FOTO/ Ngritja e 'turizmit komunist' në Rumani

FOTO/ Ngritja e 'turizmit komunist' në Rumani

13:57, 29/01/2023

Dekada pas përmbysjes së përgjakshme të Nikola Çausheskut, turizmi i bazuar në monumentet e epokës komuniste të Rumanisë është një industri që ka lulëzuar.

Christian Scutariu qeshi kur u pyet se pse 400 turistë rreshtohen çdo ditë për të vizituar "Rezidencën e Çausheskut" ku ai punon si udhërrëfyes.

"Sepse shumica e të huajve nuk patën mundësi ta përjetojnë komunizmin", tha ai. “Ata nuk kanë përjetuar gjëra të tilla, prandaj është e vështirë për ata që ta kuptojnë, por janë shumë kureshtarë për këtë”.

Image

Rezidenca e Bukureshtit është vendi ku Nikola Çaushesku dhe familja e tij laheshin në banja me rubinete të arta dhe shëtisnin nëpër kopshte të populluara nga pallonj dhe polici sekrete, ndërsa populli rumun jashtë detyrohej të jetonte në një epokë të errët mungesash, kufizimesh dhe represioni. Rezidenca u hap për publikun si një muze në vitin 2016, por tashmë është renditur në 10 vendet më të vizituara turistike në Rumani.

Image

Scutariu tha për Radion Evropa e Lirë se rreth dy të tretat e vizitorëve janë të huaj dhe derisa statistikat e turizmit u përmbysën nga pandemia, muzeu po shënon rritje për rreth 25 për qind çdo vit.

Image

Në Pallatin e madh të Parlamentit të Bukureshtit -- megaprojekti më famëkeq i Çausheskut -- një histori e ngjashme është shpalosur gjatë dekadës së fundit.

Në vitin 2013, pak më pak se 150.000 turistë -- më shumë se 80 për qind e tyre të huaj -- ecën nëpër korridoret e ndërtesës.

Deri në vitin 2018, ky numër ishte rritur në më shumë se 260.000 - një rritje gati 80 për qind. Kjo rritje tejkaloi ndjeshëm numrin e përgjithshëm të turistëve të huaj të ardhur në Rumani, që u rrit për rreth 65 për qind në të njëjtën periudhë.

Image

Vlad Chiciudean, i cili organizon shëtitje me temë komuniste në Bukuresht, i tha Radios Evropa e Lirë se "pas Revolucionit rumun të 1989-ës, ne nuk donim të bënim asgjë me këto kujtime të komunizmit. Ne donim ta dëbonim atë nga jeta jonë".

Megjithatë, me kalimin e kohës, veçanërisht pas pranimit të Rumanisë në Bashkimin Evropian në vitin 2007, shumica e panë këtë si një mundësi.

"Ne thamë, 'Hëmm... OK, këto gjëra shiten'", tregoi udhërrëfyesi turistik.

Image

Chiciudean tha se në pesë vjetët e fundit janë hapur disa muze dhe atraksione të tjera me tematikë komuniste në të gjithë vendin.

"Shumica e rumunëve nuk e kuptojnë pse të huajt duan, po aq sa ata, të dinë gjëra rreth komunizmit. Por, nëse ka ndonjë interes, atëherë ne mund të përfitojmë prej tij", tha ai.

Image

Kapitalizimi i magjepsjes së të huajve me reliket komuniste është përqafuar në Rumani në atë mënyrë që jo të gjitha republikat ish-socialiste të Evropës e kanë arritur. Në Shqipëri, rezidenca e diktatorit famëkeq stalinist, Enver Hoxha, mbetet e mbyllur për publikun.

Image

Jo vetëm sallat e mëdha të Parlamentit të Bukureshtit dhe luksi i çuditshëm i rezidencës së Çausheskut kanë një tërheqje të dukshme estetike, por edhe disa vende të zymta dhe të paqarta regjistrojnë mijëra vizita nga turistë të interesuar për monumentet e së kaluarës komuniste të Rumanisë.

Image

Në Targovishte, një qytet i vogël rreth 70 kilometra në veriperëndim të Bukureshtit, rreth 4.500 turistë, kryesisht të huaj, më 2022 paguanin për të hyrë në oborrin ku Nikola Çaushesku dhe gruaja e tij, Elena, u qëlluan për vdekje nga një skuadër pushkatimi më 25 dhjetor 1989.

Në një intervistë çuditërisht të sinqertë në media më 2013, kur kazerma Targovishte u hap për publikun, kreu i këshillit lokal, Adrian Tutuianu, i tha AFP-së se vendi i ekzekutimit ishte "një tjetër pasuri për të tërhequr më shumë turistë", të cilin ai parashikonte se "do të kishte një efekt shumë të mirë në aktivitetin ekonomik të rajonit”.

Image

Një turist që vizitoi vendin e Targovishtes në vitin 2018 tregoi atmosferën, në të cilën është bërë pjesa më e madhe e "turizmit të errët" të vendeve të epokës komuniste të Rumanisë:

“Kisha një lëmsh në fyt duke parë ato dhoma të thjeshta, me erë, telefonin e kuq dhe murin ku u qëlluan”, shkroi turistja në komentin e saj në internet. "Duke parë atë, u ndjeva sikur [ekzekutimet që i dhanë fund sundimit komunist në Rumani] ndodhën pak vjet më parë, e jo 29."/ Përgatiti: Syzanë Paçarizi, REL.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco