Katari i dyshuar për korruptimin e Parlamentit Evropian, Zv.Presidentja e arrestuar merret në pyetje

Katari i dyshuar për korruptimin e Parlamentit Evropian, Zv.Presidentja e arrestuar merret në pyetje

09:49, 10/12/2022

Eurodeputetja socialiste greke Eva Kaili, një nga 14 nënkryetarët e Parlamentit Evropian, u soll për t'u marrë në pyetje në Bruksel të premten në mbrëmje në lidhje me një hetim mbi korrupsionin që dyshohet se përfshin "një vend të Gjirit", raportoi AFP dhe gazeta belge “Le Soir”, duke cituar prokurorinë.

Burime të Parlamentit Evropian i thanë Euronews se zyra e Kailit ishte vulosur nga policia e Belgjikës, së bashku me ato të dy eurodeputetëve socialistë belgë, Maria Arena dhe Marc Tarabella.

Maria Arena mohoi çdo përfshirje, duke deklaruar se hetimi përfshinte asistenten e saj. “Vula u vunë sepse ajo punoi për organizatën “Fight Impunity” besoj, në 2019-ën”, tha Maria Arena për “Le Soir”. “Nuk ka lidhje me faktin që ajo është asistentja ime”.

Katër arrestime u bënë ndërkohë në kryeqytetin belg në mëngjes për të njëjtin rast. Mediat në Greqi dhe Belgjikë raportuan se një nga katër të arrestuarit është partneri i Eva Kailit.

Partia Socialiste greke PASOK, anëtare e së cilës është Kaili, njoftoi të premten në mbrëmje se e kishte "përjashtuar" nga anëtarësia e saj.

Socialistët dhe Demokratët (S&D) në Parlamentin Evropian e pezulluan anëtarësimin e Kailit "me efekt të menjëhershëm", sipas një deklarate të ndarë nga grupi.

Zyra e Prokurorisë Federale të Belgjikës tha se gjeti 600,000 euro para të thata dhe sekuestroi kompjuterë dhe telefona celularë në bastistjen që bëri të premten. Në bastisje u kontrolluan gjithsej 14 vende.

“Për disa muaj, hetuesit e Policisë Gjyqësore Federale kanë dyshuar për një vend të Gjirit që ka ndikuar në vendimet ekonomike dhe politike të Parlamentit Evropian; kjo bëhet duke paguar shuma të mëdha parash ose duke u ofruar dhurata të mëdha palëve të treta me rëndësi të rëndësishme politike ose me pozicion strategjik brenda Parlamentit Evropian”, thuhet në deklaratë.

Zyra e prokurorit nuk e përmendi shtetin që është në qendër të hetimit. Deklarata për shtyp i referohej vetëm një "shteti të Gjirit".  Gazeta “Le Soir” e identifikoi shtetin si Katari.

Përfituesit janë personalitete me "një pozicion të rëndësishëm politik ose strategjik" në Parlamentin Evropian.

Katërshja e arrestuar besohet se është e gjitha me shtetësi italianë: drejtori i organizatës “ Jo Paqe pa Drejtësi”,  Niccolo Figa-Talamanca;  udhëheqësi i sindikatave Luca Visentini; ish-deputeti i S&D, Pier-Antonio Panzeri dhe asistenti parlamentar i grupit S&D dhe partneri i Eva Kailit, Francesco Giorgi, sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA.

Eva Kaili, 44 vjeçe, është një ish-prezantuese e televizionit grek dhe eurodeputete që nga viti 2014.

Të kontaktuara nga Euroneës, shërbimet e shtypit të Parlamentit Evropian thanë se "Parlamenti Europian nuk i komenton procedurat gjyqësore".

"Si gjithmonë, Parlamenti Evropian bashkëpunon plotësisht me autoritetet kombëtare përgjegjëse. E njëjta gjë në këtë rast specifik," shtuan ata.

Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë (EPP), më e madhja në gjysmëciklin, tha se "asnjë gur nuk duhet të lihet pa lëvizur" në hetimin në vazhdim.

"Nuk ka vend për korrupsion askund në BE. Autoritetet kanë mbështetjen tonë të plotë," tha grupi.

Eurodeputetja e Gjelbërve nga Gjermania, Anna Cavazzini, ka ndarë në Twitter habinë e saj për arrestimin e Kailit.

"Kjo është mjaft tronditëse nëse dyshimet bëhen të vërteta," shkroi Cavazzini në Twitter. "Dëgjova fjalimin e saj shumë pro Katarit (në seancën plenare) dhe u befasova jashtëzakonisht për këtë."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco