A do të kandidojë Joe Biden sërish për president në vitin 2024?

A do të kandidojë Joe Biden sërish për president në vitin 2024?

16:23, 05/02/2023

“The Week” /Një sondazh i kohëve të fundit nga “The Economist” dhe “YouGov”, ka një lajm të keq për presidentin amerikan Joe Biden: Vetëm 21 për qind e 1500 të rriturve amerikanë të anketuar në fund të janarit duan që ai të kandidojë sërish për president në vitin 2024. Gati e njëjta përqindje nuk ishin ende të sigurt, por për 58 për qind të tyre, përgjigja ishte një “jo” e fuqishme.

Fushata po afrohet me shpejtësi, madje ish-presidenti Donald Trump e ka nisur tashmë. A do të bëjë Biden të njëjtën gjë? Presidenti në detyrë ende nuk e ka shpallur zyrtarisht nëse do të rikandidojë në vitin 2024. Por një lexim i qëndrimeve të fundit sugjeron se ndoshta do ta bëjë këtë, madje shumë shpejt.

 

Këshilltarët e tij më të afërt janë konsultuar me zyrtarë në shtetet ku zakonisht pritet një betejë e ashpër, ndërsa vetë presidenti po planifikon një seri mbledhjesh fondesh me donatorë demokratë. Një donator thotë se “u është thënë të presin që mbledhja e fondeve të fillojë diku në mars ose prill”.

CNN raporton se Biden pritet ta shpallë kandidaturën menjëherë pas fjalimit mbi Gjendjen e Bashkimit më 7 shkurt. Në fakt, Biden e ka shprehur shumë herë synimin e tij për të kandiduar për rizgjedhje. Pas zgjedhjeve të mesit të mandatit çuditërisht të suksesshme për demokratët, Biden tha: “Synimi im është që të kandidoj sërish!”.

Dhe në një farë mënyre, ai po sillet tashmë si një kandidat: Kur Trump njoftoi më 15 nëntor 2022 synimin e tij për të rikandiduar për një mandat tjetër, ekipi i Biden publikoi kundër-programin e tij, duke e promovuar demokratin si kandidatin më të mirë. NBC News raporton se ndihmësit e Biden kanë filluar të organizojnë tashmë fushatën në prapaskenë. Ata synojnë të kenë një staf të vogël dhe të mbështeten shumë tek burimet e Konventës Kombëtare Demokratike (DNC).

“Biden do të kandidojë, dhe ne po ndërtojmë një infrastrukturë që ai të garojë dhe fitojë sërish”- tha Cedric Richmond, një nga këshilltarët kryesorë të Bidenit, aktualisht pjesë e DNC. Ndërkaq një zyrtar i lartë i administratës tha se ekipi dhe aleatët e Biden po “veprojnë nën supozimin se ai do të rikandidojë raportoi CNN.

Njerëzit më pranë Biden, thonë se ai e ka zvarritur qëllimisht shpalljen e kandidaturës për të shmangur hyrjen e menjëhershme të ligjeve mbi fushatën. Kur u pyet pse nuk e kishte shpallur zyrtarisht vendimin e tij në lidhje me këtë çështje, Biden u përgjigj: “Sapo të bëj këtë gjë, do të hyjnë në fuqi një seri rregulloresh, dhe nga ai moment unë duhet ta trajtoj veten si kandidat”.

Në të njëjtën kohë “është zbehur atmosfera pozitive për shpalljen e rizgjedhjes së presidentit”, dhe kjo për shkak të zbulimit të dokumenteve të klasifikuara në shtëpinë e Biden në Delaware dhe në një nga ish-zyrat e tij. Megjithatë, burimet pranë tij thonë se fushata e presidentit po përgatitet prej kohësh në heshtje, ndërsa një nga këshilltarët e tij deklaron se fushata e Bidenit “do të ketë përfitimin për t’i ndezur gjërat sa herë që duam ne, dhe aq shpejt sa i duam”.

Disa brenda partisë së tij kanë shmangur diskutimin mbi këtë çështje. Për shembull, kur guvernatorja e Michigan Gretchen Whitmer u pyet në shtator 2022, nëse besonte që Biden duhet të rikandidojë, u përgjigj se “nuk po merret fare më këtë çështje”.

Kryetarja e atëhershme e Kongresit, Nancy Pelosis tha në një konferencë për shtyp po në shtator se “nuk do të ndërhyjë në debatin nëse presidenti duhet të kandidojë apo jo.” Të tjerët kanë reaguar me entuziazëm ndaj kësaj ideje. Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer tha se “nëse Biden rikandidon, unë do ta mbështes atë.

Edhe guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom tha se mbetej “pro-Biden”. Sigurisht, paraqitja e mirë e demokratëve në zgjedhjet e mesit të mandatit i ndihmoi perspektivat e Biden për një rikandidim. “Ai regjistroi rezultatin më të mirë në këto zgjedhje të çdo presidenti demokrat që nga koha e Kennedy”- tha senatori i Delaware Chris Coons për Neë York Times. “Do të jetë e vështirë ta shohësh këtë rezultat dhe të mohosh shanset e tij dhe faktin që ka ende shumë gjëra të rëndësishme për të bërë si presidenti”- theksoi ai.

Senatori i Maryland, Chris Van Hollen, është shprehur se Biden “ka erën nga pas, dhe ai ka marrë një nxitje të fortë duke u paraqitur më mirë se sa pritej në zgjedhjet e mesit të mandatit, ndërsa Trump është padyshim pjesë e një shpërbërje të Partisë Republikane”.

“Kur i analizon gjërat në këtë qasje, atëherë Biden duket në një pozicion më të fortë”- thekson ai.

Pavarësisht kësaj, disa nuk janë të sigurt nëse Biden meriton ndonjë meritë për fitoret në zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar. Një demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve shpjegoi se ai e mbështet Biden, por shtoi se “shumë gjëra u bënë në kohën e duhur, dhe ne e mbyllëm vitin ashtu siç dëshironim dhe ne demokratët po e lexojmë rezultatin si në shenjë se duhet të jemi akoma më të përgjegjshëm në qeverisje”.

Ndërsa Biden nuk ka folur ende mbi këtë çështje, në cep po presin disa pretendentë. Si Gavin Newsom po ashtu edhe zv/presidentja Kamala Harris janë angazhuar me donatorë në përgatitjen e një fushate të mundshme nëse Biden nuk do të kandidojë. Thuhet se Harris ka qenë në kontakt me aleatët që e ndihmuan në fushatat e saj për zgjedhjen si prokurore qarku në Kaliforni.

Publiku është më hezitues për Biden si një ofertë që ripërsëritet. Një sondazh i CNBC në dhjetor 2022, zbuloi se 57 për qind e të anketuarve me prirje demokrate dhe 66 për qind e votuesve të pavarur nuk duan që Biden të kandidojë prapë.

Në fakt, kjo normë është përmirësuar disi në krahasim me korrikun, kur 75 për qind e votuesve demokratë nuk donin që Biden të kandidonte përsëri. Në fund të janarit të këtij viti, vlerësimi i punës së Biden nga amerikanët ishte rreth 44 për qind, një rënie në krahasim me fillimin e janarit, kur në rezidencën e tij u zbuluan disa dokumente të klasifikuara.

Ndërkohë ka jo pak rezerva edhe për moshën e Biden. Ai është tashmë presidenti më i moshuar në historinë e SHBA, dhe ai do të jetë afro 82 vjeç në ditën e zgjedhjeve në vitin 2024. “Unë mendoj se kemi nevojë për udhëheqje të re në të gjithë klasën politike, si tek demokratët po ashtu edhe tek republikanët. Them se ka ardhur është koha për një ndryshim brezash”- deklaroi kongresmeni demokrat i Ohios Tim Ryan.

Edhe ish-kryetarja e Kongresit Nancy Pelosi tha në një intervistë për “New York Times” se mosha “nuk ishte një gjë pozitive” për Biden. Por Larry Sabato, drejtor i Qendrës për Politikë në Universitetit të Virxhinias, deklaroi për britaniken “The Guardian” se presidenti “e kaloi gjithë jetën e tij duke kandiduar për president, dhe në përpjekjen e tretë ia doli më në fund”. “E kush nuk do të hiqte dorë nga ajo në ato kushte? Thuajse të gjithë?”- tha ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco