Izraelitët do ta kenë më të lehtë të mbajnë armë, pas sulmit në Jerusalem

Izraelitët do ta kenë më të lehtë të mbajnë armë, pas sulmit në Jerusalem

10:09, 29/01/2023

Kabineti i Sigurisë në Izrael e ka miratuar tashmë vendimit.

Të gjithë qytetarët e shtetit hebre, do ta kenë shumë më të lehtë të mbajnë armë, pas dy sulmeve të fundit të ndërmarra nga palestinezët në Jerusalem në 48 orët e fundit.

Të dy sulmet e ndërmarra, ku më i përgjakshmi ishte ai i orëve të para të 28 janarit, ku shtatë persona mbetën të vdekur në një sinagogë në Jerusalem, erdhën pas një operacioni nga Ushtria izraelite, në zonën e “West Bank”, i cili solli edhe vdekjen e nëntë personave.

Masat e reja gjithsesi, nuk parashikojnë thjeshtë pajisjen më të lehtë me armë të qytetarëve izraelitë.

Ai po ashtu parashikon edhe privimin nga e drejta e rezidencës apo sigurimet shoqërore e shëndetësore, për çdo anëtar të afërt të familjes së një agresori, i cili ndërmerr të tilla sulme.

Vendimi pritet të shqyrtohet edhe nga kabineti qeverisës, por në kushte të tilla duket thjesht një formalitet, teksa të djathtët – mbi të gjitha ata ekstremët – e kanë bërë të njohur qëndrimin, duke përkufizuar se çdo person, i cili ka një armë, e ka më të lehtë të mbrohet nga një sulm i tillë.

Sulmi në sinagogën e Jerusalemit

Shtatë persona kanë mbetur të vdekur pas një sulmi të përgjakshëm në një sinagogë në Jerusalemin lindor, në orët e para të 28 janarit, duke e shndërruar këtë në sulmin më të përgjakshëm të viteve të fundit në shtetin hebre.

Të paktën tre njerëz të tjerë mbetën të plagosur, në atë çfarë momentalisht është cilësuar si një sulm terrorist nga autoritetet vendore.

Sipas zyrtarëve policorë, agresori është neutralizuar  dhe është identifikuar si një “burrë palestinez” nga Jerusalemi Lindor.

Vetë shefi i policisë izraelite, Kobi Shabtai, e quajti sulmin si “një ndër më të dhunshmit, me të cilët Izraeli është përballur në vitet e fundit.

Besimtarë të shumtë ishin mbledhur në siagogën ku agresioni ndodhi dhe po kryenin ritualet e lutjes gjatë “Sabbath”-it.

Grupime palestineze nga ana tjetër, e kanë vlerësuar lartë sulmin, por asnjë prej tyre nuk e ka marrë autorësinë dhe përgjegjësinë mbi të.

Në West Bank, sipas pretendimeve nga Jerusalemi, vrasja e shtatë izraelitëve “u festua” dhe e njëjta gjë, ndodhi edhe në Ripin e Gazës.

Një veturë e bardhë po hetohet ndërkaq lidhur me ngjarjen, ku janë ngritur dyshime se autori e ka përdorur atë gjatë aktit të dhunës.

Një ekspertizë mbi të është ngritur, me qëllim mbledhjen e provave qenësore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco