The Guardian: Rusia po planifikon një ofensivë të madhe për ta shënuar përvjetorin e parë të luftës

The Guardian: Rusia po planifikon një ofensivë të madhe për ta shënuar përvjetorin e parë të luftës

09:07, 02/02/2023

Më 24 shkurt 2022, Rusia e pushtoi Ukrainën në një përshkallëzim të madh të Luftës Ruso-Ukrainase, e cila filloi në vitin 2014. Pushtimi ka të ngjarë të ketë rezultuar në dhjetëra mijëra vdekje nga të dyja palët dhe ka shkaktuar krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Brenda më shumë se gjashtë muajve nga pushtimi, Rusia përjetoi emigracionin e saj më të madh që nga Revolucioni i Tetorit 1917. Pushtimi ka shkaktuar gjithashtu mungesa globale të ushqimit.

Pushtimi u dënua ndërkombëtarisht si një luftë agresioni. Një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kërkoi një tërheqje të plotë të forcave ruse, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Rusinë të pezullonte operacionet ushtarake dhe Këshilli i Evropës dëboi Rusinë. Shumë vende vendosën sanksione të reja, të cilat prekën ekonomitë e Rusisë dhe të botës dhe ofruan ndihmë humanitare dhe ushtarake për Ukrainën.

Ndërkohë, sot është dita e 344 e luftës dhe zhvillimet e fundit në dhe nga Ukraina janë si në vijim:

Rusia po planifikon një ofensivë të madhe që do të përkojë me njëvjetorin e luftës në Ukrainë më 24 shkurt, sipas ministrit të mbrojtjes të vendit, Oleksii Reznikov.

Duke folur për mediat franceze, Reznikov paralajmëroi se Rusia do ta thërrasë një kontigjent të madh trupash të mobilizuara. Duke iu referuar mobilizimit të përgjithshëm të Rusisë prej 300,000 ushtarësh të rekrutuar në shtator të vitit të kaluar, ai pohoi se numrat në kufi sugjerojnë se madhësia e vërtetë e trupave ruse mund të jetë në afër 500,000.

Një raketë ruse shkatërroi një ndërtesë apartamentesh në qytetin lindor të Ukrainës, Kramatorsk, të mërkurën vonë dhe të paktën dy persona u vranë dhe shtatë u plagosën. Të paktën 44 persona u vranë muajin e kaluar kur një raketë ruse goditi një ndërtesë apartamentesh në qytetin lindor të Dnipro.

Andrei Medvedev, ish-komandant i grupit mercenar rus ëagner i cili iku në Norvegji i tha Reuters se donte të kërkonte falje për luftimet në Ukrainë dhe se do të nxjerrë para drejtësisë autorët e krimeve në konflikt. Tutje ai shton se ishte dëshmitar i vrasjes dhe keqtrajtimit të të burgosurve rusë të dërguar në Ukrainë për të luftuar për Wagnerin.

Sekretari i Mbrojtjes i Britanisë, Ben Wallace, ka thënë se nuk mendon se është qasja e duhur “për momentin” për të dërguar avionë luftarakë të Mbretërisë së Bashkuar në Ukrainë. Ndërkohë, edhe zyra e kryeministrit britanik ka vazhduar ta përjashtojë mundësinë e sigurimit të Kievit me avionë britanikë, duke thënë se kjo nuk ishte praktike duke pasur parasysh kompleksitetin e avionëve.

Deklaratat e mësipërme nga ane e Mbretërisë së Bashkuar u bënë pasi ish-kryeministri i saj Boris Johnson u bëri thirrje liderëve perëndimorë që t’u japin ukrainasve mjetet për të përfunduar punën, duke përfshirë tanke dhe avionë të rëndë. Duke iu drejtuar Këshillit të Atlantikut në Uashington, Johnson i kërkoi perëndimit ta “ndalojë fokusimin te Putini dhe të fokusohet tërësisht në Ukrainë”.

Spanja fillimisht do të dërgojë midis katër dhe gjashtë tanke Leopard 2 në Ukrainë, raporton El País. Italia do t’i bashkojë forcat me Francën në furnizimin e mbrojtjes ajrore për Ukrainën, raportoi FT. Në një intervistë, ministri i mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, tha se një paketë ndihme ushtarake që po përgatitet tani nga qeveria e Giorgia Melonit ndoshta do të përfshijë “armët e mbrojtjes kundër sulmit raketor rus”. “Italia pritet të sigurojë lëshuesit e raketave, ndërsa Franca do t’i furnizojë raketat”, raportoi gazeta.

Zëvendëskancelari i Gjermanisë, Robert Habeck, është shprehur kundër dërgimit të avionëve luftarakë nga vendi i tij në Ukrainë. Habeck, një mbështetës i hershëm i qeverisë së tij që mbështet Ukrainën me tanke Leopard 2 të prodhimit gjerman, tha se një veprim i tillë ndoshta do të ishte një hap shumë larg për aleatët perëndimorë që e peshojnë mbështetjen për kauzën e Ukrainës kundër frikës se do të tërhiqen në një luftë të drejtpërdrejtë.

SHBA po përgatit më shumë se 2 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën që pritet të përfshijë raketa me rreze më të gjatë për herë të parë, si dhe municione dhe armë të tjera, i thanë Reuters dy zyrtarë amerikanë të informuar për këtë çështje. Moska zyrtare ka thënë se raketat me rreze më të gjatë që thuhet se përfshihen në paketën e ardhshme të ndihmës ushtarake do ta përshkallëzojnë konfliktin ushtarak, por nuk do ta ndryshojnë kursin e tij.

Akademikët norvegjezë, aktivistët e të drejtave, autorët bestseller dhe një ish-ministër i kanë kërkuar Oslos ta rrisë mbështetjen e saj për Ukrainën, duke thënë se qeveria duhet të bëjë më shumë për të ndihmuar pasi të ketë fituar miliarda të ardhura shtesë nga nafta dhe gazi nga lufta e Rusisë. Të ardhurat e Norvegjisë nga nafta dhe gazi janë rritur në nivele rekord gjatë 12 muajve të fundit pasi çmimet e energjisë janë trefishuar pas pushtimit rus të Ukrainës dhe Norvegjia e ka zëvendësuar Rusinë si furnizuesi më i madh i gazit natyror në Evropë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se marrëdhëniet në rritje të Rusisë dhe Kinës përbëjnë një kërcënim jo vetëm për Azinë, por edhe për Evropën. Në një fjalim në Universitetin Keio në Tokio, shefi i NATO-s e nënvizoi rëndësinë e një bashkëpunimi më të fortë dhe më shumë “miq” për NATO-n në rajonin Indo-Paqësor, duke shtuar se lufta në Ukrainë ka treguar “se si siguria është e ndërlidhur”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco