Kosova në kolaps shëndetësor: IKSHPK nuk i teston më ata që kanë simptoma të koronavirusit

Kosova në kolaps shëndetësor: IKSHPK nuk i teston më ata që kanë simptoma të koronavirusit

11:00, 24/11/2020 Nga A.ZH

"Nëse ke pasur Coronavirus dhe i ke kaluar dy javë në izolim apo duke u trajtuar, jeni i lirë për të dalë". Kështu të paktën po u thotë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik qytetarëve të cilët po infektohen nga COVID-19.

Të paktën dy raste janë të cilat i ka siguruar Syri.net, që pa u kuptuar nëse janë shëruar, IKSHPK iu ka dhënë leje që të dalin lirshëm. Asnjërit nuk iu është bërë ritestimi për ta konfirmuar nëse e kanë kaluar koronavirusin. 

Urime, jeni shëruar, mund të dilni”, ishte zëri i njërit nga zyrtarët e Institutit që i tha njërit prej pacientëve që ka rrëfyer për Syri.net Kosovën përvojën e saj në kushte anonimiteti.

Ajo tregon se ishte e shtrirë në Kliniken Infektive kur mori thirrjen telefonike nga IKSHP e një gjë e tillë e habiti.

 “Më thirrën, më thanë je shëruar dhe tani mund të dalësh nga vetizolimi, unë në atë moment isha në gjendje tejet të rëndë dhe po trajtohesha në Infektive. I pyeta se ku po bazohen që jam shëruar, më thanë se kanë kaluar 14 ditë e sipas rekomandimeve të OBSH-së konsideroheni e shëruar. Me nervozizëm i tregova që unë jam duke u trajtuar dhe jam në gjendje të rëndë”. 

Tutje, qytetarja vazhdon duke treguar se tek pas 20 ditësh arriti të shërohet dhe ju bë ritestimi vetëm pasi denoncoi rastin pranë stafit mjekësor, por edhe udhëheqësve të IKSHPK-së.

E, një rast pak a shumë i ngjashëm, i kishte ndodhur edhe R.A. (emër i njohur për redaksinë), nga Prishtina. Ajo ka treguar se është ritestuar vetëm pasi ka gjetur një të njohur brenda IKSHPK-së.

“Unë isha me Coronavirus dhe po trajtohesha në shtëpi me udhëzimet e mjekut pasi gjendjen nuk e kisha edhe të rëndë. Mirëpo kisha nevojë të ritestohem pas 18 ditësh, pasi më duhej të sigurohesha që isha shëruar nga virusi, sepse duhej të dilja në punë. Ritestimi mu mohua kur kërkova, por ia dola të gjejë një person të njohshëm brenda IKSHPK-së dhe e bëra testin” – përfundon qytetarja.

Por skandalet nuk kanë të ndalur. Sipas burimeve të SYRI.net Kosovës, QMF-ve në Prishtinë u është kërkuar që të mos u rekomandojnë qytetarëve që të testohen për COVID-19,  përkundër simptomave që kanë. Kjo për shkak të numrit tejet të lartë të pacientëve që po kërkojnë ndihmë në këto qendra mjekësore. 

Është vet drejtori i IKSHPK-së,  Naser Ramadani, që e ka konfirmuar për media se nuk po bëhen ritestime dhe kjo po bëhet bazuar në një vendim të nxjerrë nga  Ministra e Shëndetësisë në korrik, atëherë kur filluan të rriten numrat me të infektuar. 

“Mungesa  e testeve ka bërë që të mos kemi ritestim” – është shprehur Ramadani. 

Në fillim të pandemisë, rekomandimet e para të OBSh-së ishin që një person të konsiderohej i shëruar dhe të lirohej nga izolimi, paraprakisht duhej të dilte negativ në dy testime me metodën PCR, ku distanca kohore mes dy testeve, duhej të ishte 24 orë.

Bazuar në të dhënat e IKSHPK, të publikuara më 23 nëntor, numri i përgjithshëm i të shëruarve ka arritur në 21.396.

Numri total i rasteve pozitive është 34.940 raste dhe 926 raste të vdekjes./Syri.net Kosova

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco