Ja se si trajtohen pacientët e infektuar më COVID-19 në Kosovë

Ja se si trajtohen pacientët e infektuar më COVID-19 në Kosovë

18:14, 09/04/2020 Nga A.ZH

Coronavirusi po vazhdon të marrë jetë njerëzish në pothuajse gjithë botën. E këtij trendi nuk i ka shpëtuar as Kosova, që deri më tani janë shënuar gjashtë viktima.

Deri më tani në vendin tonë janë të infektuar 224 persona nga të cilët 37 janë të shëruar. Terapia të cilën po e aplikojnë mjekët kosovarë po del të jetë e suksesshme.

Në një intervistë për SYRI.net Kosovën, infektologu Valbon Krasniqi ka treguar për mënyrën e trajtimit të pacienteve të infektuar me COVID-19, që janë të shtrirë në Klinikën Infektive.

“Në Klinikën tonë, nga dita e parë kur u konfirmuar pacienti i parë, janë trajtuar më pak se 80 raste. Duket që nuk do të ketë nevojë që jo të gjithë pacientët e prekur me virusin do të duhet të vijnë në klinikë për shërim. Shumica mbase do ta kalojnë në forma të lehta apo të moderuara nëpër shtëpitë e tyre pa pasur nevojë të vijnë në klinikë. Pacientët që vijnë në klinikë i ndajmë në tri kategori: të sëmurë të lehtë, të rëndë dhe kritikë. Për pacientët me forma të lehta të sëmundjes, që nuk kanë pneumoni, por vetëm simptome të vetëm rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, atëherë terapia është simptomatike. U japim infuzione, analgjetikë, kundër temperaturës, pastaj për t’ua qetësuar kollën, dhe ua monitorojmë gjendjen e tyre shëndetësore. Për pacientët që kanë ndërlikime në mushkëri, atëherë zbatojmë protokollin që po zbatohet sidomos në Evropë, ku japim hidroksiklorokikës me azitromicin. Pra, krahas terapisë së rregullt, e japim edhe këtë terapi. Rezultatet e para janë inkurajuese për këtë terapi. Por, nëse gjendja e pacientit përkeqësohet më tutje, atëherë pacientët vendosen në oksigjeno-terapi, apo nëse përkeqësohet edhe më tej, e vendosim në kujdesin intensiv që sipas nevojës e kyçim në aparat respirator”, theksoi ai.

Infektologu Krasniqi, më tutje tregoi se edhe për rastet e fëmijëve janë munduar të ndjekin protokollin e njëjtë, por që fatmirësisht nuk kanë treguar simptoma të rënda të sëmundjes.

“Fatmirësisht foshnja 5 muajsh por edhe fëmijët 1 vjeç e 6 nuk kanë treguar simptoma të rënda të sëmundjes dhe nuk ka pasur nevojë për terapi antivirale, sepse gjendja e tyre ka qenë e mirë dhe e kanë kaluar me terapi mbështetëse ose simptomatike, siç janë paracetamoli dhe vitamina C’, theksoi ai për SYRI.net Kosova.

Por përkundër rezultateve të mira që ka treguar kjo terapi, Krasniqi thotë se mënyra më e mirë për të luftuar virusin COVID-19  është parandalimi.

“Deri sa ende nuk është zbuluar ilaçi , e madje e zbulimi i vaksinës është larg, ne po mundohemi të ndjekim protokollet evropiane, por e ritheksoj mënyra më e mirë për të luftuar këtë virus është parandalimi i tij duke respektuar udhëzimet me rigorozitet masat dhe rekomandimet, pasi që s’ka asnjë ilaç efikas që e lufton këtë infeksion. Prandaj, arma e vetme është parandalimi, dhe kjo nënkupton qëndrimin në shtëpi, shmangien e kontaktit me personat e tjerë”, tha ai.

 Krasniqi tha se në këtë klinikë janë 38 pacientë me COVID-19 dhe se gjendja shëndetësore e tyre është në përgjithësi e mirë, me përjashtim të tre prej tyre që janë në gjendje kritike.

Po ashtu, ai tha se janë edhe 5 pacientë tjerë që po asistohen me oksigjeno-terapi krahas terapisë së tyre të rregullt.

“Sa i përket respiratorëve, deri më tani s’kemi pasur nevojë që asnjë pacient ta dërgojmë jashtë klinikës”.

Krasniqi tha se lufta  të bëhet që të mos vije puna te përdorimi i respiratorit, për shkak se “nuk ka studime që flasin për rezultate të mira të pacientëve që kanë nevojë për respirator”.

Ai tha se janë dy raste kur pacienti konsiderohet i shëruar.

“Kemi shërimin klinik, kur qetësohet dhimbja, kollitja dhe kur pacienti s’ka temperaturë. Për ta konsideruar plotësisht të shëruar një pacient, ne i bëjmë edhe dy teste të detektimit eventual të virusit te pacienti, dhe nëse të dyja rezultojë negativë, atëherë e konsiderojë edhe mikrobiologjikisht të shëruar. Pas shërimit, pacientët rekomandohen të vazhdojnë kujdesin”, deklaroi për SYRI.net Kosovën.

Pasojat e personave të prekur dhe të shëruar nga COVID-19, ende nuk dihen, sepse, siç tha Krasniqi, është ende virus i ri.

Por, ai tha se gjasat janë që pacientët që kanë pasur sëmundje paraprake, mund të kenë komplikime në sistemin e frymëmarrjes.

Sipas tij, këto janë javët kur pritet numër më i madh i të infektuarve dhe numër në rritje të viktimave.

Ai tha se nga gjysma e prillit e tutje, pritet fluks më i madh i pacientëve.

“Dy javët e ardhshme do të jenë vendimtare sa i përket rrjedhës së pandemisë. Do të shohim brenda gjysmës së prillit se sa qytetarët i kanë respektuar masat dhe rekomandimet. Epidemia nuk do të përfundojë në gjysmën e muajit prill, me siguri, por po shpresojmë që kah fundi i prillit ët kemi ulje të intensitetit të COVID-19”, u shpreh ai në një prononcim për SYRI.net Kosovën.

I pyetur se kur do mund të themi se do të tejkalohet kjo situatë, infektologu Krasniqi tha se s’ka përgjigje të saktë se kur do të tejkalohet kjo situatë, megjithatë ai tha se Kosova i ka disa përparësi.

 “Virusi ka ardhur vonë tek ne. Kemi bërë mirë që i kemi mbyllur shkollat pa u konfirmuar asnjë rast. Vet ardhja me vonesë e virusit tek ne, na ka dhënë kohë të përgatitemi paraprakisht”, u shpreh infektologu i Klinikës Infektive, Valbon Krasniqi.

Ndërkohë, për luftimin e pandemisë, ministria i Shëndetësisë, Arben Vitia kishte thënë se janë në diskutim me disa kompani për sigurimin e dy ilaçeve Remdesivir dhe Faviopiravir.

Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë në një prononcim për SYRI.net Kosovën ka thënë se këto dy ilaçe janë në faza të eksperimentimit dhe sipas rekomandimeve të OBSh-së dhe Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Infektive, nuk janë aprovuar për përdorim të gjerë.

“Ilaçet e tjera janë kryesisht në fazat e eksperimentimit të ndryshme dhe varësisht se çfarë do të bëjnë shtetet e tjera, çfarë do të rekomandojë OBSh-ja dhe Qendra Evropiane për Parandalim dhe Kontrollin e Sëmundjeve Infektive, ashtu do të veprojë edhe Kosova. Ato janë gjithashtu në faza të eksperimentimit dhe Ministria ka pasur kontakte me njërën nga kompanitë që e prodhon njërin, por ata kanë rekomanduar që tash për momentin ky ilaç nuk është i aprovuar për një përdorim të gjerë dhe më shumë ka qenë në një lloj testimi”- ka thënë Hoti.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco