Çfarë është ‘Projekti Manhattan’ për të luftuar Covid-19

Çfarë është ‘Projekti Manhattan’ për të luftuar Covid-19

17:03, 28/04/2020

Nga James Rogers, Fox News

Një grup i vogël shkencëtarësh dhe miliarderësh janë bashkuar në një projekt ambicioz për të luftuar pandeminë e koronavirusit.

Puna e këtij grupi është përshkruar si ‘Projekti Manhattan’ për Covid-19, një referencë te përpjekjet e famshme për të prodhuar bombën bërthamore. Grupi udhëhiqet nga mjeku i kthyer në biznesmen, Thomas Cahill, sipas Wall Street Journal.

Një dokument i shkruar nga grupi, që e quan veten ‘Shkencëtarët për Ndalimin e COVID-19’ nënvizon planin e tyre për të luftuar pandeminë.

Cahill, partner i kompanisë së shkencave natyrore Newpath Partners, ka ngritur grupin eklektik ku përfshihet edhe Nobelisti Michael Rosbash, një neuroshkencëtar dhe profesor i biologjisë në Universitetin Brandeis.

Profesori i kimisë dhe biologjisë kimike, Stuart Schreiber është po ashtu anëtar i grupit. Njësoj si Rosbach, Schreiber është po ashtu hetues i Institutit Mjekësor “Howard Hughes”.

Lidhjet e Cahill, përfshi miliarderët Peter Thiel dhe Michael Milken i kanë dhënë atij legjitimitet për të kontaktuar me zyrtarët në zemër të betejës ndaj koronavirusit.

Wall Street Journal raporton se grupi po vepron si një bord rishikimi ad-hoc në ‘lumin’ e madh të kërkimeve për koronavirusin, duke përzgjedhur materialet që duhet të kalojnë te politikbërësit. Gjatë muajit të shkuar, grupi ka këshilluar vazhdimisht Nick Ayers, një këshilltar të vjetër të zëvendëspresidentit Mike Pence, si dhe krerët e agjencive.

Pence është drejtues i task-forcës për koronavirusin në SHBA.

Në planin e tyre, shkencëtarët ofrojnë katër propozime për të prodhuar mjekime dhe vaksina efektive kundër koronavirusit në kohën më të shkurtër të mundshme, që të rihapet shoqëria dhe të reduktohen rreziqet për shpërthime të tjera nga Covid-19.

Plani mban datat ‘Mars dhe Prill 2020’.

Propozimet përfshijnë një valë të parë me terapi duke përdorur ilaçe ekzistuese me qëllim krijimin e bazës së parë në luftën kundër virusit, dhe një valë të dytë me ilaçe të fuqishme antitrupash, të krijuara posaçërisht për të neutralizuar Covid-19. Ilaçet, thotë grupi, do të ofrojnë një kombinim premtues mes shpejtësisë, sigurisë dhe gjasave për të qenë efektive.

Një valë e tretë me vaksina për fitoren afatgjatë mbi virusin do të ofrojë imunitet sezonal ose shumëvjeçar ndaj Covid-19, thuhet në plan. Autorët e planit thonë gjithashtu se rihapja e bizneseve dhe shkollave duhet të përdorë shkencërisht raportimin për simptomat, testimet dhe mjetet personale mbrojtëse për të minimizuar shpërthimet e ardhshme të Covid-19 dhe humbjet shtesë të jetës.

Gripi thotë se testimi për valën e parë të ilaçeve duhet të ndodhë nga prilli deri në maj të vitit 2020, me përdorim direkt më pas. Testimi për valën e dytë të ilaçeve me antitrupa duhet të bëhet nga qershori deri në gusht të vitit 2020, me përdorim menjëherë pas kësaj.

Plani gjithashtu bën thirrje për testimin e valës së tretë të vaksinave deri në mars 2021, me përdorim menjëherë pas kësaj. Rihapja e bizneseve dhe shkollave mund të zbatohet nga maji deri në qershor 2020, me masat që shkencëtarët thonë se do zgjasin derisa të kalojë kërcënimi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco