‘Ul efikasitetin e vaksinave’/ Varianti i ri i Covid-19 i reziston edhe trajtimit me plazmë

‘Ul efikasitetin e vaksinave’/ Varianti i ri i Covid-19 i reziston edhe trajtimit me plazmë

19:30, 21/01/2021

Varianti i ri I COVID-19, i cili është identifikuar në Afrikën Jugore, mund t’u bishtnojë antitrupave që e sulmojnë atë nëpërmjet trajtimit me plazmën e gjakut të pacientëve të shëruar.

Deri tani është zbuluar se variant i ri po ashtu mund ta ulë efikasitetin e vaksinave të zhvilluara deri më tani, thanë të enjten shkencëtarët në Johannesburg.

Kjo sfidë ka vendosur në lëvizje studiuesit, të cilët janë duke garuar për të vërtetuar nëse vaksinat që tashmë janë shpërndarë nëpër botë janë efektive kundër të ashtuquajturit varianti 501Y.V2, i identifikuar nga ekspertët afrikano-jugorë të gjenomikës në fund të vitit të kaluar.

“Kjo linjë virusale arrin që t’i shmangë tërësisht tri klasat e antitrupave relevante terapeutike monoklonale”, thuhet në studimin e publikuar në gazetën “bioRxiv”, nga ekipi i shkencëtarëve të tri universiteteve në Afrikën Jugore që kanë bashkëpunuar me Institutin Kombëtar për Sëmundje Ngjitëse.

“Për më tepër, varianti 501Y.V2 shpërfaq aftësi të shmangies rrënjësore apo të plotë të antitrupave neutralizues që gjenden në plazmën e pacientëve të shëruar nga COVID-19”, kanë shkruar ata, duke shtuar se përfundimet e tyre “vënë në pah mundësinë e riinfektimit në të ardhmen dhe gjasat për uljen e shkallës së efikasitetit të vaksinave të gjertanishme”.

Varianti 501Y.V2 është 50 për qind më infektues sesa të mëhershmit, kanë thënë studiuesit nga Afrika Jugore.

Rastet e infektimeve me këtë variant të ri të koronavirusit tashmë janë raportuar në të paktën 20 vende, qyshkur rastet e para të tilla janë evidentuar në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në fund të dhjetorit të shkuar.

Ky është vetëm një prej disa varianteve të reja që janë zbuluar gjatë muajve të fundit, përfshirë edhe ato që janë zbuluar fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe pastaj edhe në Brazil.

Varianti është shkaktari kryesor i valës së dytë të COVID-19 në Afrikën Jugore, vend ky që ka shënuar që atëherë shifër mesatare të rasteve të reja ditore prej rreth 21.000 sosh në fillim të këtij muaji. Ky bilanc është dukshëm më i lartë sesa gjatë valës së parë të pandemisë, kur regjistroheshin rreth 12.000 raste në ditë.

Plazma rikuperuese nga gjaku i pacientëve të shëruar më herët nga sëmundja nuk është dëshmuar si trajtim efektiv kundër COVID-19, kur është përdorur tek pacientët e sëmurë rëndë që kishin nevojë për kujdes intensiv. Megjithëkëtë, një trajtim i tillë tashmë është miratuar për përdorim në disa vende, si masë emergjente.

Shkencëtarët dhe politikanët britanikë tash e sa kohë kanë shprehur shqetësimin se vaksinat që tashmë po shpërndahen apo po zhvillohen mund të jenë më pak efektive kundër variantit.

Sipas studimit të kryer nga ekipi afrikano-jugor dhe CDC-ja në SHBA, mbetet ende që të konstatohet saktë në rast se vaksinat e deritanishme veprojnë përnjëmend kundër 501Y.V2.

Kjo gjë, sipas tyre, mund të verifikohet vetëm nëpërmjet testimeve klinike të shkallës më të lartë.

Por rezultatet kanë shfaqur nevojën për krijimin e vaksinave të reja, të cilat do ta pengonin apo edhe ndalonin tërësisht rrezikun në ardhje.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco