Falet gruaja izraelite e dënuar me vdekje për drogë

Falet gruaja izraelite e dënuar me vdekje për drogë

18:39, 26/03/2023

Zyrtarët izraelitë njoftuan se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë falur një grua izraelite e cila fillimisht ishte dënuar me vdekje për posedim droge.

Fida Kidwan u arrestua në fillim të vitit 2021 me gjysmë kilogram kokainë, për të cilën ajo pretendonte se nuk i përkiste asaj, raportuan mediat izraelite.

Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat kanë ligje të rrepta për drogën, më vonë e ndryshuan dënimin me vdekje në burgim të përjetshëm.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite Lior Hayat tha se Fida Kivan u kthye në Izrael mbrëmë pasi u fal.

Zyra e presidentit izraelit Isaac Herzog njoftoi se gruaja izraelite u fal me kërkesën e Herzog për presidentin e Emirateve Sheikh Mohammed bin Zayed al-Nahyan, i cili pranoi ta lironte atë si një "gjest vullneti të mirë".

Zyrtarët e Emirateve të Bashkuara Arabe nuk e komentuan menjëherë rastin e gruas izraelite, i cili ishte një test për fillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Gruaja izraelite u arrestua menjëherë pas normalizimit të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe nën ndërmjetësimin e SHBA-së në bazë të të ashtuquajturës Marrëveshje Avram.

Që atëherë, marrëdhëniet mes dy vendeve janë zhvilluar me sukses, vëllimi i tregtisë po rritet dhe turistët izraelitë vizitojnë masivisht Dubain.

Mediat izraelite raportuan se Fida Kidwan, e cila zotëronte një studio fotografike në Haifa në veri të Izraelit, erdhi në Dubai për të punuar me ftesë të një të njohuri palestinez. Shumë shpejt ajo u arrestua pasi në banesën e saj iu gjet drogë.

Në Emiratet, ka një dënim me vdekje për disa krime, duke përfshirë kontrabandën e drogës.

Megjithatë, dënimi më i rëndë zbatohet rrallë në atë vend dhe i fundit u krye në vitin 2017, kur një person i akuzuar për rrëmbimin, përdhunimin dhe vrasjen e një djali tetë vjeçar u ekzekutua me pushkatim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco