Rrëfimi i tmerrit/ Në mëngjes hanin e flisnin, në darkë i nxirrnin të vdekur

Rrëfimi i tmerrit/ Në mëngjes hanin e flisnin, në darkë i nxirrnin të vdekur

12:00, 08/08/2020 Nga Erdonit Hoxha

Pandemia COVID-19 që ka përfshirë gjithë botën, ka prekur edhe Kosovën, ani pse që në fillim është deklaruar se tek ne nuk ka kapacitete të shumta për menaxhimin e situatës, siç janë spitalet, vendi ku duhet shtrirë të sëmurët dhe stafi teknik, mjekë e infermierë të cilët janë në mungesë.

Duke qenë në një gjendje të tillë, të prekurit me COVID-19 duhet të kenë një përcjellës me vete, me gjasë një familjar, i/e cili/cila është i/e shëndoshë sa i përket virusit, por, me apo pa dëshirë duhet të rrijë 14 ditë me të sëmurin dhe të kujdeset për të, pra, ta luaj rolin e infermierit/ës.

Por, sa është sfiduese një përballje me COVID-19 për një person të shëndoshë që është detyruar të qëndrojë brenda katër mureve me të prekur me virus?

Për Syri.net Kosova, është rrëfyer një qytetare me inicialet M.B, e cila ka qenë përcjellësja e nënës së saj në spitalin e Neurologjisë në Prishtinë.

Ajo tregoi tmerrin që pa për 14 ditë, eksperiencë kjo që nuk do ta harrojë asnjëherë.

“Kur e kemi dërgu nanën në spital, ajo veç ka pas simptoma të këtij virusi, por, unë kam qenë 50 me 50 se a e ka apo jo, edhe pse nuk dojsha me pranu që e ka se nana ka edhe sëmundje tjera, siç janë tensioni e disa ndërhyrje kirurgjike që i ka bërë më herët dhe e kam ditë që nëse i del pozitiv rezultati, asaj ka me iu rreziku shëndeti shumë” tha ajo.

Me të marrë rezultatin që ishte pozitiv dhe me t’u shtrirë në spital zonja, përcjellësja e saj tha se aty ka filluar që ta kuptojë se çfarë ndikimi ka virusi dhe se çfarë tmerri përjetojnë ata që virusin e kanë në trup.

“Kur kemi hyrë në Neurologji, kam pa që COVIDI ekziston përnjëmend dhe për mua ka qenë shumë e frikshme. Në atë moment që e kam pa se çka po heqin njerëzit tjerë, unë nuk e kam mendu vetën më, kam mendu veç qysh me shpëtu nëna dhe me dal sa më shpejt prej atij spitali” shtoi tutje M.B.

Nën presion ajo ishte ndjerë edhe prej faktit se e ëma i ka kërkuar që të dal e ta lë atë vetë, por, përcjellësja nuk ka pranuar, pasi nuk ka mundur ta lë nënën në atë gjendje.

E pyetur për kushtet sanitare në spital, M.B tha se kjo gjë ka qenë një tjetër fakt që e ka tmerruar.

“Neve që ishim përcjellës nuk na kanë dhënë as bukë, infermieret na kërkonin falje, po faji s’ka qenë te ato. Kushtet në spital ishin shumë keq. Kanë qenë veç dy tualete, një për meshkuj një për femra. Atë e kanë përdorë edhe personat me COVID19, edhe ne që s’kemi qenë të infektuar. Në banjo nuk ka pas as dezinfektues, për me përdorë u deshtë me dezinfektu vet, qysh kemi mujt” tha ajo.

E rëndë për psikologjinë e saj ka qenë fakti për të qëndruar me tre të sëmura me Covid, duke mos pas as ku të flejë.

“Në një dhomë 3 me 4 kanë qenë tri të shtruara me virus dhe ne kemi qenë tri përcjellëse, ne është dashur t’iu rrimë gati, t’i dërgojmë edhe në banjo duke i kap për krahu dhe nuk kem pas mundësinë me mbajt distancë. Unë nuk kam guxu as me u mbështetë për muri e lere më të ulem diku. Kur ka ardh mbrëmja, i kemi pas dy karrige, edhe atë jo në gjendje të mirë dhe u deshtë me bë me rend me u ulë, pasi ne ishim tri, e karriket dy. Kemi qëndru për 14 ditë në atë gjendje, mos ta përmendi pjesën që s’kemi pas ku të pastrohemi, as ne, as pacientet të cilat u desht me i fshi me paloma të lagta” theksoi M.B.

Ndërsa, sa i përket stafit, përcjellësja ka parë një dallim të madh mes infermierëve dhe doktorëve.

“Infermieret kanë qenë shumë të mira, e kanë kry punën shumë mirë, edhe pse ka pas raste që janë vonu disa herë, për shembull për me ndrru infuzionin, motra nuk vinte ndoshta 30 minuta, jo që nuk ka deshtë, por, që nuk ka pas kohë se ka pas shumë pacientë. Ne mandej u deshke me ndërru vetë. E doktorët kanë ardhur një herë në vizitë në ora 8 në mëngjes edhe gjatë gjithë ditës nuk kanë qenë më. Bile, nuk tregofshin as për gjendjen e pacientes, duke na lënë në pritje e duke mos ditë asgjë, se a po përmirësohet apo po shkon duke u bërë më keq” ishin fjalët e saj.

Mungesa me barna ishte gjithashtu një problematikë që kjo qytetare është dashur ta zgjidhë vetë.

Gruaja në fjalë, sfiduese e ka parë edhe faktin se ka lënë bashkëshortin dhe fëmijët në shtëpi dhe është dashur të vijë e të kujdeset për nënën.

“I kam lënë në shtëpi burrin dhe fëmijët, por, kam komunikuar me ta në telefon dhe jam qetësu me faktin që janë mirë. E rëndë është, por, se mendojsha këtë pjesë. Se kam mendu as vetën, veç nana mu bë mirë, kjo ka qenë kryesorja” rrëfeu ajo.

Për gjatë qëndrimit në spital, përcjellësja tha se ka parë edhe shumë raste që e kanë tmerruar. Klithmat e pacientëve i kanë mbetur akoma në kokë dhe zërat e tyre drithërues e dëshpërues që kërkonin ndihmë, por, edhe të qarat e familjarëve tjerë që u vdisnin më të dashurit e tyre, ia kanë rënduar psikologjinë.

“”Ju lutem më ndihmoni, po më ndalet fryma, o nuk jam mirë” këta zëra më kanë mbetë në kokë kur pacientët kërkonin ndihmë nga stafi mjekësor pasi nuk i duronin dhimbjet. Kam parë njerëz që në mëngjes hanin e flisnin ndërsa në mbrëmje vinin dhe i nxjerrin të vdekur. Po ashtu, edhe zërat e familjarëve “O me vdiq baba” dhe të qarat e tyre i kam në kokë akoma, nuk po me hiqen prej mendje, se kam mundur edhe unë apo nëna ime me qenë në atë gjendje” tha ajo me një zë duke u dridhur.

Madje, ajo tha se kur e shihin pacientët në korridor, edhe asaj i kërkonin ndihmë.

“Më kërkonin ndihmë e nuk dija si t’iu ndihmoja. Mu kallke zemra kur i kam pa në atë gjendje e unë s’kam mundur të bëj asgjë. Tmerr ka qenë. Me i pa tri kufoma duke dal përnjëherë, nuk e di nuk po mundem me besu tash që kam mujt me i përballu ato pamje” shtoi tutje përcjellësja duke qarë.

Duke qenë se ka pasur një përjetim të tillë, M.B për Syri.net Kosova tha se nuk është penduar që nuk e ka lënë nënën vetë. Madje, ajo theksoi se është e lumtur që ka bërë një gjest të tillë dhe është falënderuese edhe ndaj pjesës tjetër të familjes që e ka mbështetur financiarisht dhe moralisht.

Zonja ka dalë me shëndet të mirë nga spitali dhe përcjellësja M.B ka shkuar në vetë izolim. Ajo tha se ka nisur të ketë simptoma dhe se do e bëj testin ashtu siç ia kanë rekomanduar doktorët.

Në fund, M.B bëri apel të të gjithë qytetarët që të besojnë se ka virus dhe t’i respektojnë masat, të paktën maskën.

“Distancë dhe maskë duhet me mbajtë gjithqysh. Prej momentit që kam hy në spital e deri jam dal kam pa gjithçka, virus ka, virusi po merr jetë, keni kujdes për vete dhe për familjarët tuaj. Mos lejoni me shku deri në atë shkallë se është shumë e rëndë” rekomandoi ajo.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco