Postoi foto të papërshtatshme, kryeministri japonez përjashton djalin e tij nga puna

Postoi foto të papërshtatshme, kryeministri japonez përjashton djalin e tij nga puna

17:43, 30/05/2023

Djali i madh i Fumio Kishida, kryeministrit japonez, është shkarkuar nga posti i sekretarit të tij ekzekutiv të politikave pasi përdori rezidencën zyrtare të liderit për një festë private.

Sipas mediave të huaja, fotot e publikuara treguan djalin e tij Shotaro dhe rreth 10 të afërm të tij duke pozuar tek shkallët simbolike të rezidencës.

Image

“Si sekretar për çështjet politike [të kryeministrit], një pozicion publik, veprimet e tij ishin të papërshtatshme dhe vendosa ta zëvendësoja për ta marrë përgjegjësinë”, ka thënë Kishida të hënën mbrëma. “Sigurisht, përgjegjësia për emërimin bie mbi mua”, shtoi ai.

Ai tha se djali i tij do të zëvendësohet nga ndihmësi i tij personal, Takayoshi Yamamoto.

Kishida pranoi se kishte përshëndetur shkurtimisht të ftuarit, por tha se nuk kishte qëndruar për darkën.

Ndërkohë sekretari kryesor i kabinetit, Hirokazu Matsuno, e kishte përshkruar më parë ngjarjen si “të papërshtatshme” dhe premtoi se do të siguronte që rezidenca të mos përdorej përsëri në mënyrë të pahijshme.

Ndërtesa gati 100-vjeçare ka shërbyer më parë si zyra e kryeministrit dhe u shndërrua në rezidencë në vitin 2005 kur u ndërtua një zyrë e re.

Nuk është hera e parë që Shotaro, 32 vjeç, kritikohet për shpërdorim të detyrës zyrtare. Në janar, ndërsa shoqëronte të atin, ai u qortua për përdorimin e makinave të ambasadës për udhëtime private në Britani dhe Paris dhe për blerjen e suvenireve për anëtarët e kabinetit në një dyqan luksoz në Londër.

Kishida tha se e kishte qortuar ashpër djalin e tij për festën, por kjo nuk arriti të shuante kritikat e publikut dhe deputetëve të opozitës, të cilët e akuzuan atë për nepotizëm.

Shotaro filloi të punonte për babanë e tij në mars 2020 pasi la punën e tij në një shtëpi tregtare, me Kishida që këmbënguli se ai kishte emëruar djalin e tij për shkak të “personalitetit dhe mprehtësisë së tij”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco