SHSKUK vë në rrezik jetën e qytetarëve

SHSKUK vë në rrezik jetën e qytetarëve

17:47, 23/07/2021

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka shpallur fitoren ndaj COVID-19, por jo edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili po konsideron që në shtator pritet të ketë një valë të tretë.

Brenda pak ditëve shpenzohet e gjithë kontrata që Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës – SHSKUK e ka me një kompani private për të furnizuar spitalet me oksigjen dhe ky institucion nuk po e sheh të nevojshme lidhjen e një kontrate të re.

Në fakt, kur rastet e përhapjes me COVID-19 ishin shumë të larta, SHSKUK hapi një tender të vlerës së madhe për furnizim me oksigjen. Pasi nxori një fitues të tenderit, ky institucion e anuloi procesin pas pak jave, menjëherë kur rastet e infektimit ranë në Kosovë. Arsyetimi i anulimit ishte se nuk ka shumë nevojë për oksigjen. Por, anulimi i tenderit po vlerësohet që u bë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, shkruan lajmi.net. Madje, kontrata e vjetër është më e shtrenjtët se e reja për rreth 30 për qind.

Fillimisht, më 31 mars 2021, SHSKUK ka bërë njoftim për kontratë “Furnizim me Oksigjen Medicional për nevojat e SHSKUK-së”. Hapja e tenderit është bërë më 26 prill, ndërsa themelimi i komisionit me datë 17 maj, ani pse me ligj është e përcaktuar që themelimi i komisionit duhet të bëhet brenda pesë ditëve, ai është themeluar pas më shumë se 20 ditësh. Bile për këtë prokurim është përdorur procedurë e shkurtuar.

Kanë garuar tri kompani, “Medical Group” SHPK, çmimi me tvsh 1976000,00 euro, “Liri-Med” SHPK, çmimin me tvsh 2392000.00 euro, “Medica” Shpk, çmimi me tvsh 192400,00 euro.

Është zbatuar procedurë e hapur dhe vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 2, 444, 000.00 euro për 24 muaj.

Më 15 maj është rekomanduar për kontratë kompania “Medica”, pasi kishte çmimin më të lirë dhe u vlerësua e përgjegjshme.

Më 15 qershor, prokurimi ka bërë njoftim për anulimin e procedurës së prokurimit.

Në arsyetimin e anulimit është shkruar se: “Në bazë të kërkesës Nr. 4195 të datës 14.06.202, të dërguar përmes ZKA-së nga njësia kërkuese Barnatorja Qendrore, me të cilën njofton për gjendjen momentale të shpenzueshëmris së oksigjenit medicinal në SHSKUK. Ndër të tjera specifikohet se pas zvogëlimit të rasteve të infektimit me COVID-19, është zvogëluar shpenzushëmria e oksigjent medecinal, rrjedhimisht është zvogëluar kërkesa për oksigjen medicinal nga njësit e SHSKUK-së. Me të njëjtën shkresë kërkohet nga sektori i prokurimit që të ndërpritet procedura ekzistuese, në mënyrë që të rishqyrtohet sasia e oksigjenit sipas gjendjes reale. Në bazë të arsyetimit të lartcekur konsiderojmë se plotësohen kushtet e nenit 62.1.1 të LPP-së, me të cilin ky aktivitet i prokurimit “Furnizim me Oxygen”.

Medicinal për nevojat e SHSKUK-së me nr. 00220-21-1709-1-1-1 si dhe me numër të brendshëm 220-21-036-1-1-1” anulohet”.

Lajmi.net ka mësuar se kontrata e lidhur më kompaninë “Medical Group”  në vitin e kaluar për furnizim me oksigjen është shpenzuar 100 për qind, por kontrata ka qenë me mundësi devijimi për 30 për qind, dhe aktualisht është rreth 110 për qind  e shfrytëzuar.

Sipas një kalkulimi të kontratës së kaluar, çmimit të ofertës së fundit që është anuluar dhe nevojave momentale të SHSKUK-së, del që spitalet po furnizohen me oksigjen për 30 për qind më shtrenjtë se sa parashihte kontrata e re.

Nga momenti kur ka mundur të nënshkruhet  kontrata deri më tani janë pranuar rreth 170,000 litra oksigjen, ku çmimi me kontratën aktuale është 0.47 centë, kurse me ofertën e re 0.37.  D.m.th dallim ne total për këtë periudhe është rreth 17,000 mijë euro më shumë të paguara.

Megjithatë, bazuar në dokumentet e publikuara në E-prokurim , pas anulimit të aktivitetit të prokurimit, më datë 8 korrik kompania e rekomanduar për kontratë “Medica”  ka parashtruar ankesë në OSHP kundër vendimit për anulimin e aktivitetit të prokurimit, pasi i ishte refuzuar kërkesa për rishqyrtim nga SHSKUK. Kompania ka pretenduar që janë shkelur një sërë nenesh të Ligjit të Prokurimit Publik. Eksperti i OSHP-së e ka shoshitur ankesën dhe i ka dhënë të drejtë kompanisë ankuese thuajse në të gjitha pikat, dhe ka rekomanduar Panelin e OSHP-së që kjo lëndë të kthehet në rivlerësim, pasi ka konsideruar se anulimi nuk është bërë mbi arsyshmërinë e LPP-së.

Fillimisht, eksperti shqyrtues ka gjetur se komisioni i vlerësimit nuk e ka nënshkruar raportin e vlerësimit, kur ka nxjerrë fituesin, gjë për të cilën ka bërë shkelje.

Eksperti po ashtu shkruar në raport se prokurimi i këtij institucioni nuk e ka ngritur në E-prokurim vendimin dhe letrën standarde për tenderues dhe kjo përbën shkelje të nenit 54 të LPP-së, sipas të cilit AK-ja obligohet që pas vlerësimit t’i njoftojë të gjitha kompanitë pjesëmarrëse në një aktivitet të prokurimit për rezultatin e vlerësimit.

Eksperti shqyrtues sqaron se përfundimi i një aktiviteti të prokurimi parashihet në nenin 62 të LPP-së, dhe se lidhur më këtë anulim nuk janë përmbushur kushtet e parapara në paragrafin 1 dhe 2 të këtij neni.

“1. Autoriteti kontraktues mund të përfundojë atë aktivitet të prokurimit i cili nuk do të rezultojë në dhënien e kontratës vetëm për njërën nga arsyet: 1.1. një shkelje e ligjit aktual ka ndodhur apo do të ndodh në procedurën e prokurimit, e cila nuk mund të rregullohet apo të parandalohet përmes një amendamenti ligjor të kushteve të prokurimit, duke përfshirë edhe rastet ku një dispozitë e këtij ligji kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit 1.2. të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit; apo 1.3. para hapjes së tenderëve, ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është bërë e nevojshme për shkak të ngjarjeve objektive dhe që mund të demonstrohen dhe/ose arsyeve që janë jashtë kontrollit të autoritetit kontaktues dhe që nuk mund të parashikoheshin në kohën e inicimit të aktivitetit të prokurimit. 2. Kur njoftimi i kontratës është publikuar dhe procedura e prokurimit është anuluar pa dhënien e kontratës publike, autoriteti kontraktues duhet që të publikojë njoftimin e anulimit në formën dhe përmbajtjen e informatave përcaktuar nga KRPP-ja, dhe (ii) të përfshijë në të dhënat e prokurimit të kërkuara nga paragrafi 1. i nenit 10 të këtij ligji, një deklaratë me shkrim që parashtron me hollësi arsyet faktike dhe bazën ligjore për anulimin”, thuhet në nenin 62 të LPP-së.

Lajmi.net ka dërguar disa pyetje në adresë të SSHKUK-së, lidhur më këtë proces, ku ndër tjera ka kërkuar të marrë informacion edhe se si do të procedojë ky institucion tash kur kontrata e vjetër do të shpenzohet, por ata nuk kanë kthyer përgjigje deri më tani.

Jo zyrtarisht është mësuar se SHSKUK, pritet të procedojë më procedurë të negociuar, por do të kërkojë sasi më të vogla për oksigjen.

Para pak ditëve, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u kishte bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër koronavirusit, duke thënë se, ‘ekspertët vlerësojnë se në vjeshtë pritet të ketë valë të re të pandemisë COVID-19’. Këto deklaratë ai e kishte bërë në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, pasi mori dozën e parë të vaksinës AstraZeneca.

“Vjeshta duhet të na gjejë me sa më shumë qytetarë të vaksinuar. Është e vetmja mënyrë dhe me siguri se edhe nëse paraqitet një valë e re deri në vjeshtë, e që sipas ekspertëve është pothuajse e pashmangshme, vetëm të vaksinuar ruajmë shëndetin e njëri-tjetrit, shëndetin ekonomik, social, ruajmë mirëqenien tonë”, ka deklaruar ministri Vitia.

Megjithatë, oksigjeni nuk nevojitet vetëm për pacientët me COVID-19, por edhe për pacientët e tjerë, të cilët kanë probleme të ndryshme shëndetësore.

Në nëntor 2020 ishte anuluar njoftimi për kontratë për furnizim me oksigjen medicinal në SHSKUK për shkak se nuk kishte asnjë ofertues. Ky institucion i kishte kërkuar ndihmë Qeverisë.

Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte mbi 2.2 milionë euro me afat për 12 muaj. Por asnjë nga operatorët ekonomikë të licencuar për furnizim me oksigjen medicinal në Kosovë, nuk kishte dorëzuar ofertë në SHSKUK.

QKUK-së kishte kërkuar ndihmë Qeverisë përmes Ministrisë së Shëndetësisë, për ta zgjidhur problemin e mungesës së oksigjenit.

Më pas, SHKUK kishte arritur të lidhë një kontratë me procedurë të hapur me kompaninë “Medica Group”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco