Asnjë ndërhyrje ushtarake në Libi/ Udhëheqësit botëror: Embargo armësh ndaj palëve ndërluftuese

Asnjë ndërhyrje ushtarake në Libi/ Udhëheqësit botëror: Embargo armësh ndaj palëve ndërluftuese

20:25, 21/01/2020

Udhëheqësit botërorë kanë rënë dakord të mos japin asnjë mbështetje të mëtejshme ushtarake për palët ndërluftuese në Libi dhe të sanksionojnë ata që shkelin embargon e armëve.

Por nuk pati asnjë angazhim për të tërhequr mbështetjen ekzistuese ushtarake, raporton VOA.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo përfaqësoi Shtetet e Bashkuara në samitin e zhvilluar të dielën në Berlin në një përpjekje tjetër drejt paqes në një vend të ndarë, ku gjenerali Khalifa Haftar sfidon qeverinë e mbështetur nga Kombet e Bashkuara në Tripoli.

Në fund të samitit të dielën, Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se të gjithë pjesëmarrësit, përfshirë palët me interes në konfliktin e Libisë, kanë rënë dakord se paqja në Libi mund të arrihet vetëm përmes bisedimeve, e jo me përdorimin e forcës ushtarake.

"Ne duhet të sigurohemi që të gjitha palët që janë në një farë mënyre të lidhura me konfliktin, të flasin me një zë. Ky ishte qëllimi i konferencës së sotme. Sepse vetëm atëherë palët brenda Libisë do të kuptojnë gjithashtu se ekziston vetëm një rrugë zgjidhje – jo ushtarake. Dhe ne e kemi arritur këtë rezultat", tha kancelarja Merkel.

Samiti u thirr pasi një armëpushim tentativë i ndërmjetësuar nga Rusia dhe Turqia një javë më parë dështoi. Gjenerali i fuqishëm i Libisë Haftar po kontrollon lindjen e vendit dhe mbështetet nga Rusia, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Qeveria në Tripoli, e udhëhequr nga Fayez al-Sarraj mbështetet nga Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara, pjesë të Bashkimit Evropian dhe Turqia. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan falënderoi zotin Sarraj për pranimin e armëpushimit dhe i kërkoi Haftarit të bënte të njëjtën gjë.

“Në mënyrë që fazat e tjera të procesit politik dhe zgjidhja të zbatohen, është e nevojshme që Haftari t'i japë fund qëndrimit të tij agresiv", tha presidenti turk.

Njoftimet e lajmeve thonë se forcat e Haftarit të shtunën bllokuan eksportet e naftës nga portet kryesore dhe se të dielën, pasi filloi konferenca, ata mbyllën naftësjellësat në Libi. Nafta është një nga burimet kryesore të të ardhurave në Libi.

Kryeministri britanik Boris Johnson tha se libianët kanë vuajtur mjaft në atë që ai e quajti një "konflikt përmes palëve të treta".

"Konflikte të tilla përfundojnë vetëm kur përfaqësuesit e jashtëm vendosin se duan ta përfundojnë atë. Ky është argumenti që po diskuton Mbretëria e Bashkuar. Është turp që ky konflikt ka vazhduar për një kohë kaq të gjatë, pasi eliminuam Gadhafin në vitin 2011. Është koha për ta sjellë Libinë së bashku nën vëzhgimin e Kombeve të Bashkuara".

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco