Danimarka largon nga tregu disa produkte koreane si tmerrësisht pikante

Danimarka largon nga tregu disa produkte koreane si tmerrësisht pikante

14:34, 12/06/2024

Danimarka ka hequr disa produkte pikante ramen nga kompania koreano-jugore Samyang, duke pretenduar se nivelet e kapsaicinës në to mund të helmojnë konsumatorët.

Tre shije përvëluese të linjës ramen të Samyang po tërhiqen: Buldak 3x Spicy & Hot Chicken, 2x Spicy & Hot Chicken and Hot Chicken Stew.

Agjencia ushqimore e Danimarkës e bëri paralajmërimin të martën, duke u kërkuar konsumatorëve që të mos e marrin produktin.

Por prodhuesi Samyang thotë se nuk ka asnjë problem me cilësinë e ushqimit.

"Ne e kuptojmë se autoriteti danez i ushqimit i tërhoqi produktet, jo për shkak të një problemi në cilësinë e tyre, por sepse ato ishin shumë pikante," tha firma në një deklaratë për BBC.

"Produktet po eksportohen globalisht. Por kjo është hera e parë që tërhiqen për arsyen e mësipërme."

Nuk dihet nëse ndonjë incident specifik në Danimarkë i ka shtyrë autoritetet atje të ndërmarrin veprime.

Administrata Daneze e Veterinarisë dhe Ushqimit tha se kishte vlerësuar nivelet e kapsaicinës në një paketë të vetme si "aq të larta sa që paraqesin rrezik që konsumatori të zhvillojë helmim akut".

"Nëse i keni produktet, duhet t'i hidhni ato ose t'i ktheni në dyqanin ku janë blerë", thuhet në një deklaratë.

Gjithashtu theksoi paralajmërimin për fëmijët, për të cilët ushqimi jashtëzakonisht pikant mund të shkaktojë dëm.

Njoftimi ka ngjallur diskutime të ndezura në internet me shumë reagime argëtuese nga adhuruesit e ushqimeve pikante. Shumë prej tyre kanë bërë pohime për tolerancën e ulët të danezëve ndaj erëzave.

"Kisha një mik nga Danimarka që mendonte se karkaleci pa shije me pak piper të bluar mbi të ishte shumë pikant. Nuk është çudi që ata mendojnë se ky ramen është helm," shkruhej në një koment shumë të pëlqyer në një forum ramen të Reddit.

Samyang tha se planifikoi të "shikojë nga afër rregulloret vendore" në Danimarkë dhe të përgjigjet pas kësaj.

Makaronat e kësaj natyre nuk duket se janë tërhequr më parë në ndonjë vend tjetër dhe as nuk janë dhënë paralajmërime të tjera sigurie.

Kapsaicina është përbërësi kimik i specave djegës i cili krijon ndjesinë e djegies.

Kur njerëzit hanë speca, kapsaicina lëshohet në pështymë dhe lidhet me receptorët në gojë.

Samyang është një prodhues i madh ushqimesh në Korenë e Jugut, i cili e quan veten si kompania e parë në vend që krijoi makarona në çast, në vitet 1960.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco