'Një akt kundër njerëzimit': Liderët evropianë dënojnë sulmin ndaj digës së madhe në Ukrainë

'Një akt kundër njerëzimit': Liderët evropianë dënojnë sulmin ndaj digës së madhe në Ukrainë

16:42, 06/06/2023

Sulmi në digën Nova Kakhovka në jug të Ukrainës është pritur me tronditje dhe zemërim në të gjithë Evropën.

Bashkimi Evropian e ka dënuar me forcë sulmin në digën Nova Kakhovka, duke e quajtur atë një "akt kundër njerëzimit" dhe duke paralajmëruar se mund të përbëjë një krim lufte sipas ligjit ndërkombëtar.

Shkatërrimi i digës së epokës sovjetike, e cila ndodhet në pjesën e kontrolluar nga Rusia në jug të Ukrainës ka detyruar evakuimin e mijëra njerëzve në rajonin Kherson, të cilët jetojnë në zonat e rrezikuara nga përmbytja.

Autoritetet ushtarake të Ukrainës thanë se infrastruktura u sulmua nga forcat ruse, një pretendim që nuk u pranua nga Moska.

"Sulmet e Rusisë kundër infrastrukturës kritike civile ukrainase arritën një nivel të paprecedentë sot," tha Josep Borrell, shefi i Politikës së Jashtme të BE-së dhe komisioneri për menaxhimin e krizave Janez Lenarcic në një deklaratë të përbashkët reagimi.

"Bashkimi Evropian e dënon këtë sulm në termat më të ashpër të mundshëm. Ai përfaqëson një dimension të ri të mizorive ruse dhe mund të përbëjë një shkelje të ligjit ndërkombëtar, veçanërisht të së drejtës ndërkombëtare humanitare."

Borrell paralajmëroi se sulmi mund të ketë një ndikim negativ në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia, i cili mbështetet në rezervuarin Kakhovka për ujin ftohës.

Centrali bërthamor është më i madhi i këtij lloji në Evropë dhe ka qenë në qendër të tensioneve ushtarake që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë.

"Sulmet ndaj infrastrukturës kritike civile mund të përbëjnë krime lufte," shtuan Borrell dhe Lenarçiç.

Gjatë një konference për shtyp të martën pasdite, Peter Stano, zëdhënësi i Borrell, e përshkroi sulmin si "të tmerrshëm" dhe "barbar".

Në të gjithë Evropën, reagimet më kritike erdhën pasi përmasa e shkatërrimit u bë më e qartë.

"Janë fëmijët, gratë (dhe) burrat e Ukrainës që do të vuajnë pasojat e shkatërrimit të tmerrshëm të hidrocentralit Nova Kakhovka," tha Roberta Metsola, presidente e Parlamentit Evropian.

"Ky është një akt kundër njerëzimit. Një krim lufte të cilin ne nuk mund ta lëmë pa përgjigje."

Image

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco