëz naiv, që kanë dezinformuar”, tha Ramadani.

Ndërkaq, Kodra nga Shoqata e Pacientëve ka bërë thirrje që qytetarët të vaksinohen sa më shumë.

“Duhet të vaksinohen për t’iu shmangur vdekjeve, infektimeve e mbylljes eventuale”, tha Besim Kodra.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco