Europa dhe Brexit

Europa dhe Brexit

07:30, 01/04/2023

Pas shtatë vitesh bisedime për Brexit, Europa ka dalë një fitimtare e qartë. Të paktën debati ka mbaruar, shkruan The Economist

Në vitin 2020, Britania sajoi një taktikë të re për të ofenduar fqinjët europianë, një hobi që e ka pasur traditë prej kohësh. Diplomatit që përfaqëson BE-në në Londër, iu mohua grada si një ambasador i plotë, një status që blloku e ka pasur gjithmonë, pavarësisht se nuk është një shtet i mirëfilltë.

Në vend të kësaj, ambasadorit nga Brukseli, do t’i jepej statusi më i ulët si një i dërguar i thjeshtë i një organizate ndërkombëtare, duke ulur pozicionin e tij si diplomat. (Plani u hodh poshtë më vonë, pasi BE-ja ia ktheu me të njëjtën monedhë).

Ditët e fundit ishin shumë ndryshe, pasi kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, u ftua të takonte mbretin Charles III, në Kështjellën Windsor. Harrojini ankesat e bezdisshme të gazetave të thashethemeve për eurokratët e pazgjedhur; një ndihmës mbretëror e quajti Von de Leyen një “udhëheqëse botërore”. Mesa duket, Britania ka nxjerrë mësim nga rrengjet e kota diplomatike ndaj BE-së.

Vizita e zonjës Von der Leyen ishte historike. Ajo arriti një marrëveshje me kryeministrin britanik Rishi Sunak, për trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me Irlandën e Veriut.

Kjo kishte qenë pjesa e fundit dhe më e koklavitur e enigmës së Brexit, sepse rajoni duhet të mbetet njëkohësisht pjesë e tregut të përbashkët të BE-së dhe atij të Mbretërisë së Bashkuar, për të shmangur nevojën për vendosjen e kufijve të rreptë, që më parë kanë qenë shumë problematikë për Irlandën.

Marrëveshja e ndërlikuar që u arrit, më në fund gjeti një zgjidhje për këtë çështje. Divorci midis Britanisë dhe Europës ishte shpallur ligjërisht që në vitin 2020, katër vjet pas referendumit në qershor 2016. Por vetëm tani u bënë të qarta rregullat.

 

A ka një fitues?!

Analistët janë zhytur në marrëveshjen e arritur, e quajtur “korniza Windsor”, duke e shqyrtuar atë fije për pe. Ajo të krijon përshtypjen e një marrëveshjeje të baraspeshuar, që i lejon të dyja palët të ruajnë imazhin dhe të ecin përpara. Megjithatë, po të vështrojmë Brexit në tërësi dhe mënyrën se si është diskutuar gjatë këtyre shtatë viteve të fundit, të krijohet një përshtypje krejt e ndryshme.

Mjafton t’i hedhim një sy kastit të pranishëm të politikanëve në fazën përfundimtare të bisedimeve të Brexit, për të krijuar një ide se cila anë ka përjetuar më tepër vështirësi që nga fillimi i bisedimeve.

Zoti Sunak është kryeministri i pestë i Britanisë që nga koha e referendumit për Brexit dhe Partia e tij Konservatore, pret një disfatë të madhe vitin e ardhshëm, dhe një arsye kryesore për këtë, janë mosmarrëveshjet e pafundme për Brexit.

Në të kundërt, zonja von der Leyen është vetëm personi i dytë në postin e vet që nga ajo kohë, dhe ndoshta do të fitojë edhe një tjetër mandat pesëvjeçar pranverën e ardhshme. Mënyra si Britania u largua nga BE-ja, është kthyer në një psikodramë kombëtare. Sondazhet tregojnë se shumica e britanikëve, tani mendojnë se largimi nga blloku ishte një gabim.

Ndërsa në Bruksel, ballafaqimi me kthesën e fundit të Britanisë, ishte thjesht një nga pikat e shumta të axhendës së ditës.

Përkrahësit e Brexit më parë kishin pretenduar se Londra do të “zotëronte të gjitha kartat e lojës” në bisedimet me BE-në. Në fakt, e kundërta doli se ishte e vërtetë. Britania pandehu se do arrinte të dilte nga Bashkimi Europian, duke ruajtur të gjitha përfitimet që dëshironte, si për shembull qasjen në tregun e përbashkët. Apo nuk e donte këtë?

Në të vërtetë, askush nuk e kuptoi tamam, se çfarë dëshironte në të vërtetë Britania. Përcaktimi i saktë i prioriteteve nuk u interesonte njerëzve si Boris Johnson, ish-kryeministrit britanik me flokë të shpupurisur, i cili drejtoi Britaninë gjatë pjesës më të madhe të bisedimeve Brexit, duke nxitur edhe më tepër turbullira dhe diskutime të kota. Shumë analistë paralajmëronin se Britania po kërkonte qiqra në hell, nga një pozicion i pafavorshëm.

Delegatët britanikë mbërrinin nëpër negociatat e Brexit, me ide të paqarta për t’u trajtuar si Zvicra apo si Ukraina. Përballë tyre ndodheshin eurokratë me përvojë të thellë, që mbanin valixhe të mbushura me dokumente informuese, gati për t’i treguar Britanisë me fakte konkrete se përse kërkesat e saj nuk do të realizoheshin.

 

BE-ja meriton lëvdata

Negociatat nuk kanë qenë të përsosura, megjithatë BE-ja meriton lëvdata. Synimet e saj ishin të qarta: Brexit duhet të jetë një ngjarje që ndodh vetëm një herë, jo të shërbejë si shembull i mirë paraardhës. Çdo shtet brenda BE-së, nuk duhej të kishte dyshim se nëse do të largohej nga blloku, do të ndodhej në një gjendje më të keqe.

Për ta arritur këtë, Britanisë i duhej dhënë një marrëveshje e papërpunuar. Londra nga ana tjetër, kishte shpresuar se me largimin e saj, do të arrinte të përçante 27 shtetet anëtare brenda BE-së dhe të përfitonte një marrëveshje të volitshme.

Britania, e cila zakonisht ka qenë një negociatore e zgjuar që ka arritur të mbrojë interesat e veta për 47 vjet si një anëtare e bllokut, doli se ishte e paaftë të negocionte kundër tij, si një vend i jashtëm.

Michel Barnier, ish-ministër i Jashtëm francez, i cili u emërua si kryenegociatori i BE-së për Brexit, siguroi që kryeqytetet kombëtare të mbaheshin plotësisht të përditësuara në lidhje me bisedimet.

Kur erdhi puna te vështirësitë e arritjes së një marrëveshjeje në lidhje me kushtet, BE-ja arriti të triumfonte duke shfrytëzuar reputacionin e saj si një burokraci jofleksibël dhe e ngurtë, që i sheh gjërat bardhezi. Shtetet që kërkojnë t’i bashkohen BE-së, e njohin mirë këtë qasje: “Ja se çfarë duhet të bësh, tani bëje”.

Kjo qasje u riciklua për të vetmin vend që u përpoq të largohej. Pasi 27 shtetet brenda bllokut e vendosën mes tyre se çfarë mendonin se ishte e drejtë, Britania nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të përpiqej të kalonte nëpër pengesat e krijuara nga kundërshtarët e saj negociues.

Situata u bë e qartë që në fillim. Britania duhej të pranonte të paguante mbi 35 miliardë paund (42 miliardë dollarë), për të kaluar në fazën tjetër të bisedimeve, për shembull, për të paguar pjesën e vet në financimin e pensioneve të eurokratëve. Ajo u përpoq të bënte bisht, por në fund, thjesht duhej të paguante. Dhe ashtu bëri.

 

Një e ardhme më paqësore

Ish-negociatorët e Brexit në Londër që janë shpërfillur më parë nga BE-ja, me siguri e kanë vënë re ironinë në faktin se marrëveshja Windsor tregon se qasja jofleksibël e BE-së, ka qenë një shtirje gjatë gjithë kohës.

Rezultoi se komisioni kishte mundësi për të pranuar kërkesat britanike dhe për të kërkuar leje nga shtetet anëtare më vonë.

Më parë, thjesht nuk kishte dashur ta bënte. Në të vërtetë, Britania ka arritur një marrëveshje më të mirë nga sa priste kushdo, megjithëse mund të mos jetë shumë domethënëse tani.

Dhe kjo për shkak se BE-ja e ka arritur me kohë qëllimin e vet kryesor: që as populisti më i çmendur në kontinent, nuk mendon më se largimi nga klubi do të ishte një ide e mirë për vendin e tij.

Në arritjen e një marrëveshjeje, ndihmoi edhe largimi i Boris Johnson, dikur një gazetar për Daily Telegraph, që shkruante artikuj që thumbonin BE-në.

Lufta në Ukrainë ka theksuar rëndësinë e bashkimit kontinental: Britania mbetet një aleat kyç i NATO-s. Amerika i bëri trysni të dyja palëve të bënin një marrëveshje. Pasi u bë e qartë se kishte gëzuar avantazhin gjatë gjithë procesit të negociatave, BE-ja lëshoi pe.

Oferta për një takim me mbretin, ishte vetëm një shenjë se mund të vijë një marrëdhënie më e lumtur midis Britanisë dhe kontinentit. Por asgjë nuk ka gjasa të ndryshojë në një periudhë afatshkurtër: në mbarë kontinentin europian, do të mbahen zgjedhje pranverën e ardhshme, disa muaj para se Britania të mbajë zgjedhjet e veta.

Tani për tani, të dyja palët janë qetësuar që, pas shtatë vitesh bisedime, një marrëveshje më në fund është arritur. Por njëra palë ka më shumë arsye për të qenë e lumtur se tjetra./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco