Cila vaksinë kundër COVID-19 është më e mira?

Cila vaksinë kundër COVID-19 është më e mira?

15:28, 10/04/2021

Ndërsa Shtetet e Bashkuara zhvillojnë fushatën e tyre të vaksinimit kundër COVID-19, që synon të vërë vaksinat në dispozicion për të gjithë të rriturit deri më 19 prill, disa mjekë dhe punonjës shëndetësorë janë të shqetësuar se preferencat e markave midis marrësve të mundshëm të vaksinave mund të dëmtojnë përpjekjet për të ngadalësuar përhapjen e virusit.

Sipas Al Jazeera, shumë shtete në të gjithë vendin po përshkallëzojnë përpjekjet për të vaksinuar sa më shumë njerëz sa më shpejt të jetë e mundur për të zbutur valët e reja të infeksioneve.

Kështu, deri të mërkurën, SHBA administroi mesatarisht më shumë se tre milionë doza në ditë në të gjithë vendin gjatë shtatë ditëve të mëparshme, sipas “Our World in Data”.

Dhe kur flasim për vaksinat, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka dhënë autorizim për përdorim urgjent për tri vaksina kundër COVID-19 për të cilat thotë se janë shumë të efektshme në parandalimin e infeksioneve dhe sëmundjeve të rënda nga coronavirusi i ri.

SHBA miratoi një vaksinë Johnson & Johnson në fund të shkurtit pasi autorizoi vaksinat nga Pfizer dhe Moderna dhjetorin e kaluar.

Vaksina J&J kërkon një dozë të vetme, ndërsa të tjerat jepen në dy doza. Secila duhet të ruhet në temperatura të ndryshme.

Po sipas Al Jazeera, të tri vaksinat ofrojnë pothuajse mbrojtje të plotë kundër vdekjes së lidhur me COVID-19 dhe shtrimeve në spital, gjeti FDA.

Sidoqoftë, në provat klinike, vaksinat Pfizer dhe Moderna raportuan efikasitet prej rreth 95 për qind në parandalimin e sëmundjes së lehtë nga virusi, ndërsa J&J raportoi një efikasitet prej 72 për qind në provën e tij në SHBA.

Por ndërkohë që përhapja e vaksinave po ndodhë, disa punonjës shëndetësorë kanë raportuar se kanë parë më shumë pacientë që shprehin preferencën për tu inokuluar me një vaksinë të veçantë.

Për shembull, muajin e kaluar, kryebashkiaku i Detroit, Mike Duggan tha se ai preferonte që banorët e qytetit të merrnin vaksinat Pfizer dhe Moderna.

“Johnson & Johnson është një vaksinë shumë e mirë. Moderna dhe Pfizer janë më të mirat. Dhe unë do të bëj gjithçka që mundem për t’u siguruar që banorët e qytetit të Detroit të marrin më të mirën”, citohet të ketë thënë Duggan në fillim të marsit.

Gjithsesi, pas një reagimi të ashpër, ai tha se qyteti do ta bënte vaksinën J&J pjesë e shtrirjes së vaksinave.

Sidoqoftë, dallimet në efikasitet nuk janë aq drastike sa sugjerojnë numrat, thonë ekspertët e shëndetit publik – andaj, vlerësojnë ata, merreni atë që mund ta merrni të parën.

Provat u kryen në kohë të ndryshme, me shfaqjen e varianteve të reja, më ngjitëse të coronavirusit kur ishin në proces provat e vaksinave J&J.

Për më tepër, vaksina J&J tregoi një efikasitet prej 85 përqind në parandalimin e sëmundjes së rëndë në provën e saj në SHBA, sipas FDA.

Por perceptimi që Johnson & Johnson mund të jetë më pak i efektshëm se vaksinat e tjera vazhdon. Një sondazh i CNBC muajin e kaluar tregoi se 8 për qind e të anketuarve do të presin derisa të marrin “vaksinën e tyre të preferuar”.

Përkundër këtyre, Dr. Robert C Gallo, drejtori i Institutit të Virologjisë Njerëzore (IHV) në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Maryland dhe bashkë-themelues i Rrjetit Global rreth Virusit (GVN), tha se ai ishte indiferent për atë vaksinë që mori kur ishte inokuluar rreth një muaj më parë.

“As që më interesonte se cila ishte sepse ato që ishin në dispozicion të aprovuara në Shtetet e Bashkuara – nga ato statistika që janë në dispozicion – janë pak a shumë të njëjta”, ka thënë Gallo për Al Jazeera.

“Gruaja ime dhe unë sapo shkuam dhe morëm atë që ishte në dispozicion. Ne nuk menduam dy herë se cila ishte sepse rezultatet ishin goxha të krahasueshme midis këtyre tri vaksinave”.

Gallo i tha Al Jazeera se ai e kupton që disa njerëz mund të dëshirojnë të kërkojnë “vaksinën më të mirë” në dispozicion, por të durosh për një vaksinë që perceptohet të jetë më e mirë nuk ia vlen të presësh.

Ai tha se një normë e efikasitetit prej 72 për qind është “goxha e mirë”, duke vënë në dukje se efektiviteti i vaksinës së gripit mund të jetë deri në 30 për qind në vite të caktuara, por njerëzit duhet ta marrin atë.

“Nuk do të prisja sepse mendoj se shanset për tu infektuar pa vaksinë janë mjaft të mira sidomos në disa vende në botë, duke përfshirë disa shtete në Shtetet e Bashkuara”, mendon Gallo.

Por preferencat e vaksinave nuk kanë të bëjnë vetëm me perceptimin se sa mbrojtje ofron secila vaksinë.

Reham Awad, një praktikante në farmaci në zonën e Çikagos, tha se ajo ka parë të gjitha llojet e rezervimeve dhe preferencave në lidhje me markat e vaksinave; disa njerëz kërkojnë J&J sepse është një dozë e vetme, të tjerët preferojnë Moderna ose Pfizer sepse mendojnë se kanë efekte anësore më pak të dëmshme.

Awad ka qenë dëshmitar i njerëzve që planifikojnë caktimin e tyre të vaksinës për të marrë markën e tyre të preferuar, gjë që ajo tha se mund ta shtynte vaksinimin e tyre për një “kohë të gjatë”.

“Kur njerëzit hyjnë, unë gjithmonë i këshilloj ata që të marrin vaksinën që është në dispozicion sepse kurrë nuk e dini se çfarë vaksine do të jetë në dispozicion herën tjetër”, ka theksuar Awad për Al Jazeera.

Gjithashtu, sipas saj, “ju nuk e dini nëse do të keni mundësinë të merrni vaksinën që dëshironi në një kohë tjetër përveç kësaj”. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco