Nepalezët kërkojnë punë në Katar pavarësisht vdekjeve

Nepalezët kërkojnë punë në Katar pavarësisht vdekjeve

11:17, 27/11/2022

Botërori 2022 ka nxjerrë në pah vdekjet e mijëra punëtorëve migrantë gjatë përpjekjeve për përgatitjet 12-vjeçare për kampionatin botëror të futbollit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Heather Murdock, bisedoi me familjet e viktimave në Dhanusha të Nepalit, të cilët thonë se pavarësisht vuajtjeve, ata do të vazhdojnë të punojnë në Katar.

Besimtarët myslimanë në rajonin Dhanusha të Nepalit i varrosin të dashurit e tyre pa mbishkrime, ndërsa sekti hindu i djeg trupat e të vdekurve.

Të dy komunitet po përjetojnë një varfëri të skajshme ndërsa më shumë se gjysma e familjeve në Nepal varen nga ndihmat financiare të familjarëve që punojnë jashtë vendit.

26-vjeçari Jamsed Saphi vdiq rreth dy muaj më parë ndërsa punonte në Katar. Pasi solli trupin e vëllait në fshat me shpenzimet e tij, Sakhil Saphi, po përgatitet të kthehet në punë në Katar.

“Nuk di se çfarë pune mund të bëj këtu, sepse është shumë e vështirë të kursesh para. Edhe nëse punoj dhjetë ditë, nuk mjafton për nevojat e familjes sime dhe për të kursyer para”, thotë për Zërin e Amerikës nepalezi Sakhil Saphi, i cili sapo ka varrosur vëllain e tij.

Për shumë nepalezë, Katari është bërë një destinacion i preferuar pune gjatë dekadës së fundit. 12 vite më parë Katari u zgjodh vend mikpritës i Botërorit 2022. Që nga ajo kohë, Katari ka investuar më shumë se 200 miliardë dollarë në stadiume dhe infrastrukturë.

Mijëra migrantë nga Azia Jugore dhe Afrika kanë vdekur gjatë përpjekjeve të përgatitjeve për Botërorin 2022. Organizata Amnesty International thotë se shumica e çertifikatave tregojnë se vdekjet nuk kanë lidhje me punën. Për rrjedhojë, familjet nuk mund të kërkojnë kompensim. Zëri i Amerikës bisedoi me Indra Jit Dhobi-n, babain e të ndjerit Jamsed Saphi.

“Na thamë (kompania) se Jamsed vdiq ndërsa nuk ishte në punë. Pse shkruhej në procesverbal se ai vdiq në dhomën e tij? Por në fakt ai vdiq ndërsa po punonte.”

Sakhil Saphi, vëllai i të ndjerit, thotë se ai u kërkoi autoriteteve të Katarit shpjegime për çertifikatën e vdekjes. Por ai u njoftua se një hetim zyrtar do të zgjaste dy deri tre muaj dhe se trupi i të ndjerit duhet të mbahej në dispozicion gjatë gjithë kohës. Ai shkoi tek zyra e punëdhënësit të vëllait të tij.

“Zyrtari u zemërua aq shumë sa u ngrit në këmbë dhe më tha të shkoja të flisja me përgjegjësin e tij, duke e përsëritur këtë”, tregon për Zërin e Amerikës nepalezi Sakhil Saphi.

Por përgjegjësi në fjalë ishte gjithmonë i zënë dhe gjithmonë i zemëruar, çfarë bëri që nepalezi Sakhil Saphi të hiqte dorë nga kërkesat e tij.

Në gjashtë vitet e fundit Katari ka bërë shumë reforma në sektorin e punësimit, përfshirë pagën dhe caktimin e një bordi për të trajtuar ankesat. Por punonjësit migrantë thonë se rasti i nepalezit Safit është i pazakontë. Zyrtarët e Katarit për Botërorin 2022 refuzuan një kërkesë të Zërit të Amerikës për të komentuar lidhur me këtë raport.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco