Ja e vërteta e vdekjes së lehonës me COVID-19

Ja e vërteta e vdekjes së lehonës me COVID-19

15:28, 13/07/2020 Nga AZH

Të premten e shkuar ndërroi jetë lehona 21 vjeçare nga Podujeva e infektuar me Coranvirus. E ndjera ishte në gjendje tejet të rëndë dhe se për këtë duhej ndërhyrja që së paku të shpëtohet foshnja.

Me të dalur lajmi në media në rrjetet sociale, filluan komentet nga më të ndryshmet duke hedhur spekulime për mënyrën e trajtimit të së ndjerës nga ana e Klinikës Gjinekologjike në Prishtinë.

U tha që e ndjera D.P. kishte qëndruar në këtë klinikë dhe se nuk kishte marrë trajtimin e duhur nga stafi mjekësor.

Por Syri.net Kosova ka arritur të sigurojë raportin që drejtori i Klinikës së Gjinkelogjisë, dr. Jakup Ismaili, ia ka dërguar u.d. të drejtorit SHSKUK, Valbon Krasniqit, ku në të ipen detaje se kur është pranuar dhe si është trajtuar pacientja në fjalë.

Në raport thuhet se e ndjera ishte paraqitur në Gjinekologji me datën 8 korrik 2020 rreth orës 21:25 me ankesa për dhimbje dhe temperaturë 38.2C dhe se gjatë amnezës ka treguar që është testuar për COVID-19 dhe është në pritje të rezultatit.

Për shkak të gjendjes, pacienti pranohet në klinikë dhe menjëherë dërgohet në dhomën e ndarë për Covid-19 me diagnozë Grav hbd 35 + 3, i dyshuar për Covid-19.

Në raport thuhet se janë bërë gjitha ekzaminimet obstetrike dhe ultratingulli i fetusit. Në konsultim me pulmologun me 8 korrik në ora 22:25 përshkruhet terapia, me ç’rast kërkohet edhe konsultimi i infektologut.

Në orën 23:45, pas ekzaminimit nga infektologu dhe njoftimit nga IKSHP, konstatohet se pacientja duhet të transferohet në Kliniken Infektive, ku paraprakisht merret mendimi i anesteziologut – thuhet në raport.

Tutje, me datën 10 korrik, e ndjera ishte shtrirë në Mjekësinë Sportive për shkak të gjendjes së rënduar, prandaj KOGJ kishte dërguar specialist dhe mami për ekzaminim obstetrikal. Në po këtë ditë në orën 12:30, për shkak të gjendjes së rënduar, vendoset që të kryhet lindja e parakohshme me prerje cezariane e që realizohet në sallën e dedikuar për pacientet me COVID-19 në KOGJ.

Merret edhe pëlqimi i bashkëshortit dhe babait të së ndjerës, ku në orën 17:22 kryhet edhe lindja. Pas ndërhyrjes, pacientja sërish rikthehet në Mjekësinë Sportive e intubuar dhe me gjendje shumë të rëndë.

Në raportin e siguruar nga Syri.net Kosova thuhet se ndërhyrja kirurgjike kaloi pa komplikime dhe është transferuar në Mjekësinë Sportive për përkujdesje intensive dhe e intubuar në gjendje shumë të rëndë.

Kurse përgjegjësi për funksionalizimin e Njësisë Intensive në Qendrën e Mjekësisë Sportive, Dr. Gazmend Spahija, ka thënë se e ndjera ka ndërruar jetë të premtën gjatë mbrëmjes dhe se gjendja e saj ka qenë tejet e rëndë përkundër të gjitha përpjekeve për ta mbajtur në jetë.

“Pacientja ka qenë e intubuar dhe se gjendja ka qenë tejet e rëndë. Fatkeqësisht të gjitha përpjekjet tona nuk kanë rezultuar të suksesshme. Faktikisht të gjithë pacientët në MS janë në gjendje shumë të rëndë dhe së është dera e fundit në të cilën vijnë këta pacientë” – ka përfunduar Spahija.

Syri.net Kosova ka kontaktuar me drejtorin e klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci, për të kuptuar për gjendjen e foshnjës. Ai ka thënë se gjendja është stabile dhe po pritet rezultati i testit për COVID-19.

“Foshnja ka lindur me peshë 2530g dhe me parametra shumë të dobët, por tani është në gjendje stabile dhe sot i është bërë testi për COVID-19 dhe jemi në pritje të rezultateve” – ka thënë Gojnovci./Syri.net Kosova

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco