Kancelari gjerman Olaf Scholz ka deklarur se Presidenti rus Vladimir Putin nuk e ka kërcënuar as atë dhe as Gjermaninë.
Në një intervistë për Bild, ai është shprehur se ‘në bisedat tona telefonike Putin nuk ka bërë asnjë kërcënim kundër meje apo Gjermanisë.’
Ndërsa ish-kryeministri britanik Boris Johnson, tha për BBC në fillim të kësaj jave, se lideri rus e kishte kërcënuar me një sulm raketor që do të zgjaste vetëm një minutë. Por Kremlini i hodhi poshtë këto akuza duke thënë se Johnson po gënjente.
Ndërkohë Scholz tha se bisedat që ai pati me Putin e bënë të qartë se kishin pikëpamje shumë të ndryshme për luftën në Ukrainë, të cilën Rusia e ka konsideruar një ‘operacion special ushtarak’.
‘Unë ia kam bërë shumë të qartë Putin se Rusia ka përgjegjësinë e vetme për luftën’, tha Scholz.
‘Rusia ka pushtuar fqinjin e saj pa asnjë arsye, në mënyrë që të marrë pjesë të Ukrainës ose të gjithë vendin nën kontrollin e saj’, tha Scholz.
Kancelari gjerman deklaroi se ‘ka një marrëveshje me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy që armët e furnizuara nga Perëndimi duhet të përdoren vetëm në territorin ukrainas dhe jo në territorin rus. Ne kemi një konsensus për këtë.’
Putin e konsideron operacionin ushtarak në Ukrainë si një luftë për të ‘çarmatosur’ fqinjin e tij, një ish-republikë tjetër sovjetike, dhe për të mbrojtur Rusinë kundër një Perëndimi agresiv.
Ukraina dhe Perëndimi e konsiderojnë luftën të paligjshme dhe ka për qëllim zgjerimin e territorit rus.
© SYRI.net