Qendra ruse për reagim ndaj krizave njoftoi se në vendin më të madhe në botë me territor është shënuar rekord i ri i infektimeve dhe vdekjeve nga koronavirusi për 24 orë.
Ky shtet tashmë ia ka kaluar Kinës dhe Iranit sa i përket numrit të infektimeve.
Vetëm gjatë 24 orëve të kaluara, në Rusi u shënuan 6,411 raste të reja të infektimeve dhe 72 viktima. Në këtë mënyrë, numri i përgjithshëm i të infektuarve shkoi në 93,558, ndërsa shifra e të vdekurve në 867, shkruan “Reuters”.
Shifrat e reja e vendosin Rusinë në vendin e tetë në botë për numrin më të madh të infektimeve, ndonëse ende ka shumë më pak viktima se vendet që janë prekur më së shumti, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Italinë, Spanjën dhe Francën.
Rusia ndodhet në ngujim që nga fundi i marsit dhe presidenti Vladimir Putin pritet të njoftojë nëse kjo masë do të zgjatet edhe përtej datës 30 prill, kur është planifikuar të përfundojë. Ai do të mbajë një fjalim më vonë të martën.
Autoritetet po nguten që t’i shndërrojnë spitalet e zakonshme në hapësira të përshtatshme për pacientët me koronavirus si dhe të ndërtojnë spitale e qendra të reja shëndetësore për shkak të rritjes së numrit të rasteve.
© SYRI.net