Protestat e dhunshme po vazhdojnë në Francë, Macron nuk heq dorë nga reformat

Protestat e dhunshme po vazhdojnë në Francë, Macron nuk heq dorë nga reformat

21:24, 23/03/2023

Protestuesit e zemëruar me presidentin Emmanuel Macron dhe planin e tij për të rritur moshën e pensionit, janë përleshur me policinë në të gjithë Francën ditën e enjten ndërsa ka mbetur në hije vizita zyrtare e Mbretit Charles e planifikuar për fundjavë.

Sipas mediave franceze, policia ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve pasi këta të fundit kishin hedhur predha dhe u kishin vënë flakën mbeturinave të grumbulluara në rrugë.

Është bërë e ditur se në mesin e protestuesve janë parë edhe grupe të vogla anarkistësh të “Bllokut të Zi”, ndërsa sindikatat kanë shprehur frikë se nëse nuk merret shpejt një përgjigje nga qeveria, protestat mund të bëhen edhe më të dhunshme.

Sulmet e protestuesve janë denoncuar nga ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin, i cili është shprehur se “sulmet dhe dëmtimet e papranueshme, nuk mund të mbeten të pandëshkuara”.

Ndërkohë, kujtojmë se Macron ka thyer heshtjen të mërkurën lidhur me çështjen, duke thënë se do të qëndronte i palëkundur ndaj vendimit të tij, dhe se ligji për rritjen e moshës për pension do të hynte në fuqi deri në fund të vitit.

Protestat që po zhvillohen në të gjitha qytetet e Francës, Macron i ka krahasuar me sulmin ndaj Kapitolit të ShBA-së në vitin 2021.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco